Janë 20 qen endacakë që janë trajtuar dhe po presin shërimin e tyre për t’u liruar përsëri në vendin ku janë marrë.
Paraprakisht merren në terren, pastaj kontrollohen, kastrohen dhe sterilizohen.
Në ditën e kthimit në rrugë ata marrin edhe vaksinën kundër tërbimit. E gjithë kjo procedurë për një qen kushton rreth 65 euro.
Kjo është puna që e bën veterinari Shefki Ajdini, kompania e të cilit “Veterina 1” për të treten herë me radhë e ka fituar tenderin për trajtimin e qenve endacakë.
Sipas Ajdinit, 500 është numri i qenve që janë trajtuar gjatë këtij sezoni. Ka mbetur edhe trajtimi i 200-ve deri në përfundimin e kontratës që ka me Komunën e Prishtinës.
“Unë i kisha lutur qytetarët që t’u shmangën rrugëve të pafrekuentuara apo kur të shohin se ka qen në atje pjesë të shmangin atë rrugë, sepse mund të kenë pasoja, sa të kenë mundësi të shmangen. Mediat të bëjnë më shumë një kampanjë në vetëdijesimin e qytetarëve për qentë endacakë, që të kenë njohuri pak më shumë sesa tani”, thotë Ajdini.
Ajdini e konfirmon që më shumë janë marrë me qentë në qendër e më pak me ata në periferi.
“Kastrimi dhe sterilizimi i qenve e zbut apo e ul nivelin e hormoneve, por nuk mund të përcaktojmë nëse janë të rrezikshëm, ka raste që mund të ndodhin por dukshëm janë më të qetë. Vaksinimi është kundër tërbimit, i mbron nga sëmundja e RBS. Më shumë jemi marrë me qendrën, sepse më shumë janë nga lagjet e Prishtinës dhe ne intervenojmë aty ku janë kërkesat e qytetarëve. Kur shfaqin shenja agresive ne e kemi të lejuar edhe me ligj që ata qen që janë potencialë agresivë dhe nuk bashkëpunojë me qendrën tonë jemi të detyruar t’i vendosim në gjumë të përhershëm. Qentë që shfaqin shenja agresive jemi të detyruar të mos i lëshojmë në qytet, sepse dihet se çfarë mund të ndodhë. Deri më tani i kemi vendosur në gjumë të përhershëm 7 qen”, tha Ajdini.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka një vit që nuk merret me qentë endacakë, pasi zgjidhja e problemit të qenve endacakë është kthyer te komunat e Kosovës.
Drejtori i Departamentit të Shëndetit të Kafshëve në AUV, Sadik Heta, thotë se gjatë kohës që janë marrë me qentë endacakë kanë trajtuar 20 mijë prej tyre në nivel vendi. Ndërsa tani AUV-i bën monitorimin e komunave mbi këtë çështje.
“Të gjitha komunat duhet të marrin seriozisht këtë punë, sepse nëse ka lëvizje është një punë koti nëse merret vetëm Prishtina, sepse ata lëvizin nga një komunë në komunën tjetër. Qëllimi i projekteve është ndalimi i shumimit të qenve endacakë. Nëse merret seriozisht mendoj që problematika e qenve endacakë do të zgjidhet në një afat prej 5-10 vjet”, deklaroi Heta.
Sipas tij, duhet të identifikohen qentë me pronarë pasi ata janë baza e shumimit.
“Ne si agjenci kemi filluar kohëve të fundit projektin për identifikimin e qenve me pronarë. Siç e dimë ne, si bazë e shumimit të qenve janë ata që kanë pronarë. Duke pasur parasysh që shumë njerëz të pandërgjegjshëm i lëshojnë qentë nga shtëpia dhe i braktisin, dhe nëse lëshohet ne do e dimë se nga vjen apo i cilit pronar është. Në këtë mënyrë të merren masat apo sanksione me ligjin në fuqi”, tha Heta.
Driton Gucia, nga grupi “Të bashkuar për kafshët”, thotë se qentë endacakë janë shumë të socializuar. Ai ua hedh fajin qytetarëve që po grumbullojnë kafshë e pastaj ata po i lirojnë në rrugë. Përderisa thotë se duhet të monitorohen edhe veterinarët që po i trajtojnë qentë endacakë.
“Kemi adresuar me emra e me adresa konkrete ku keqtrajtohen qentë apo bëjnë luftëra, por policia deri më tani nuk i ka marrë seriozisht këto raste. Duhet të ketë më shumë monitorim në veterinarë, sepse ka ndodhur kur ka pasur shkelje, por nuk janë sanksionuar”, thotë Gucia.
Edhe udhëheqësi i sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri, fajëson qytetarët që për përfitime të veta po adaptojnë kafshë dhe në momentin që nuk po mund t’i mbajnë po i lëshojnë në qytet.
Ai tregon për një rast në fshatin Mramor.
“Ka strehuar kafshë pa leje. Ka grumbulluar qen, ka marrë fonde. Hedhja e gjithë atij numri në rrugë është problem, prandaj jemi duke e trajtuar këtë rast. Do të shohim si do ta zgjidhim këtë problem. Janë bërë dy vizita tek ajo strehimore, po them kushtimisht. Këto janë probleme, sepse njerëz të pandërgjegjshëm bëjnë strehimore pa leje”, tha Qorri.
Për shkak të mosfunksionimit të OSHP-së, Qorri thotë se janë duke shqyrtuar mundësinë se si të vazhdohet me kontrata të reja për trajtimin e qenve endacakë pa pasur vonesa.
“Që vitin e kaluar kemi proceduar në prokurim, e cila është ende në prokurim dhe ka ende një vlerë të tillë. Po shpresojmë që OSHP të fillojë punën dhe të kthehen ato lëndë në procedurë. Komuna e Prishtinës për dallim prej të gjitha komunave të tjera e ka trajtuar këtë problem dhe do të vazhdojë përsëri. Përderisa kemi ankesa të shpeshta të sulmeve, ne si komunë nuk mund të rrimë dhe do t’i trajtojmë. Do ta shohim mundësinë si të vazhdojmë, për këtë është nxjerrë vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Qorri.
Qytetarët mendojnë se po bëhet pak për trajtimin e tyre.
Ndryshe, sulmet e qenve endacakë po vazhdojnë. Vetëm gjatë javës së kaluar janë raportuar disa raste të tilla.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës është duke zhvilluar procedurat finale për ndërtimin e qendrës së përkohshme për trajtimin e qenve endacakë në Hajvali.