Gjykata Speciale ka pasur një vit të ngathët në gjykimin e krimeve të pretenduara nga drejtues të UÇK-së. Për tetë të arrestuarit që mbahen në paraburgim në Hagë ende nuk ka epilog. Përderisa dy procese gjyqësore kanë filluar, gjykimi për katër ish-krerët e UÇK-së nuk ka as ndonjë datë të përafërt se kur mund të fillojë. Në pjesën e parë të vitit këta të paraburgosur ishin të privuar nga vizitat, e lirimi i tyre me kusht duket që nuk është në horizont, me gjithë garancitë e ofruara nga Policia e Kosovës. E krahas garancive, shteti i Kosovës ka mbështetur mbrojtjen e të akuzuarve me afro 5.5 milionë euro
Deklaratat e Zyrës së Prokurorit se proceset gjyqësore ndaj ish-prijësve të UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë do të fillojnë në vitin 2021, kanë mbetur pjesërisht të përmbushura. Trembëdhjetë muaj pas arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nuk dihet data e përafërt e fillimit të gjykimit.
Rrugë të gjatë deri te epilogu kanë edhe rastet e tjera. Për më tepër që nga shtatë të akuzuarit në vitin 2020, lista është rritur edhe në vitin 2021. Pjetër Shala është personi i fundit që në vitin 2021 iu bashkëngjit ish-ushtarëve të UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë për krime lufte. Ai u ekstradua nga Belgjika për në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, pasi iu konfirmua aktakuza.
Gjykimi i mirëfilltë nisi në dy raste, por fundi nuk u dihet. Për tetë persona që po mbahen në paraburgim në Hagë ende nuk ka asnjë vendim gjyqësor, e për shumicën e tyre nuk ka filluar gjykimi i mirëfilltë.
Për shumë muaj të akuzuarve nuk iu lejuan vizitat. Pandemia u përmend si arsyetim, ndërsa lirimi me kusht i tyre nuk është në horizont. Të arrestuarit që janë dërguar në mbajtje që në vitin 2020, janë ankuar vazhdimisht për zvarritje të paarsyeshme të proceseve.
Garancia e shtetit që nuk e bindi Gjykatën
Brenda vitit u mbajtën disa seanca paragjyqësore, por në asnjërën nga to Prokuroria nuk qe në gjendje që të japë ndonjë datë të përafërt se kur mund të fillojë gjykimi. Në njërën prej seancave ka shpërthyer në reagime të forta avokati Ben Emmerson që përfaqëson Kadri Veselin.
”Prokuroria ka gënjyer. Prokuroria ju bindi juve që këta burra që janë në ndalim duhet të mbesin të tillë dhe se deri në fund të vitit do të kishte zhvillime dhe do të ishin gati për nisjen e gjykimit. Kjo nuk është e vetmja gënjeshtër. Ju na akuzoni se po ju çorientojmë”, ka deklaruar avokati Emmerson në nëntorin e 2021-s.
Gjatë tërë vitit është kërkuar nga mbrojtja që të arrestuarit të mbrohen në liri. Kërkesat vazhdimisht janë refuzuan nga gjyqtari i procedurës paraprake i ngarkuar me këtë çështje. Një nga kushtet që e ka shtruar Gjykata ishte “garancia e një shteti të tretë”. U ngritën dilema nëse si shtet i tretë mund të cilësohej Kosova.
Debati për nevojën e garancisë që mund t’i ofrojë Kosova Speciales, e që do të ndikonte në lirimin e përkohshëm të të akuzuarve, ishte ngritur pas një opinioni ligjor të gjyqtarit Kai Ambos, të ndarë nga vendimi i Gjykatës, i cili ka përmendur garancinë që mund ta ofrojë një shtet i tretë.
“Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për secilin rast dhe oferta e shtetit të tretë nuk garanton kurrsesi se do të jepet lirimi me kusht. Këtu, përsëri, unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin, domethënë që një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet me garanci, përfshirë nga shteti i tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibrin në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga gjyqtari gjykues ose kolegji kompetent”, thuhej në këtë mendim të ndarë të këtij gjyqtari i lëshuar në majin e vitit 2021.
Qeveria e Kosovës në publik u arsyetua se vendi nga vijnë të akuzuarit nuk mund të cilësohet shtet i tretë, e nga Gjykata Speciale nuk u deklaruan asnjëherë nëse ndonjë shtet tjetër ka ofruar këtë garanci.
