Viti i pandemisë, por edhe i skandaleve. Ky është epiteti me të cilin më miri mund ta përkufizojmë vitin 2020. Krahas shumë sfidave me të cilat qytetarët janë përballur gjatë 2020-s, si pasojë e pandemisë, mbi supe ata kanë bartur edhe me dhjetëra veprime e deklarata skandaloze të zyrtarëve shtetërorë.
Është vështirë të matet se cili ishte skandali më i madh, por janë disa që sigurisht se do të përfundonin në çdo listë të ngjashme.
Në vijim, ja lista e KOHËS.
Vjedhja e 2.1-milionëshit
Po e nisim renditjen tonë të skandaleve me vjedhjen e vitit. Ndonëse gjatë 2020-s sigurisht se ka pasur dhjetëra apo më shumë vjedhje, pa dyshim se një është më e madhja, së paku prej atyre që janë bërë publike dhe janë pranuar edhe zyrtarisht. 2.1 milionë. Kaq është shuma që për pak minuta është avulluar nga xhepi i shtetit.
Ditën që u raportua për vjedhjen në Thesar, e para e Financave tha se pavarësisht skandalit, paratë e shtetit janë të sigurta.
Por, mungesa e 2.1 milionëve në buxhet është vërejtur tek pas shtatë ditësh. Hetimi për këtë rast është iniciuar pasi një zyrtar në Ministrinë e Infrastrukturës ka vërejtur që kanë 2 milionë euro më pak buxhet në linjën e tyre, ndonëse gjatë kësaj kohe nuk kanë bërë ndonjë pagesë.
Vjedhja e kasafortave
Por, vjedhjet nuk përfunduan me kaq. Në mesnatën e së mërkurës, kur është bërë e ditur se 2.1 milionë janë vjedhur nga një zyrtar i Thesarit të shtetit, në institucionet e Kosovës është kryer edhe një vjedhje. Nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit është vjedhur kasaforta rreth 300 kilogramësh.
Ndonëse kishin për detyrën sigurimin e objektit, policët nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi deri të enjten kur zyrtarët kanë filluar orarin e punës dhe nuk e kanë parë arkën.
Shuarja e Task-Forcës
Por, siç ka thënë edhe kryeministri Avdullah Hoti, “nuk keni parë gjë akoma”.
Përmes një vendimi, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Hoti, ia mori mandatin Task-Forcës, e cila ndër të tjera kishte nisur hetime kundër bashkëpartiakëve të kabinetit qeverisës. Ky institucion, i themeluar rreth 10 vjet më parë, merrej vetëm me ato raste që cilësoheshin të profilit të lartë.
10 vjet pas formimit të saj, kryeministri Avdullah Hoti, i cili gjatë këtyre viteve ka qenë disa herë pjesë e ekzekutivit, kuptoi se vendimi ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Akomodimi në ambasada
Kështu, kreu i Qeverisë nuk tha edhe për vendimet që mori anëtarja e kabinetit të tij, shefja e diplomacisë, Meliza Haradinaj.
Një muaj pas formimit të qeverisë, në korrik të 2020-s, Ministria e Punëve të Jashtme ia dha gradën më të lartë të shërbimin diplomatik, atë të ambasadorit, vëllait të ministrit të LDK-së. Pas marrjes së titullit, menjëherë është propozuar përfaqësues i Republikës së Kosovës për vendet e Bashkimit Evropian (BE), nëpërmjet misionit diplomatik të Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, me seli në Bruksel.
Por, Haradinaj nuk ka lënë anash bashkëpartiakë e familjarë të tyre. Pak muaj nga emërimi i vëllait të ministrit Zemaj, garës për t’u bërë diplomate iu futën edhe zonja e parë e AAK-së, Anita Haradinaj, si dhe ish-deputetet e PSD-së, partisë me të cilën AAK-ja ishte në koalicion parazgjedhor, Shqipe Pantina e Aida Dërguti.
