Arbëri

Spitali 35-milionësh që parashihet të jetë nga më të vegjlit në Kosovë

Spitali i Prishtinës do të këtë kapacitetet pothuajse më të vogla nga të gjitha spitalet e përgjithshme në Kosovë, sipas studimit të fizibilitetit, në të cilin parashihet që të punësohen vetëm 46 mjekë. Krahas mjekëve, ky spital parashihet që të ketë, po ashtu, edhe më pak shtretër për pacientë sesa që aktualisht kanë spitalet në Pejë, Gjilan, Gjakovë e Prizren. KOHA ka siguruar një kopje të dokumentit, i cili përmban edhe koston buxhetore prej më se 35 milionë eurosh për këtë spital

Në 115 faqe është përmbledhur studimi i fizibilitetit për spitalin e Prishtinës, i kryer nga kompania ndërkombëtare ICME, e cila merret me studime dhe analiza shëndetësore.

Studimi, i cili është paguar rreth 700 mijë euro nga Ministria e Pushtetit Lokal, parasheh një spital me strukturë tjetër jo veç të ndërtimit, por edhe të mënyrës së funksionimit. Por përmban edhe paqartësi e kundërthënie rreth mënyrës se si funksion sistemin publik shëndetësor.

Në studim nuk bëhet e qartë nëse spitali i Prishtinës do të jetë vetëm i kryeqytetit apo edhe i komunave më të vogla përreth.

“Sipërfaqja primare përfshirëse e Spitalit të Prishtinës mbulon ~ 260.000 banorë. Në total, sipërfaqja përfshirëse (1, 2 dhe 3) përbëhet nga ~ 666.000 banorë”, thuhet në dokument.

Megjithëse zona e Prishtinës është më e madhja në nivel Kosove, studimi cek se spitali do të ketë gati më së paku mjekë në nivel vendi.

Në faqen 16 të studimit jepen të dhënat e fuqisë punëtore për spitalet rajonale që janë funksionale. Ceket se Spitali i Prizrenit ka 722 punëtorë, 168 prej të cilëve mjekë, Spitali i Pejës ka 556 punëtorë, mes të cilëve 106 mjekë, Spitali i Gjilanit ka 542 punëtorë e 113 syresh janë mjekë. Për Prishtinën me 216.870 banorë planifikohen që të jenë vetëm 46 mjekë.

“Llogaritjet e fuqisë punëtore u bazuan në konceptin e propozuar mjekësor dhe në Planifikimin e Spitalit të MENÇUR/ Modelin e Kujdesit, si dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në studim.

Krahas kësaj, spitali i kryeqytetit parashihet që të këtë pothuajse më së paku shtretër në krejt Kosovën.

“Repartet e pacientëve të shtrirë janë konsideruar të gjitha në dhoma të vetme qëndrimi (1 shtrat për dhomë), përveç dhomave të izolimit dhe njësive të varësisë së lartë (NJVL), të cilat do të jenë një akomodim i vetëm, duke çuar në një numër total të shtretërve spitalorë prej 156 shtretërish të reparteve të pacientëve të shtrirë dhe një total prej 190 shtretërish”, është e sqaruar në studim.

Ndonëse Prishtina ka një popullatë prej mbi 200 mijë banorësh, në spitalin e kryeqytetit planifikohet që të jenë më pak shtretër sesa në spitalin rajonal të Pejës (379), të Prizrenit (509), të Gjilanit (374) dhe të Gjakovës (426).

Kësisoj, spitali i Prishtinës do të këtë kapacitete dyfish më të vogla se vetëm Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), e cila ka në dispozicion 396 shtretër.

Përveç këtyre, në studim një hapësirë e madhe i kushtohet asaj se çfarë quhet “spital i mençur”.

“Planifikimi i Spitalit të MENÇUR përfshin një pjesë qendrore / bazë me dhoma të funksionalitetit të teknologjisë së lartë. Për shkak të standardit të lartë dhe funksionalitetit përkatës, kostot për metër katror janë të larta”, thuhet në studim.

Megjithëse një pjesë e madhe e shërbimeve në spitale përcaktohen si “të mençura”, as Komuna e Prishtinës dhe as kompania që e ka bërë studimin ende nuk kanë sqaruar se si do të ndërlidhen sistemi i spitalit të Prishtinës me nivelet e tjera të shëndetësisë.

Studimi parasheh gjithashtu një kosto financiare prej rreth 35 milionë eurosh bruto për spitalin e kryeqytetit me kapacitete të vogla.

“Shpenzimet kapitale të spitalit arrijnë në ~ 29,156,000 € neto / ~ 35,556,000 € bruto”, është e sqaruar në studim.

Lidhur me çështjen, KOHA ka më shumë së një javë që ka adresuar pyetje te Komuna e Prishtinës, Ministria e Shëndetësisë dhe ICME-ja, e cila e ka kryer studimin e fizibilitetit. Në Komunën e Prishtinës dhe në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë dhënë përgjigje, teksa nga konserciumi i kompanive që kanë bërë studimin kanë thënë se përgjigjet duhen të ofrohen nga këto dy instanca shtetërore.

“Ju njoftoj se ALB-Architect&ICME është përgjigjur në pyetjet teknike dhe i kemi dërguar tek drejtori i shëndetësisë në K.K.Prishtinë, dr. Izet Sadiki dhe tek projektmenaxherja nga investitori, Mimoza Kurteshi, në MPB. Përgjigjet që i takojnë Ministrisë dhe K.K. Prishtinë i punojnë ata dhe si përfundim, përgjigjet komplete tek ju duhet t’i dorëzojë Ministria ose K.K.Prishtine”, ka thënë Afrim Demiri nga konsorciumi Albarchitect ICME

KOHA javën e kaluar ka raportuar për një tjetër studim fizibilitetit mbi shëndetësinë në Kosovë. Ky studim pati konstatuar se Kosova nuk i shfrytëzon as gjysmën e kapaciteteve spitalore që i ka, teksa flet për probleme të tjera prej atyre që diskutohen për çdo ditë rreth shëndetësisë.

Të dhënat e studimit kanë treguar se Kosova në sektorin e shëndetësisë ka të punësuar më shumë mjekë e infermierë sesa që i ka nevojat. Studimi i fizibilitetit i ekspertit gjerman për ekonomi shëndetësore, Thomas Weismann, u ofroi përgjigje edhe thirrjeve të vazhdueshme për ngritjen e spitaleve të reja. Sipas statistikave të studimit të Wiesmannit del se afro 1400 shtretër në spitale publike janë të pashfrytëzueshme.