Tiranë, 4 tetor – Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, i cili mori pjesë në konferencën e organizuar dje në Tiranë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia e lajmeve serbe, Tanjug, me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, deklaroi se “ne në Kosovë jemi vërtet të gatshëm të bashkëpunojmë me serbët”.
Në fjalën e tij përpara panelistëve dhe të pranishmëve, Ukshini theksoi se pala kosovare është e gatshme që të rrisë shkallën e bashkëpunimit me vendet e rajonit.
“Unë e kam thënë privatisht, por po e them edhe sot që përtej kësaj konference që vërtet është e mirë për shkak se ndërton urë komunikimi, kam një vërejtje thelbësore. S’e kam të qartë, po flisni për marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë, apo për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve? Sepse nëse flisni për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, këtu dallojmë, sepse është Republika e Kosovës, me 2 mln shqiptarë, janë shqiptarët e Maqedonisë, pra dua një saktësim në formulim, se duket e vogël, por ka konotacion tjetër. Unë po e them shumë sinqerisht dhe shumë hapur që ne në Kosovë jemi vërtet të gatshëm që të bashkëpunojmë me serbët, sikurse jemi të gatshëm që të kemi raporte jashtëzakonisht të mira edhe me malazezët, edhe me kroatët, edhe me maqedonasit, edhe me fqinjët tanë dhe vëllezërit tanë të Shqipërisë. Por duhet të vërtetën ta shikojmë me dy sy, t’i themi gjërat si janë”, – u shpreh ambasadori.
Ambasadori Ukshini theksoi se “unë jam rritur në kohën kur Kosova në ish-Jugosllavinë është quajtur me kushtetutë, Kosovë. Ndërkaq, me ardhjen e Millosheviçit ka filluar të thirret Kosovë dhe Metohi. Mua ma kujton këtë kohë dhe mendoj se duhet të distancohemi nga kjo kohë që na kujton periudhën e Millosheviqit. Unë do të marr vetëm një shembull, nëse flasim shumë hapur, nëse flasim shumë qetë, ka një shkak për pajtim, por nëse bëjmë politikë dhe retorikë, jo. Do të marr një shembull. Çuni im ka lindur në Gjermani. 2 vite më parë më ka bërë një pyetje shumë thelbësore: të shkoj në Beograd?
Unë i kam thënë po, edhe pse kam qenë i burgosur në periudhën e Millosheviqit, i kam thënë shko. Unë nuk mund të shkoj. Pas dy muajve ka ndodhur ndeshja Serbi-Shqipëri edhe pyetja e tij ka qenë: “Babë, pse bërtasin 60 mijë vetë në stadiumin e Beogradit: Vrisni shqiptarët?” Jam përpjekur t’i them që ka qenë lufta, ka qenë edhe gjëra të tjera dikur.
Ambasadori i Kosovës Ukshini vijoj duke u shprehur se “Zaiq, kolegu im, e tha se në Serbi nuk ka parti nacionaliste. Për hir të dialogut dhe stabilitetit, si dhe për hir të fqinjësisë së mirë, ne e dimë që të dy Daçiq dhe Vuçiq kanë qenë në qeverinë e Millosheviqit. Ne e dimë që kanë qenë të qytet në qeverinë e Serbisë. Ne e dimë gjithashtu që Vuçiq në Kosovë tha se burrështetasi më i madh i Serbisë ka qenë Millosheviqi. Atëherë për mua kjo është një sinjal shumë i gabuar dhe marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk mund të normalizohen, pa u normalizuar raportet me Kosovës”, – përfundoi ambasadori.
Krasniqi: Ne në asnjë moment nuk kemi dashur të bëjmë një dialog paralel, as në Beograd dhe as sot në Tiranë
Drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqipare (ATSH), Armela Krasniqi sqaroi se qëllimi i konferencës së organizuar në Tiranë, nuk ka si qëllim krijimin e një dialog paralel, as kur konferenca u mbajt në Beograd dhe as sot në Tiranë.
Krasniqi vijoi më tej, duke theksuar se konferenca e realizuar sot në Tiranë ka si qëllim që gazetarët e të dy shteteve të raportojë saktë, duke mos u bërë partizanë vetëm të njërës palë.
