Arbëri

Të hënën, ministrat e jashtëm të BE-së diskutojnë edhe për Kosovën

Dialogu

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe situata e tensionuar në Bosnjë pritet të jenë në fokus të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, kur ta diskutojnë situatën në Ballkan, në takimin ndërmjet tyre të hënën në Bruksel. Mundësia që dialogu të sjellë rezultate, liberalizimi i vizave, e bashkëpunimi BE-SHBA janë përmendur në dokumentin që është përgatitur për këtë takim nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe situata e tensionuar në Bosnje e Hercegovinë pritet të jenë në fokus të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, kur të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor, në takimin e tyre që do të zhvillohet të hënën në Bruksel.

Ndonëse nga ky takim nuk priten rezultate konkrete, vetë zhvillimi i këtij diskutimi shihet si dëshmi për përkushtimin e Bashkimit Evropian për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon.

Sa i përket situatës në Kosovë, në një dokument që është përgatitur për këtë takim nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së, thuhet se ka pasur tensione në veri të Kosovës, por po ashtu përmendet si dëshmi se dialogu mund të prodhojë rezultate, fakti se është gjetur një zgjidhje për mospajtimet rreth targave të veturave.

Po ashtu është thënë se kjo ka dëshmuar se rezultatet janë të mundshme kur ka një angazhim të përbashkët, sidomos edhe koordinim me SHBA-në.

“Palët duhet të inkurajohen që të angazhohen në mënyrë konstruktive e të dëshmojnë rezultate pozitive, përfshirë marrëveshjet rajonale që lidhen me Tregun e Përbashkët Rajonal dhe të përmbahen nga veprimet unilaterale e retorika përçarëse sidomos kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës”, thuhet në dokumentin e përgatitur, që do të shërbejë si bazë për diskutim të ministrave të ashtëm në takimin e së hënës.

Edhe pse thuhet se është proces në vete, në këtë dokument nënvizohet se avancimi i diskutimeve për liberalizim të vizave për Kosovën do të kontribuonte po ashtu në përmirësimin e kredibilitetit të BE-së dhe do të jepte shtytje tjetër për progresin e Kosovës në rrugëtimin evropian.

Po ashtu thuhet se situata dhe atmosfera rreth dialogut mbetet sfiduese dhe s’ka pasur progres të mëtejmë muajve të fundit. nënvizohet se përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, me të dërguarin e posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë nevojë për mbështetje më të madhe të vendeve anëtare të BE-së, përfshirë edhe në kontakte me Prishtinën e Beogradin.

Po ashtu është thënë në disa raste se koordinimi dhe bashkëpunimi me SHBA-në është i domosdoshëm për të pasur sukses në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket situatës në Bosnje e Hercegovinë shprehet shqetësim për kthimin e retorikës nacionaliste nxitëse e sidomos për deklaratat që vënë në dyshim ekzistimin e shtetit, sovranitetin, integritetin terriotroial dhe unitetin e BeH-së. Prandaj hedhen poshtë deklarata të tilla.

Ka pasur ide që ministrat të diskutojnë për sanksionet e mundshme ndaj disa individëve në Ballkanin Perëndimor që shihen si pengesë, por thuhet se për momentin gjëra të tilla do të mbesin si ide të hapura, por jo në letër.

Vetëm një ditë pas diskutimeve të ministrave, në Bruksel pritet të zhvillohet një raund i ri i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve. Burimet e BE-së thonë se edhe në këtë takim do të diskutohet për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tash në dialog.