Fushatat e shumta të zhvilluara vitet e kaluara nga institucionet përkatëse dhe organizatat joqeveritare, që merren drejtpërdrejt me dhunën në familje për ngritjen e vetëdijes së femrës për të raportuar dhunën ndaj saj në familje, kanë ndikuar në vetëdijesimin e femrës në rajonin e Pejës, e cila e ka kuptuar se dhuna nuk duhet të heshtet dhe kanë filluar të shpeshtohen rastet që raportohen në polici, duke i dhënë fund dajakut të burrit që e kanë duruar me vite.
Numrin e shtuar të raportimeve të dhunës në familje e mbështesin edhe të dhënat e policisë rajonale të Pejës, që mbulon komunën e Pejës, Deçanit, Junikut, Istogut dhe Klinës, sipas të cilës raportimet e rasteve të dhunës në familje janë shtuar dukshëm vitin e kaluar krahasuar me vitin 2018, raporton Koha Ditore.
Gjatë vitit 2019 në policinë e këtij rajoni janë raportuar 249 raste të dhunës në familje, derisa në vitin 2018 ishin raportuar 192 raste.
“Numri i raportimit të dhunës familjare po shënon rritje edhe për shkak të vetëdijesimit të qytetarëve si dhe rritjes së besimit të qytetarëve në polici dhe institucione. Për ne është shumë më rëndësi që këto raste t’i trajtojmë me seriozitetin më të madh”, ka thënë majori Ndue Nikolla, komandant i Stacionit Policor të Pejës.
Rritja e rasteve të raportuara të dhunës në familje dhe ndaj grave ka reflektuar edhe në rritjen e grave të strehuara në Qendrën për Mirëqenien të Gruas në Pejë, ku gratë dhe fëmijët e grave viktima të dhunës në komunën e Pejës, Deçanit, Istogut Klinës dhe Junikut, strehohen për disa muaj dhe deri në një vit, sipas nevojës, derisa bëhet zgjidhja, apo pavarësohen, gjejnë punë e banesë.
Ardita Bala, drejtoreshë e kësaj qendre, tha se gjatë vitit 2019 në këtë shtëpi të sigurt për gratë viktima të dhunës, janë strehuar 94 nëna dhe fëmijë të tyre. Në vitin 2018, siç thotë Bala, në këtë shtëpi të sigurt janë strehuar 76 gra dhe fëmijë. Një numër i grave kthehen në shtëpitë e tyre, pasi është punuar me burrat dhe familjaret e tyre, por ka edhe mjaftë gra, që sipas Balës nuk kthehen te burrat e vet.
“Raportimi i dhunës, por edhe strehimi ka shënuar rritje. Kjo rritje ka të bëjë edhe me vetëdijen e femrës. Por jo të gjitha rastet edhe po raportohen. Llogaritet që vetëm 20 për qind e rasteve të dhunës në familje që mbizotëron tek ne. Është numër i madh i grave që përjetojnë dhunën por nuk e raportojnë atë, e që duhet edhe më tepër të angazhohemi që edhe më shumë të ngritët vetëdija e grave për raportimin e dhunës. Dhuna duhet të raportohet edhe për shkak të pasojave psikike që shkakton edhe tek fëmijët që kanë parë dhe përjetuar dhunën e ushtruar në familje”, tha Bala.
Sipas saj, gratë që po e raportojnë dhunën vitet e fundit, janë kryesisht të moshës 40 deri 60 vjeçe. Se ajanë raportimet raste të reja të dhunës apo raste që gratë e raportojnë tash dhunën që e kanë duruar me vite, siç thotë Bala, duhet të bëhet një studim më i thellë.
“Por bazuar në rastet që ne i strehojmë, janë më shumë raste të grave që kanë përjetuar me vite dhunën nga burri dhe tash po e raportojnë. Shumica e grave që ne i strehojmë, kur vijnë na tregojnë se me vite e kanë duruar dhunën nga burri, të cilën më nuk e kanë duruar dhe e kanë raportuar”, thotë Bala, duke treguar se numri më i madh i grave që e raportojnë dhunën janë nga pjesët rurale.
Femrat që strehohen në këtë qendër kanë përjetuar dhunë fizike, emocionale, psikike, ekonomike dhe seksuale.
“Përjetimet e tyre nga dhuna janë tepër të prekshme. Përveç lëndimeve shpirtërore, në trupin e tyre shihen gjurmët e lëndimeve fizike, mavijosje, plagë nga shuarja e cigares, nga prerja me thikë, kafshime... është tmerr kur vijnë ditët e para, kur ato shfaqin fillimisht një koktej ndjenjash të çlirimit, frikës, pasigurisë... me pyetjen se ‘çfarë ndodh tash me mua’”, e përshkruan Bala dukjen dhe ndjenjat e grave që strehohen në këtë qendër kua ato gjatë qëndrimit inkurajohen dhe këshillohen të kryejnë kurse që ofron qendër dhe trajnime tjera në qendra të aftësimit profesional, për të rizbuluar forcën e saj, për të vendosur për veten dhe mbi veten e saj, duke e inkurajuar dhe përkrahur në përvetësimin e aftësive të saj si grua.
Gjatë vitit të kaluar, në prokurorinë Themelore të Pejës, siç tregon zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, janë pranuar 200 kallëzime penale për raste të dhunës në familje.
“Prej tyre janë ngritur 195 aktakuza për veprën penale dhunë në familje, dy raste janë hedhë dhe për tri tjera janë pushuar hetimet”, tha Nikçi.
Ndërsa, në Gjykatën Themelore në Pejë, me degët e saj në Klinë, Istog dhe Deçan, siç tregon zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti, janë pranuar 140 aktakuza për dhunë në familje sipas nenit 248 të Kodit Penal të Kosovës, që ka hy në fuqi në prill të vitit 2019. Prej gjithë këtij numri të aktakuzave, vetëm pesë veta janë dënuar me burg për veprën penale dhunë në familje, 31 janë dënuar me kusht, 12 veta me gjoba, dy janë dërguar në trajtim psikiatrik, dy aktakuza janë refuzuar dhe tjerat lëndë ende nuk janë zgjidhur.