Arbëri

UBT-ja zbaton kosto shtesë për rindjekjen e lëndëve, protestojnë studentët

Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë (UBT) ka marrë vendim që studentët, të cilët janë të detyruar që të rindjekin një lëndë, të paguajnë kosto shtesë për secilën kredi të saj. Kostoja për kredi është vendosur të jetë nga 20 deri në 60 euro. Për këtë vendim, gjatë së enjtes, studentët kanë protestuar para kolegjit

Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë ka marrë vendim që studentët të cilët duhet të rindjekin një lëndë të paguajnë kosto shtesë, përveç atij të vitit akademik.

Me anë të një vendimi, nga 5 nëntori UBT-ja ka vendosur që shuma e pagesës të jetë nga 20 deri në 66 euro për një kredi të lëndës, ndërsa për një lëndë janë tri e më tepër kredi.

Kësisoj, shuma përcaktohet në bazë të çmimit të studimeve.

Vendimi është mbështetur në statutin e UBT-së dhe në nenin 22 të Rregullores për Studime Themelore, ku thuhet se studenti që nuk i plotëson detyrimet kundrejt lëndës gjatë vitit të regjistruar akademik, është i obliguar që ta ridëgjojë lëndën. Por, studentët e degës së Arkitekturës, të enjten, këtë vendim e kanë kundërshtuar me protestë.

“Sot jemi mbledhur për t’i shprehur pakënaqësitë rreth pagesave të reja që ka ofruar UBT-ja. Pagesat kanë të bëjnë me përsëritjen e lëndëve dhe çmimi është nga 20 euro deri në 60 euro për një kredi, asnjë lëndë nuk ekziston nën tri kredi”, ka thënë Doresa Demiri, studente e UBT-së.

Kundër vendimit është shprehur edhe Blerta Karaxhozi, e cila ka thënë se shuma është e papërballueshme në kohë pandemie.

“Jemi kundër ligjit të pagesës që është shumë i papërballueshëm për ne, sidomos në këtë krizë ekonomike gjatë pandemisë”, ka deklaruar ajo.

Studentëve në protestë nuk u doli jashtë asnjë prej përfaqësuesve të kolegjit UBT. Por, në një deklaratë për KOHËN, sekretari Artan Tahiri mes të tjerash ka thënë se kostoja është minimale dhe është bërë me qëllim që t’i disiplinojnë studentët për t’i përcjellë me rregull ligjëratat. “Është caktuar një shumë minimale me të cilën ne kemi menduar vetëm në aspektin e disiplinimit dhe marrjen seriozisht të kësaj çështjeje ngase kostoja për organizimin e atyre lëndëve marrë parasysh organizimin e stafit ekstra dhe marrë parasysh infrastrukturën ekstra dhe pjesët përbërëse të saj është shumë e lartë. Në këtë formë kjo është bërë vetëm me qëllim të disiplinimit të tyre për ardhjen me rregull në ligjërata, të cilat për ata është ofruar, por ata nuk kanë ardhur për t’i dëgjuar”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se pavarësisht protestës e takimeve me studentët, Komisioni për ankesa i UBT-së deri më tash nuk ka pranuar asnjë ankesë me shkrim prej tyre. Mirëpo, studentët kanë thënë se ankesat i kanë drejtuar nëpërmjet emailave, të cilat janë injoruar.

“Ne jemi ankuar përmes përfaqësueses së studentëve, e cila me një mbledhje ka shprehur pakënaqësinë tonë, por këto ankesa kanë qenë pa rezultat. Por, përpos kësaj ne edhe kemi dërguar secilin student individualisht ku një numër i madh i emailave janë injoruar”, ka thënë studentja tjetër, Erjona Kadriu.

Studentët që po e kërkojnë heqjen e kësaj kostoje shprehën të shqetësuar se mund të suspendohen nga universiteti në shenjë hakmarrjeje për organizim të protestave. Por, në deklaratën për KOHËN, Tahiri ka mohuar se mund të veprojnë në këtë mënyrë.

“Absolutisht nuk hakmerremi, ne veprojmë në bazë të rregullave institucionale për secilin rast në mënyrë të veçantë”, ka deklaruar ai.

Për t’u ankuar studentët kanë kohë 30 ditë që nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, në të cilin mes të tjerash thuhet se ankesat nuk kanë ndikim në implementimin e tij.