Në pjesën e dytë të vitit, mbrojtjet e katër të akuzuarve tentuan të mbështetshin në Policinë e Kosovës si garantues të lirimit të klientëve të tyre. Fillimisht u interpretua se Policia e Kosovës kishte mëdyshjet për të ofruar garancinë.
Bashkëshortja e Rexhep Selimit, deputetja Shqipe Selimi, në njërën nga mbledhjet e Komisionit për Siguri, sfidoi drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, për këtë çështje.
“Po mendoj që Dhomat e Specializuara kanë kërkuar që me ofru dëshmi se çfarë kushtesh dhe dëshmish keni për të ofruar mbrojtjen e lirimit me kusht?”, ishte pyetja që Selimi ia shtroi Mehmetit. E shefi i Policisë kërkoi që të kursehej nga çështja e garancisë.
“Avokatët mbrojtës kanë bërë kërkesa për kushtet e lirimit me kusht. Ne kemi dërguar kapacitetin dhe aftësinë tonë dhe mundësinë tonë për të siguruar lirimin me kusht, sa i përket çështjes rreth Dhomave të Specializuara. Kisha pas qejf me na kursye për shkak se ato u takojnë Dhomave të Specializuara, jo neve”, është shprehur ai para deputetëve.
Në javën e dytë të muajit dhjetor të këtij viti u bë e ditur që Policia e Kosovës ka ofruar garancinë e kërkuar, por Dhomat e Specializuara e kanë konsideruar si argument jo aq të fuqishëm sa për t’i liruarit të akuzuarit nga paraburgimi. Fundi i muajit janar do të jetë shansi tjetër i mbrojtjes për të kërkuar lirim të përkohshëm për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.
Gjykim historik
Salih Mustafa i njohur me nofkën “Cali”, ish-epror i Njësisë BIA, pjesë e UÇK-së, u bë i pari ndaj të cilit nisi gjykimi pranë Dhomave të Specializuara. Në seancën e parë gjyqësore ai u deklarua i pafajshëm, ndërsa hodhi akuza mbi hetuesinë që e ngarkoi atë me krime lufte.
“Po, për asnjë nga pikat që m’i ngarkon kjo zyre e Gestapos”, tha ai në seancën e parë.
I veshur me tuta e me qëndrim mospërfillës ndaj këtij institucioni, Mustafa në paraqitje në këtë seancë tentoi të përcjellë mesazh se nuk e njihte gjykatën që po e gjykon për krime lufte, përfshirë këtu edhe veprën penale si vrasja. Por disa ditë pas, në seancën e radhës, ai u deklarua i penduar për një gjë të tillë.
“Kohëve të fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi”, deklaroi ai. Pjesa tjetër e adresimit të tij nuk u bë publik, meqë u ndërpre transmetimi.
Më vonë nga Gjykata Speciale e nga Ministria e Drejtësisë u bë e ditur se Mustafa po mbahej ka disa muaj në vetmi. Nuk u treguan arsyet.
Ndonëse gjykimi i mirëfilltë në këtë proces ka filluar në tremujorin e fundit të vitit 2021, seancat u mbajtën me një ritën dinamik. 14 dhjetori është dita kur u mbajt seanca e fundit për vitin 2021. Për këta muaj u dëgjuan dhjetë dëshmitarë. Të gjithë zgjodhën që të dëshmojnë me identitet të mbuluar.
Zyra e Prokurorit të Specializuar duket se është në fund të paraqitjes së dëshmive, gjë që u paralajmërua në seancën e fundit për vitin 2021.
“Kemi dëshmitarin Ë04485 që është parashikuar për javën e 17 janarit, dëshmitarin 4484, planifikuar për javën e katërt të janarit dhe pastaj dëshmitarin e fundit 4849 planifikuar për javën e 31 janarit deri 4 shkurt, që do të jetë edhe dëshmitari i fundit pas të cilëve ZPS-ja nuk pret të ketë më dëshmitarë shtesë, po ashtu nuk presim të kemi prova materiale provuese për t’u zbuluar për dëshmitarin e fundit. Prandaj do të jemi në gjendje ta dorëzojmë njoftimin zyrtar në përputhje me Rregullën 129 ose po atë ditë që është e premte 4 shkurt, ose maksimumi të hënën pas të premtes”, ka deklaruar përfaqësuesja e këtij institucioni më 14 dhjetor të vitit 2021.
