Zgjedhja e anëtarëve të organit kryesor qeverisës të Universitetit të Prishtinës u përcoll me kritika nga shoqëria civile. Kritika pati edhe nga kandidatët që nuk arritën të bëhen pjesë e Këshillit Drejtues. Mentor Sopjani, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, thotë se garoi vetëm për të dëshmuar se zgjedhjet brenda Universitetit janë të politizuara dhe nuk bazohen në meritokraci. Sipas tij, kjo u dëshmua
Mentor Sopjani, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, garoi për pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, por nuk mori asnjë votë.
Sopjani tha se garoi vetëm për të dëshmuar se zgjedhjet brenda Universitetit janë të politizuara dhe nuk bazohen në meritokraci.
Sipas tij, nëse do të vlerësohej puna akademike dhe shkencore e një kandidati, ai do të ishte pjesë e Këshillit, pasi, siç tha, është ndër profesorët e UP-së më të cituar në revistat ndërkombëtare.
“Qëllimi ka qenë jo shpresa se po fitoj, por shpresa për të nxjerrë kontrastin që në fakt është vërtetuar. Pra nëse e krahasojmë rezultatin e atyre që kanë shumë të arritura ndërkombëtare dhe pikët që kanë marrë nga senatorët, është me të vërtetë për keqardhje", ka thënë Sopjani.
Profesori i mjekësisë ngul këmbë se procesi zgjedhor është rezultat i pazareve ndërmjet senatorëve dhe kandidatëve.
"Problemi themelor që ka Universiteti i Prishtinës në të gjitha nivelet e zgjedhjeve është formula që e ushqen të keqen. Ajo formulë është zgjedhje me lista klanesh e listash me pazare, pra rrjedhimisht prodhon të zgjedhur që kanë mentalitet dhe funksionalitet pazarxhinjësh, që pastaj i lajnë borxhet”, ka thënë ai.
Të premten, Senati i UP-së zgjodhi anëtarë të Këshillit Drejtues nga personeli akademik i Universitetit: Selim Bezerajn, Rifat Krasniqin, Azem Hajdarin, Arian Krasniqin dhe Naser Kabashin.
Zgjedhja e disa prej tyre ngjalli reagime nga shoqëria civile. Profesori i historisë në Fakultetin Filozofik, Selim Bezeraj, dyshohet për plagjiat të punimit shkencor dhe falsifikim të dokumentit të shtëpisë botuese gjermane “Zeitschrift für Balkanologie”. Bezeraj për t’u avancuar në pozitën e profesorit asistent e ka bashkangjitur në aplikacion punimin e tij shkencor me titull “Soziale Lage in Albanien Wahrend der Regierung des Prinzen Wilhelm Wied nach Deutchen Reisenden”, që, sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), është identik me temën e diplomës së një personi me emrin Adam Christian, që e ka mbrojtur në Universitetin e Vjenës më 2010.
Anëtari tjetër, Rifat Krasniqi, po shihet si person i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën u publikuan edhe fotografi, ku shihet krahë për krahë me liderin e VV-së, Albin Kurtin.
Jusuf Thaçi, njohës i arsimit, e quajti mjerim procesin zgjedhor. Ai theksoi se organizata studentore “Studim Kritikë dhe Veprim”, që është pjesë e Senatit, është bërë vegël e pushtetit.
“Meqë organizata studentore e LVV-së brenda Universitetit të Prishtinës (SKV, pra LVV) ia paska mësyrë për ta kapur Këshillin Drejtues (KD) të UP-së, së paku do të duhej që këtë kapje ta bënte duke votuar njerëz dinjitozë për KD të UP-së, e jo të shpërfaqë aq brutalisht epshin për pushtet, duke zgjedhur njerëz që akuzohen për plagjiaturë e njerëz që nuk kanë kurrfarë vlere profesionale”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në rrjetin social në “Facebook”.
Udhëheqësi i ORCA-s, Rron Gjinovci, ka thënë se procesi zgjedhor i Këshillit Drejtues dëshmon vazhdimin e kapjes së institucioneve të arsimit të lartë.
“Urime ministres Nagavci këtë përparim në Arsimin e Lartë! Urime kryeministrit fillimin e kapjes së institucioneve arsimore! Urime organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve vazhdimin e luftës së vjetër me kundërshtarët e ri”, ka shkruar Gjinovci në në “Facebook”.
Në organizatën studentore SKV kanë thënë se nuk ka pasur pazare dhe se reagimet e shoqërisë civile janë paragjykime, pasi votat e tyre janë të pakta për të përcaktuar fituesit.
“Senati i Universitetit të Prishtinës ka gjithsej 44 anëtarë, prej të cilëve pjesa më e madhe janë stafi akademik, dekanët dhe profesorët nga të gjitha fakultetet, rektori me prorektorët, administrata dhe shtatë studentë senatorë, prej të cilëve katër i takojnë SKV-së, në bazë të rezultateve te zgjedhjeve studentore të 10 qershorit”, ka thënë Edi Zenelaj, anëtar i SKV-së, për KOHËN, i cili shtoi se për anëtarët me dyshime për plagjiaturë duhet të përgjigjet Këshilli i Etikës.
Rifat Krasniqi ka thënë për KOHËN se ka arritur t’i fitojë votat falë bashkëpunimit me dekanët e fakulteteve.
"Ajo që ka ndikuar që unë të jem një ndër më të votuarit ka qenë bashkëpunimi im me dekanët. Unë kam qenë senator si student dhe kjo ka qenë arma më e fortë e imja. Përndryshe për mënyrën e votimit, të gjitha këto janë paragjykime për shkak se ka qenë votim i fshehtë", ka thënë Krasniqi.
Procesin zgjedhor për anëtarët të Këshillit Drejtues e kritikoi edhe Arbërie Nagavci, e cila edhe pse e drejton Ministrinë, e cila ka nën ombrellë UP-në, e fajësoi Universitetin e Prishtinës që i mungon kapaciteteti për ndryshime pozitive.
“Edhe kësaj radhe zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ nuk arritën të prishin qarkun vicioz të riprodhimit të vetvetes. Zgjedhje të reja nxorën situatë të vjetër”, ka shkruar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në profilin e saj në Facebook.