Numri i ulëseve në kuvendet komunale u caktua bazuar në numrin e banorëve rezidentë e jo në bazë të numrit të qytetarëve me të drejtë vote. Sipas ekspertëve, kjo ndodhi për shkak se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal keqinterpretoi ligjin.
Numri i ulëseve nëpër kuvendet komunale është përcaktuar jo sipas numrit të qytetarëve me të drejtë vote, por në bazë të numrit të banorëve që aktualisht jetojnë në secilën komunë. Kjo sipas njohësve të pushtetit lokal është jo ligjore dhe ka dëmtuar përfaqësimin e drejtë të qytetarëve në kuvende komunale.
Pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë më 2024-tën, numri i ulëseve për asambletë në nivel vendi u ul për 60. Nga 1002 ulëse ra në 942.
Kjo u bë në bazë të një shkrese njoftuese që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ia dërgoi Komisionit Qendror të zgjedhjeve në maj të këtij viti.
Për këtë ndryshim, MAPL-ja u thirr në nenin 36 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, që përcakton raportin mes numrit të qytetarëve dhe ulëseve që duhet t’i ketë Kuvendi Komunal për secilën komunë.
Sipas njohësit të pushtetit lokal, Shkëlqim Jakupi, në shkresën e dorëzuar nga MAPL-ja është keqinterpretuar pikërisht ky nen i Ligjit. Jakupi thotë se është ngatërruar termi “qytetarë” me “banorë”.
“Nga teoria, praktika dhe zhvillimi i këtyre statistikave e dimë që termi banorë, popullsi dhe termi qytetarë janë dy terme të ndryshme, si në aspektin juridik ashtu edhe në atë praktik. Në këtë rast Ligji për Vetëqeverisje Lokale u është referuar numrit të qytetarëve. Qytetar konsiderohet çdo person që është i regjistruar, që nga një letërnjoftim apo pasaportë në regjistrat civil të një shteti dhe ka të drejtë vote në atë shtet. Ndërsa banorë konsiderohen vetëm banorët rezident që jetojnë në një shtet të caktuar”, ka thënë Jakupi.
Në nenin 36 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale thuhet se numri i anëtarëve në kuvendin e komunës të një komune duhet të jetë proporcional, varësisht nga numri i qytetarëve në komunë. Në këtë nen përcaktohet edhe formula e caktimit të numrit të ulëseve.
“Nëse komuna i ka deri në 10.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 15 anëtarëve; nëse komuna i ka prej 10.001 deri 20.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 19 anëtarëve; nëse komuna i ka prej 20.001 deri 30.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 21 anëtarëve; nëse komuna i ka prej 30.001 deri 50.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 27 anëtarëve; nëse komuna i ka prej 50.001 deri 70.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 31 anëtarëve; nëse komuna i ka prej 70.001 deri 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 35 anëtarëve; nëse komuna i ka më shumë se 100.000 qytetarë, kuvendi i asaj komune përbëhet prej 41 anëtarëve. Kuvendi i komunës së Prishtinës përbëhet prej 51 anëtarëve”, thuhet në nenin 36 të LVL.
Zgjedhjet e 12 tetorit u mbajtën për të zgjedhur 38 kryetarët e komunave dhe 942 kandidatët për asambletë komunale.
Të drejtë vote patën 2 milionë e 25 mijë qytetarë, nga ta 812 mijë e shfrytëzuan këtë të drejtë, që i bie 40%.
Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2024, Kosova ka rreth 1.6 milionë banorë, nga të cilët rreth 1 milion e 150 mijë janë mbi 18 vjeç dhe kanë të drejtë vote.
KOHA ka dërguar pyetje në MAPL për të komentuar mundësinë e keqinterpretimit të ligjit, e po ashtu edhe pse për caktimin e numrit të ulëseve në kuvende komunale nuk është marrë për bazë numri i personave që janë të evidentuar në Regjistrat Civil në ato komuna. MAPL nuk ka kthyer përgjigje.
Në faqen zyrtare të MAPL-së, është e publikuar vetëm shkresa njoftuese e vitit 2013, për zgjedhjet lokale të mbajtura pas regjistrimit të popullsisë të 2011-ës. Edhe atëherë për caktimin e numrit të ulëseve në kuvende komunale është marrë për bazë censusi i popullsisë e jo numri i banorëve në regjistrat civilë.