Tek disa dëshmitarë përveç mbrojtjes, edhe Gjykata gjeti mospërputhje deklaratash.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Feldt- Voglia, pati vënë theksin veçanërisht te një deklarim shumë kontradiktor i dëshmitarit të parë në këtë proces. Siç pati deklaruar ajo, dëshmitari në vitin 2006, në dëshminë e tij për UNMIK-un, pati thënë se nuk e njihte kush e kishte rrahur në Zllash, ndërsa në këtë gjykim e ka identifikuar të akuzuarin Salih Mustafa.
“Por në vitin 2006 ti nuk ke thënë që e dije. A mund të thuhet që atëherë e dije e nuk e ke treguar. Nuk po e them unë, por dikush mund të thotë që ti ke gënjyer kur ke thënë që nuk e dije”, është shprehur Voglia.
Gjykim gjysmak - mbi 5 milionë euro kostoja e mbrojtjes
Rasti i dytë për të cilin ka filluar gjykimi i mirëfilltë është ai ndaj udhëheqësve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Ky rast mund të marrë epilog në pjesën e parë të vitit të ri.
Haradinaj e Gucati as në fazën e gjykimit nuk u ndien fare përgjegjës për veprimet që ngarkohen e që lidhen me shpërndarjen e materialit të kësaj gjykate ku përmenden emra të dëshmitarëve potencialë. Të dy në seancën e parë gjyqësore, si dhe në atë paragjyqësore u deklaruan të pafajshëm.
“I pafajshëm jam plotësisht”, është shprehur kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.
Ngjashëm u deklarua edhe zëvendësi i tij Nasim Haradinaj.
“Nuk mund as ta kuptoj aktakuzën, por atë që e lexuat ju e dëgjova. I pafajshëm”, ka thënë ai në seancën e parë gjyqësore në tetorin e vitit 2021.

Në po këtë seancë, kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, pranoi në mënyrë indirekte që megjithatë dokumentet për të cilat po hetoheshin këta dy shtetas të Kosovës kishin rrjedhur nga zyra e tij, por nuk tregoi pse nuk arriti që t’i fuste në aktakuzë edhe kolegët e tij që ishin përgjegjës për ruajtjen e dokumenteve konfidenciale.
“Të akuzuarit akuzohen për shpërndarje të paligjshme të këtyre dokumenteve, por jo për vjedhjen e tyre. Që të jemi shumë të qartë, jemi duke e hetuar aktivisht vjedhjen e dokumenteve në fjalë dhe kur të kemi grumbulluar prova të mjaftueshme kundër personave që e kanë bërë, këta individë do të arrestohen dhe do të dalin në këtë sallë gjyqi për t’u përballur me akuzat për krimet e tyre. Duke qenë se bëhet fjalë për një hetim të veçantë e konfidencial që është duke u zhvilluar, nuk do të përmend sot asnjë prej hollësive lidhur me ecurinë e tij”, ka thënë Smith në një nga seancat gjyqësore.
Të dy krerët e OVL të UÇK-së akuzohen për veprime penale që lidhen me pengim në administrimin e drejtësisë, e deri tani janë administruar një pjesë e madhe e provave.
Skepticizëm e pyetje pa përgjigje la edhe një vizitë e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekatrina Trendafilova, në Kosovë.
Fishkëllima, akuza se është gjykatë e padrejtë e që nuk po i gjykon krimet serbe iu drejtuan asaj në konferencë për media.
“Kjo gjykatë po dëshiron ta ndryshojë historikun e Kosovës duke e bërë luftën çlirimtare si luftë që ka ndodhur mes dy agresorëve e jo si luftë çliruese. Gjykatësja ka ardhur të raportojë që të legjitimohet kjo gjykatë, por s’është më reale. Kanë harru që kanë bërë krime këtu, kanë ndodhur nga agresori, d.m.th. Serbia”, u tha nga protestues të PSD-së pak sekonda pasi mori fjalën Trendafilova.
Pak javë pas vizitës së këtij delegacioni, një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë udhëtoi për në Hagë, por aty nuk ishin të mirëpritur nga dy ish-krerët e shtetit, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët nuk pranuan t’i takojnë.
Ndonëse u refuzua kontakti me personalitetet politike të Ministrisë së Drejtësisë, nga dy ish-krerët e shtetit nuk u refuzua ndihma financiare e kësaj ministrie për mbrojtjen e nevojshme ligjore.
Fiks 5 milionë e 442 mijë e 298 euro janë paguar deri në shtatorin e vitit 2021 nga Ministria e Drejtësisë për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes së të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Në të janë të përfshirë avokatët e 7 të akuzuarve nga Specialja, nga 8 sa janë gjithsej.