Arbëri

Të huajt po e pastrojnë bërllokun e Prishtinës

Megjithëse të vegjël në moshë, po mbledhin mbeturina për t’i ndihmuar prindërit e tyre ta pastrojnë qytetin nga mbeturinat.

Megjithëse janë ndërkombëtarë ata po përkujdesën për Prishtinën, pasi tash e disa vjet është bërë shtëpia e tyre.

Jordan Silva së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij ka dy vjet që ka ardhur për të jetuar në Kosovë, ku edhe kanë hapur një kafene.

Duke qenë se vjen nga një vend me pastërti të lartë, Silvas po i pengon papastërtia e këtij qyteti. Në këtë mënyrë ai së bashku me familjen i është bashkuar iniciativës së organizatës “Serve dhe city”, në mënyrë që të kontribuojë për vendin të cilin ai thotë se i pëlqen shumë.

“Ne kemi dy fëmijë dhe neve na pëlqen që të shëtisim dhe është kënaqësi kur shëtit në një vend që është i pastër dhe që kujdesën për të. Ky mund të jetë një vend shumë më i mirë vetëm me pak punë. Po unë jam nga Montana, që është një vend shumë i bukur dhe i pastër dhe jemi kujdesur në këtë aspekt, ndërsa tani shtëpia jonë e re dhe duam të kujdesemi edhe për Prishtinën”, tha Silva.

E kur e do një vend, sipas tij, duhet të kujdesesh për të.

“Ky është një shtet i ri, janë njerëzit e rinj që po mësojnë se çka do të thotë të kesh shtetin tënd. Unë kam qenë një djalë i ri kur Kosova ishte në luftë dhe e kam parë që një shtet i ri po krijohet. Dhe për mua kur ke aq shumë gjëra që ke dhënë për këtë vend dhe janë dhënë shumë jetë e gjak për këtë vend, pra keni paguar mjaft shumë për ta pasur këtë shtet dhe duhet të kujdesesh për të”, tha ai.

Ka mbi një muaj që çdo të mërkurë në orën 18:00 fillon ky aksion.

Jay Benfante, nga organizata “Serve the City”, ka rreth 6 muaj që ka ardhur në Kosovë. Ai thotë se ky projekt ka ardhur si ide për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi të përfshihen në pastrimin e qytetit të tyre.

“Unë mendoj që kur dikush na sheh duke m arrë këtë aksion është një mundësi e mirë që të ndikojë tek ta, duke thënë, oh njerëzit duan ta bëjnë këtë vend më të mirë dhe në këtë mënyrë mund ta ndryshojnë mendimin që të përfshihen edhe të tjerët që të ndihmojnë për një qytet më të pastër. Gjithashtu duhet të mendohet që të ketë më shumë shporta të mbeturinave”, tha Benfante.

Sipas tij, në çdo javë po shtohet numri i vullnetarëve që po u ndihmojnë atyre. E nga këta, ka një interesim të madh të ndërkombëtarëve që tashmë jetojnë këtu.

“Jam shumë i gëzuar se gjysma e vullnetarëve janë të huaj dhe të tjerët kosovarë. Ne filluam me pak persona dhe po shihet se çdo herë e më shumë po shtohen vullnetarët që po vijnë për të ndihmuar. Për mu nuk është e rëndësishme të vijnë të huajt të ndihmojnë në këtë projekt, për mua është e rëndësishme të vetëdijesohen sa më shumë qytetarët që të kujdesën për vendin e tyre. Nuk dua t’u jap këshilla qytetarëve të Kosovës duke u bazuar në qytetin tim, sepse vendi prej nga vijë është ndryshe nga vendi i juaj, por dua të ftoj qytetarët të vijnë dhe të na bashkohen neve në këtë iniciativë. Pra vetëm një ftesë”, thotë Benfante.

Ky është edhe qëllimi i tij, përfshirja sa më e madhe e njerëzve në këtë iniciativë.

“Po planifikoj të qëndroj në Kosovë të paktën për 2 vjetët e ardhshëm, por ndoshta edhe më shumë, sepse vërtet jam i interesuar për Kosovën dhe për këtë regjion dhe mendoj se ka shumë gjëra të mira në këtë vend që njerëzit mund t’i shohin dhe nëse i pyesim të tjerët se çfarë mendojnë për Kosovën ose për Ballkanin, zakonisht thonë se njerëzit këtu janë të mrekullueshëm, njerëzit këtu janë të jashtëzakonshëm, kështu që po mundohem sa më shumë të bëj që këta njerëz të vijnë të më ndihmojnë që ta bëjnë më të mirë edhe qytetin e tyre”, tha ai.

E në këtë pastrim po ndihmon edhe Bledi Spaho, i cili vjen nga Tirana, po ka 5 vjet që jeton në Prishtinë.

Spaho thotë se qëllimi i tyre është të dërgojnë mesazhin qësecili qytetarë mund të ndihmojë për një Prishtinë pa mbeturina.

“Bashkë me “Serve the city” e kemi nisur bashkë këtë iniciativë, i kemi bashkuar forcat tona që të pastrojmë qytetin dhe lagjet tona. E rëndësishme është të japim një mesazh. Mesazhi është që secili prej nesh mund të bëjë një ndryshim, fillon duke pastruar ambientin tonë, përpara lokalit tonë, përpara banesës sonë dhe mesazhi tjetër është një ftesë për secilin me ardhur me marrë pjesë vullnetarisht në këtë iniciativë simbolike të thjeshtë për të bërë Prishtinën tonë më të pastër”, thotë Spaho.

Sipas tij, një problem i madh është se Prishtina ka mungesë të shportave për mbeturina.

“Shoh që janë në mungesë të koshave të plehrave, ndoshta njerëzit arsyetohen se s’kanë ku t’i hedhin dhe i gjuajnë në tokë, por mendoj që edhe njerëzit duhet të vetëdijesohen se nuk bën t’i hedhin në tokë mbeturinat, cigaret, mirë është të mbajmë në çantë dhe pastaj ta hedhim në vendin e duhur. Nëse e duam Prishtinën, duhet të kujdesemi për të, siç thotë edhe slogani jonë, kur e do diçka, kujdesesh për të”, thotë ai.

Si shpërblim për vullnetarët pas punës që bëjnë, Silva ofron pije falas në kafenenë e tij.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.