“Zoti ambasador, meqenëse e kemi nisur së bashku këtë bisedë, përsa i përket temës së konferencës që përfshin shqiptarët dhe serbët, ne nuk kemi pretenduar për asnjë moment që të mbivendosim pikërisht atë çfarë po ndodh në Bruksel, duke dashur që të respektojmë plotësisht mediet e Kosovës, qeverinë e Kosovës. Ne në asnjë moment nuk kemi dashur të bëjmë një dialog paralel, as në Beograd dhe as sot në Tiranë, sepse ne si media mendojmë dhe vlerësojmë, pasi ne jemi drejtuese mediesh dhe jo politikane, kemi vendosur që të hapim një debat në mënyrë që në radhë të parë komuniteti i gazetarëve brenda vetes, të njohë gazetarin serb. Ai, reporteri i thjeshtë që shkon në terren dhe raporton mbi këto ngjarje, të ketë informacion të plotë nga të dyja palët, të njohë pretendimet e të dyja palëve dhe të mos jetë partizan i njërës palë, por të jetë një raportues i ftohtë mbi atë çfarë ai shikon”.
Drejtoresha e ATSH-së, theksoi se “ne në asnjë moment nuk kemi dashur të shmangim, as gazetarin e Kosovës, as gazetarin shqiptar të Malit të Zi, apo gazetarin shqiptar të Maqedonisë. Por synimi ynë se përse u bë dhe u vendos që të bëhet ky projekt, ka qenë për të shkrirë disa akuj dhe për të mos pasur aq shumë mllef dhe dezinformim në Shqipëri dhe në Serbi. Patjetër që nuk diskutohet që çështja e Kosovës është aty, por Shqipëria nuk do të flasë për Kosovën, nuk do të flasë në emër të Kosovës, Shqipëria ka të drejtë të flasë për Kosovën. Kjo është ajo çka ne kemi dashur me shumë elegancë që të mos bëjmë të njëjtën gjë që bëhet në Bruksel ta bëjmë edhe ne këtu, pasi vendimmarrja do të jetë mes vendimmarrësve në Bruksel.
Dukiç: Roli i medias duhet të jetë i vërtetë
Drejtoresha e Agjencisë zyrtare të lajmeve të Serbisë, Tanjug, Branka Dukic gjatë konferencës theksoi se mesazhi dhe raportimet që mediet transmetojnë duhet të jenë të vërteta.
“Unë reagova përsa i takon rolit të medias dhe zotëria përmendi atë raportin e medias përsa i takon adresimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Unë jam dakord me kolegen, ajo e di se çfarë shpreh dhe ky është raportimi i medias që duhet të jetë i vërtetë. Presidenti serb, Vuçiç u shpreh se Millosheviçi ishte një udhëheqës i mirë në kohën e tij. Nëse ne themi diçka duhet të jemi të vërtetë dhe ky mesazh ishte i qartë që i referohej kohës së tij. Gjëja e dytë që unë do të thosha është që, të gjithë mediet, politikanët, ekspertët, NGO që kur bëjnë gjykime për rolin e kësaj, qoftë në Serbi apo në Shqipëri, duhet së pari, të jenë të familjarizuar me mënyrën se si operon media dhe në raportimet e përditshme nuk do ta besonin që “Tanjugu” ka këtë pikëpamje.
Drejtoresha e “Tanjug” u shpreh se, “kemi 10 raporte nga Prishtina ku nuk ka asnjë koment dhe ne thjesht raportojmë ato mesazhe të politikanëve siç është Thaçi, Haradinaj etj. Sikurse ne raportojmë në media deklaratat e politikanëve të rangut të dytë, kështu që kur flasim për rolin e medies, ne duhet të kemi parasysh faktin që media e shikon rolin e saj në mënyrë të ndryshme (pozitive), sikurse ATA dhe TANJUG dallojnë në mënyrë pozitive ndaj të tjerëve. Nëse unë ju them që unë kam qenë e burgosur gjatë kohës së regjimit të Millosheviçit, kjo do ta bënte pozicionin tim më të ndryshëm? Jo. A do ta ndryshojë mënyrën se si ne shikojmë njëri-tjetrin? Po tregoj thjeshtë që ka një perspektivë të ndryshme nga ana e pikëpamjes. Le t’i shmangim ato historitë personale, le t’i shmangim tregimet që do na përfshijnë në emocione të cilat nuk na çojnë asgjëkund.