Arbëri

Thaçi i ka premtuar NATO-s më 2013 se s’do të hyjë me Ushtri në veri

Foto: Alban Bujari

Në Bruksel ka nisur të mërkurën takimi i ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, në të cilin kësaj radhe, për herë të parë në nivel ministror, marrin pjesë 30 shtete, meqë edhe Republika e Maqedonisë Veriore, e cila javën e shkuar ka nënshkruar Protokollin e anëtarësimit, merr pjesë në cilësinë e të ftuarit, por pa të drejtë vote derisa të përmbyllet procesi i ratifikimit të këtij protokolli.

Pas përfundimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleatët, në krye me SHBA-në, janë shumë të shqetësuar për taksën e vënë nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës dhe e shohin atë si pengesë për dialogun me Beogradin, raporton KTV.

“Më duhet të them se vendosja e tarifave të larta ndaj Serbisë dhe Bosnjës nuk ndihmon në asnjë mënyrë. Në fakt, e vështirëson shumë dialogun me Beogradin. Këto tarifa po e dërgojnë procesin në drejtim të gabuar. Kjo është diçka që unë dhe shumë aleatë të NATO-s e mendojmë. Tani e kemi parë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë të qarta kundër vendosjes së kësaj tarife. Kjo është edhe një arsye pse tani do të marrim vendim për nivelin e angazhimit me Kosovën”, ka thënë Stoltenberg në konferencën e fundit të samitit.

Shefi i NATO-s sërish i është referuar marrëveshjes së Brukselit për të thënë se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri, por nuk ka pranuar të flasë nëse kjo është për shkak të një letre që ish-kryeministri Thaçi ia kishte dërguar ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasumssen, ku i garantonte se nuk do ta dërgojë forcën në veri.

Por “Marrëveshja e Brukselit” e vitit 2013 nuk e përmend fare FSK-në. Ajo flet për integrimin e forcave të sigurisë në atë pjesë të Kosovës në sistemin e Kosovës, por jo edhe për FSK-në.

Në një pyetje direkte ditën e djeshme nga “Koha Ditore” se a ka diku në Marrëveshjen e Brukselit referenca për angazhimet e FSK-së në veri të Kosovës, vetëm kemi marrë përgjigjen se “Marrëveshja e Brukselit e arritur në prill të vitit 2013 flet për integrimin e strukturave të sigurisë në Kosovë dhe për obligimet e palëve nga kjo”.

“Bashkimi Evropian pret nga Kosova që të vazhdojë të përmbushë obligimet sipas aranzhimeve të sigurisë dhe karshi pranisë ndërkombëtare ushtarake”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Kur ishte arritur Marrëveshja e Brukselit pala serbe, para se të vinte inicialet në të (Marrëveshja nuk është nënshkruar asnjëherë, por në të vetëm kanë vënë inicialet kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq), kishte kërkuar garanci të NATO-s. Pasi NATO-ja nuk ishte pjesë e dialogut, sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kishte marrë garanci gojore nga autoritetet e Kosovës se njësitë e FSK-së nuk do të dërgohen në veri “pa pajtimin e KFOR-it, dhe nëse një gjë e tillë do të shkaktonte shqetësim të popullatës lokale”.

Tash burimet diplomatike thonë se zotimi që të mos dërgohet FSK-ja në veri është bërë me një letër nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi dërguar NATO-s.

Nga Qeveria e Serbisë ka pasur në disa raste tentime që të krijojnë përshtypjen se ekziston një marrëveshje që asnjë njësi, as policore e as ushtarake, e Kosovës të mos dërgohet në veri. Madje këtë ish- kryeministri i atëhershëm dhe ministër i tashëm i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e interpretonte si “obligim që çizmja shqiptare të mos e shkelë veriun”. Për këtë nga Serbia më së shpeshti është folur kur ka pasur ndonjë aksion policor në veri të njësisë speciale ROSU. Nga burimet diplomatike edhe në NATO, edhe në BE ishte thënë shpesh se obligimet për të mos dërguar njësi në veri, pa pajtimin e KFOR-it, kanë të bëjnë vetëm me FSK-në e jo me Policinë e Kosovës.

Por Qeveria e Kosovës dhe FSK-ja asnjëherë në tërësi nuk e kanë sqaruar se çfarë marrëveshjeje ekziston për angazhimet eventuale në veri. Obligimi që të mos shkohet në veri mund të bjerë ndesh edhe me insistimin që FSK të jetë shumetnike dhe të ketë përgjegjësi në tërë territorin e vendit.

Tash kjo temë është rishfaqur pasi NATO-ja është duke shqyrtuar nivelin e angazhimit me DSK-në pas vendimit për transformimin e saj në Ushtri të Kosovës, vendim që ka irrituar një varg shtetesh të NATO-s, ndërsa ka hasur në mbështetje të disa shteteve të tjera, që dëshmon se në NATO nuk ka pajtim për këtë çështje.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, ka përsëritur se NATO-ja do të mbetet në Kosovë me misionin e KFOR-it, i cili është i bazuar mbi mandatin e OKB-së. Ka shtuar se prania e KFOR-it në Kosovë ka qenë e rëndësishme për stabilitetin e rajonit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka thënë se do të rishqyrtohen aktivitetet e NATO-s jashtë misionit të KFOR-it, me çka mendon në nivelin e angazhimit të NATO-s në projektet që ka me FSK-në. Ky nivel i angazhimit do të rishqyrtohet pasi disa aleatë e kanë konsideruar vendimin për transformimin e FSK-së si një veprim në kohë të gabuar.