Gjatë qeverisjes së Haradinajt keq nuk mbetën edhe familjarët e zyrtarëve të PDK-së. Por, për rehatimin e tyre kishte kujdes të veçantë. Kjo pasi për emërimin e tyre është marrë personalisht ish-kreu i shtetit, Hashim Thaçi.
Në fund të muajit shtator, presidenti Hashim Thaçi ka riemëruar Tefta Kelmendi-Merran përfaqësuese të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Tefta është e bija e Migjen Kelmendit, publicistit që në prag të zgjedhjeve nacionale të vitit të shkuar i është bashkëngjitur Partisë Demokratike. Deri në marrjen e udhëheqjes së shtetit kjo parti është drejtuar nga Thaçi.
Por, këto rehatime nëpër ambasada nuk mbarojnë me kaq.
Vota e mesnatës
Ndër skandalet e zbuluara nga KOHA është ai i emërimit të djalit të deputetit Haxhi Shala në pozitë. Kjo për shkak se zbardhi pazarin e bërë për t’u votuar qeveria Hoti. Vota e Shalës ishte vendimtarja.
Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala, djali i deputetit të Nismës, tash pjesë e AAK-së, Haxhi Shala, është shpërblyer me pozitën e konsullit të përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë.
Emërimi i Flakron Shalës në këtë pozitë doli të jetë shpërblimi që presidenti Hashim Thaçi e kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia bënë babait të tij, deputetit Haxhi Shala, për ndërrimin e mendimit për formimin e qeverisë së udhëhequr nga Hoti.
Edhe pse deri pak orë para seancës në të cilën u votua qeveria Hoti, deputeti i Nismës në atë kohë ishte kundër formimit të saj, vota e tij u bë vendimtarja.
Shala vendosi ta ndryshojë qëndrimin e tij kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, pasi një ditë më parë, në mes të natës në shtëpinë e tij, “krejt rastësisht” e vizituan kreu i shtetit Hashim Thaçi, e një nga anëtarët e koalicionit qeverisës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
E kontributin e tyre në ndryshimin e votës së Shalës nuk e mohuan as kreu i shtetit, e as kryetari i AAK-së.
Thirrja për rezistencë
E kaq i mirë sa me qeverinë e udhëhequr Avdullah Hoti, presidenti Hashim Thaçi nuk u tregua me atë të Albin Kurtit, pjesë e së cilës ishte edhe LDK-ja.
Gjatë qeverisjes së Kurtit, bashkëpunimi Qeveri-Presidencë ishte në nivelin më të ulët. Përveçse nuk arrinin të koordinoheshin për çështjet si dialogu e të ngjashme, kryeministri Kurti e presidenti Hashim Thaçi zhvillonin një luftë mes vete.
Rivaliteti mes tyre nuk fshihej asnjëherë.
Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, madje, synonte t’i vinte kundër Kurtit dhe udhëheqjes së tij institucionet e tjera shtetërore e qytetarët.
Thaçi kërkoi nga ta që të mos respektojnë vendimet e marra nga Kurti, me arsyetimin se të njëjtat ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
Mëshira e ish-presidentit
Zemërgjerësia e ish-presidentit gjatë vitit i shkaktoi probleme në fund. Një ditë para se të japë dorëheqje, përmes një dekreti, fali dënimin ndaj pesë të burgosurve, dy prej të cilëve të akuzuar për rastin Bllaca. Shpresim Ukës, Thaçi ia fali 4 vjet, kurse Bekim Sylës 3 vjet e gjysmë.
Përkundër rekomandimit të Komisionit, Thaçi vendosi që dy të dënuarve në rastin Bllaca t’ua falë më shumë vite të dënimit.
Ky veprim i Thaçit, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është konsideruar arsye e mjaftueshme që ai të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.
Faljen e të dënuarve Thaçi e bëri edhe më herët gjatë vitit. Në mesin e gjashtë të dënuarve që presidenti Thaçi ua fali një pjesë të dënimit në fund të muajit korrik ishte edhe Luz Allaku. Ai ka qenë i dënuar për vrasjen e 13-vjeçarit Pal Hili, e xhaxhait të tij 47-vjeçar Hil Hili.
