Krahas veteranëve janë edhe dy kategori të tjera që preken nga ndryshimet e bëra në Ligjin për pagën minimale. Janë personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe as të verbrit ata që nuk do të marrin më pensionin të bazuar në lartësinë e pagës minimale. Për këtë veprim të ekzekutivit janë shprehur të pakënaqura organizatat që avokojnë për të drejtat e këtyre grupeve
I padrejtë dhe diskriminues po konsiderohet mospërfshirja në Ligjin për pagën minimale të personave paraplegjikë e tetraplegjikë dhe personave të verbër. Organizatat që përfaqësojnë grupet e cenueshme kanë thënë se mosgarantimi i pensionit bazuar në pagën minimale përbën shkelje të të drejtave të njeriut.
Bujar Kadriu, drejtor ekzekutiv i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuara ka thënë se këto kategori po përjashtohen edhe nga standardi i të ardhurave minimale.
“Kemi insistuar që të kemi si bazë pagën minimale, asnjëherë nuk është aprovuar kjo kërkesë dhe konsideroj që ligjet që i prekin grupet e interesit, padyshim që të preken në pagën minimale, duhet që të kenë një tavan, një standard i cili i jep një mundësi që të jenë pjesë e integrimit ekonomik sidomos grupet e cenueshme. Mosfutja apo mosrespektimi i ligjeve të caktuara që prekin personat me aftësi të kufizuara dhe përjashtimi i tyre nga standardi i pagës minimale konsideroj që është një shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë Kadriu.
E Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës “Handikos”, ka deklaruar se gjendja shëndetësore në të cilën ndodhen ua pamundëson ta shprehin revoltën për pakënaqësitë në atë mënyrë siç e shprehin grupet e tjera të shoqërisë. E kërkesat drejtuar Qeverisë nëpërmjet dialogut, sipas tij, po hasin në vesh të shurdhër.
“Inflacioni dihet sa ka shkuar, çmimet dihet sa kanë shkuar. Aspak nuk ka lëvizur kjo. Ne prapë do t’i adresohemi por sa do të mund të arrijmë nuk e di, nuk mund të them asgjë. Për shkak se edhe njëherë po e theksoj se ministri është i paarritshëm për ne. Meqenëse në anën tjetër, sa kemi informata ai është personi kyç apo çelësi kryesor. Se ne jemi takuar edhe me zyrtarë të tjerë të kësaj Ministrie, p.sh. me sekretarin, por nuk po mundet me i shty proceset përpara pa ministrin”, ka thënë Maliqi.
Për lartësinë e shumës së kompensimit për veteranët, personat e verbër dhe për persona paraplegjikë e tetraplegjikë me ligj është përcaktuar se do të vendosë Ministria e Financave, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual.
Lidhur me këtë çështje, KOHA ka drejtuar pyetje në këtë institucion, por nuk ka pranuar përgjigje.
Në nenin 3 dhe 4 të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, përcaktohet ndryshimet që janë bërë në ligjet ekzistuese për personat e verbër dhe ata paraplegjikë e tetraplegjikë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së kompensimeve për personat e verbër të përcaktuar me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”, thuhet në të dy nenet.
Me legjislacionin paraprak, rritja e pagës minimale rriste automatikisht edhe pensionet e veteranëve, personave të verbër dhe atyre paraplegjikë e tetraplegjikë.
Dy partitë opozitare PDK e AAK patën dorëzuar amendamente që kërkonin që të fshihen nga projektligji nenet me të cilat përjashtohen nga përfitimi i pagës minimale këto kategori, por, asnjëra nuk u mbështet dy ditë më parë kur edhe u miratua ligji.