Arbëri

Vjetërsia i bën të rrezikshme për fëmijët hapësirat që çerdhet kanë për lojëra

Fitnete Berisha, edukatore në institucionin parashkollor “Dielli” në Prishtinë, ka thënë se këndi i lojërave është i rëndësishëm për zhvillimin fizik dhe atë emocional të fëmijëve. E në mungesë të infrastrukturës zbavitëse, ajo ka treguar se stafi i çerdhes detyrohet që të improvizojë me aktivitete të tjera në natyrë

Fëmijët që e kalojnë secilën ditë të javës në institucionin parashkollor “Dielli” në Prishtinë nuk mund t’i përdorin rrëshqitësen prej metali, si dhe kolovajzën që ndodhen në oborrin e tij, shkaku se ato paraqesin rrezik për ta si pasojë e vjetërisë.

Në gjendje të rëndë është i gjithë këndi i lojërave në këtë institucion, pasi që investimi i fundit që është bërë në këtë pjesë ishte prej para 10 vjetësh nga një kompani private.

Edukatorja Fitnete Berisha ka thënë se këndi i lojërave është i rëndësishëm për zhvillimin fizik dhe atë emocional të fëmijëve. E në mungesë të infrastrukturës zbavitëse, ajo ka treguar se stafi i këtij institucioni parashkollor detyrohet që të improvizojë me aktivitete të tjera në natyrë.

“Zakonisht për sigurinë e fëmijëve një mësuese nuk mundem me qitë, sepse numri i fëmijëve është 20-22. Nuk mundem me i nxjerr jashtë pa qenë dy mësuese të grupit për t'u siguruar që të mos kemi ndonjë lëndim apo diçka tjetër”, ka treguar ajo. “Sa i përket hapësirës, kemi shumë të mjaftueshme, por që nevojiten shumë investim në këndin e lojërave, sepse ka pasur më herët një investim, por që gjithmonë nuk qëndrojnë”, ka shpjeguar edukatorja që punon me fëmijë te grupmoshat 3 deri në 6-vjeçare.

Të varfra në pajisje, të cilat fëmijët mund t’i shfrytëzojnë për të luajtur janë edhe institucionet e tjera parashkollore në Prishtinë.

Një kolovajzë dhe dy pajisje të tjera, njëra e njohur si kalërim statik e tjetra si mbajtëse e peshave, janë elementet që i posedon çerdhja “Fatosat”.

E hapësirë të bollshme për vendosjen e këndit të lojërave kanë vlerësuar se posedojnë edhe në çerdhen “Ardhmënia” në kryeqytet, porse investime në të kanë thënë se nuk kanë pasur ndër vite.

Edukatorja për grupmoshat 0-3 vjet, Aida Halili, ka thënë se zhvillojnë aktivitete eksploruese të cilat nuk përfshijnë pajisjet zbavitëse.

“Ka qasje secila klasë në natyrë dhe kjo ndikon në zhvillimin e tërësishëm të fëmijëve, si në atë fizik, social e emocional, si dhe eksplorimin me materiale të ndryshme. E këto kushte janë të mjaftueshme, sepse i përfshijnë hapësirën e natyrës, fëmijët për të gjitha klasat”, ka thënë edukatorja në çerdhen “Ardhmënia”.

Në çerdhen “Lulevere”, ani se posedojnë një kopsht me hapësirë të vogël për 160 fëmijë sa i ka ky institucion parashkollor, edukatorja Valbona Gashi ka thënë se nuk u shkakton probleme për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre.

“Aktivitete ne si institucion i kemi të obligueshme që çdo ditë, fëmijët të dalin në kopsht, tash pasi ka filluar të nxehet koha, dalim e kemi bërë mbjelljen e luleve, kemi bërë edhe serrën. Dalim në kopsht me fëmijët e bëjmë aktivitete të ndryshme. Përpos aktiviteteve që i kemi çdo ditë, kështu që i kemi rutinë, ne bëjmë edhe lojëra të ndryshme fizike”, ka thënë ajo.

Në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë nuk kanë treguar nëse planifikojnë t’i rregullojnë dhe të sjellin rekreacion në këndin e lojërave në institucione parashkollore.

Loja në natyrë është e përfshirë edhe në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve. Konventa pranon se lojërat në ambientet e hapura nuk janë vetëm opsionale për fëmijët, por thelbësore për zhvillimin e tyre fizik, social, mendor dhe emocional, si dhe kyç për shëndetin dhe lumturinë e tyre ditore.

“Njohja e të drejtës së fëmijës për pushim dhe kohë të lirë, për t'u përfshirë në lojëra dhe aktivitete zbavitëse të përshtatshme për moshën e fëmijës dhe për të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore dhe në art, duhet të respektohet plotësisht”, shkruan ndër të tjera në Konventë.