Por, i dënuari për vrasjen e dy personave e të cilit presidenti ia ka falur 3 vjet e gjysmë të dënimit, nga 15 vjet në total sa ishte dënuar, është dëshmitar në procesin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
(Mos)njohja nga Xhamajka
Por, skandalet e presidentit nuk janë ndalur gjatë gjithë vitit. Përkundër se ishte i ashpër në reagimet lidhur me lajmet që i konsideronte të rrejshme, Thaçi u bë pjesë e shpërndarjes së tyre.
Presidenti i vendit ishte i pari që bëri të ditur se Xhamajka e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, përkundër se ambasadorja Vlora Çitaku kishte rekomanduar të mos publikohej lajmi pa e siguruar paraprakisht notën verbale.
Por, një gjë e tillë nuk është përfillur dhe urimet e krerëve të institucioneve vërshuan rrjetet sociale. Një ditë më pas, kreu i shtetit u demantua.
E me t’u shpërndarë lajmi nga presidenti Hashim Thaçi, në aksion u vunë autoritetet serbe të cilat e stopuan të gjithë procesin.
“Linjat sekrete”
Derisa për njohjen nga Xhamajka së paku kishte një komunikim mes institucioneve, një i tillë ka munguar në shkurt të 2020-s. Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, pa dijeninë e askujt, por në shoqërimin e presidentit Hashim Thaçi e të emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nënshkruan disa marrëveshje. Për nënshkrimin e tyre nuk dinin gjë as kryeministri Albin Kurti, as kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Marrëveshja për autostrada dhe hekurudha u nënshkrua në Mynih më 14 shkurt.
Përmes letrave të shprehjes së interesit për autostrada dhe hekurudha, të dy vendet shprehën gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.
Presioni i 4 shtatorit
E fundit, por jo edhe më pak e rëndësishmja, është dita e 4 shtatorit, nënshkrimi i Marrëveshjes në Washington. Për në Amerikë udhëtuan dhjetëra zyrtarë, por jo të gjithë ishin në një vijë të qëndrimeve. Nga Kosova dikush dirigjonte një pjesë të tyre, e të cilët i shkaktuan jo edhe pak telashe pjesës tjetër të delegacionit.
Delegacioni ishte gati për t’u nisur, por mospajtimet mes tyre bënë që në Shtëpinë e Bardhë të mos arrijnë në kohën e caktuar.
Kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, kërcënoi duke thwnw se wshtw kundër marrëveshjeve ku Serbia është palë karshi Kosovës. Ai th se nëse në marrëveshje përfshihet Ujmani do të largohet nga koalicioni.
Megjithatë në takimin e të ndërmjetësuar nga vetë presidenti amerikan, përveçqë janë pajtuar të përfshijnë në marrëveshje dhe Ujmanin, kanë hequr dorë edhe nga kërkesa e vazhdueshme për njohjen e Kosovës nga Serbia.
Përveç presionit amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës u bë edhe Liqeni i Ujmanit, kryeministri Avdullah Hoti nuk u bëri ballë as shakave të tyre. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, në formë shakaje, propozoi që ky liqen të mbajë emrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Shakaja e Grenellit u mor seriozisht nga kryeministri Hoti i cili tha se me emërimin e liqenit nga i Ujmanit në Trump do të vazhdonin traditën shqiptare për t’i nderuar miqtë.
E më të shpejtë se qeveria e kreu i saj ishin disa qytetarë të cilët shpërndanë fotografi me emrin e ri të liqenit.
Vjedhjet, shuarja e njësive kundër-korruptive, akomodimi në shërbime të jashtme, moskoordinimi institucional e marrëveshjet e arritura, shpresojmë të jenë skandalet e vetme të vitit që e lëmë pas, e të atij që po e nisim.