Arbëri

“Trafiku urban”, diskriminues në ndarje të linjave

Stacionet janë të mbushura me qytetarë.

Shumë prej tyre po presin autobusët e “Trafikut Urban”.

Përderisa autobusi me linjën 4 vjen çdo 5 minuta, janë autobusët e linjës 3 të cilët vijnë shumë më rrallë.

Çdo 15 minuta e ka orarin autobusi i cili operon prej Bardhoshit, nëpër lagjen “Kodra e Trimave”, e deri në lagjen “Mati 1”.

Por pritja për qytetarët shpeshherë po është edhe më e gjatë se këto.

Madje, edhe kur vijnë autobusët, ata janë të stërmbushur, pasi numri i banorëve në këto lagje konsiderohet të jetë mjaft i madh.

Për këtë ankohen qytetarët.

Sipas tyre, është kohë kur nxënësit përfundojnë orët mësimore dhe kur përfundohet orari i punës, që bëhet tollovi shumë e madhe.

Gjatë kësaj kohe, tollovi e madhe po bëhet edhe në linjën 4, e cila operon më shumë.

“Trafiku Urban” nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në lidhje me vonesat e autobusëve të saj. Ata kanë thënë se kanë qenë shumë të zërë këto ditë dhe ka qenë e pamundur të kthehet ndonjë përgjigje.

Ndërsa, nga Komuna e Prishtinës thonë se zgjidhja e problematikës së linjës së transportit do të bëhet me riorganizimin e saj.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, pranon se linjat brenda qytetit nuk janë mirë të organizuara.

“Do të bëhet rimodelimi dhe riorganimi i të gjitha linjave. Të mos harrojmë që jo të gjitha linjat janë të organizuara në mënyrën më të mirë të mundshme, por mos të harrojmë që edhe pjesa periferike rurale nuk është e përfshirë në transport publik dhe ne çdo ditë kemi kërkesa për linja, por edhe në ato zona që kemi nuk është që është më së miri e organizuar”, tha Musliu.

Sipas Musliut, me ardhjen e autobusëve të rinj, do ketë një implementim të duhur të mobilitetit.

“Qëllimi është të impelentojmë, e ai thotë që duhet të jenë 161 autobusë për t’i plotësuar nevojat e kryeqytetit. Prej këtyre 161, 81 parashihet të jenë në kuadër të “Trafikut Urban”, 80 mendohet për të qenë në sektorin privat. Pjesa tjetër tash fillon procedura dhe mbyllet pjesa e “Trafikut Urban” me 81 autobusë. Po mendojmë të kemi kërkesë edhe për flotën e re, ku përveç autobusëve elektrikë, do të kemi edhe minibus, pasi kërkesat që kemi marrë, formati që ka autobusi normal nuk është i përshtatshëm për zonat rurale”, tha Musliu.

Ndryshe, paralelisht me këtë, Komuna e Prishtinës ka filluar edhe me ndërrimin e pritoreve. Megjithëse janë vendosur në vitin 2020, tani pritoret e vendosura nëpër qendër të Prishtinës po ndërrohen me një model tjetër.