Arbëri

Shporta e konsumatorëve u shtrenjtua për 25 për qind, bie standardi i qytetarëve

Çmimet e produkteve pritet të bien gjatë verës

Produktet bazike vazhdojnë të shënojnë rritje.

Nëse në gusht të vitit të kaluar shporta e konsumatorit me produkte të njëjta ka kushtuar 60 euro, në gusht të këtij viti ajo ishte 15 euro më shumë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, muajin e kaluar çmimet janë shtrenjtuar për 13 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për një litër vaj vitin që shkoi qytetarët kanë paguar 1 euro e 55 centë, derisa tash çmimi i tij ka shkuar në 2 euro e 67 centë.

Mbi 1.5 deri 2 euro më shtrenjtë po paguhet edhe për vezët, mishin e pulës e të viçit dhe kafenë.

Shqetësuese mbetet rënia e madhe në të ardhurat reale. Vlera reale e 100 eurove në gusht të vitit 2021 llogaritet të ketë qenë rreth 90.8 euro, ndërsa tani është rreth 80.3 euro.

Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, rritja e çmimeve po ndikon në rënien e standardit social të qytetarëve.

Por, përveç inflacionit të importuar, Skënderi ngre dyshime për abuzim me çmime nga tregtarët.

“Ajo që është shqetësuese në Kosovë është fakti që tregtarët janë duke e shfrytëzuar rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe ata janë duke i rritur çmimet e tyre në masë të konsiderueshme pa pasur nevojë. Janë disa përbërës të shportës së konsumatorëve që nuk janë domosdoshmëri e rritjes së çmimeve nga tregjet ndërkombëtare p.sh. druri, peleti e kështu me radhë”, tha Skënderi.

Qeveria ditë më parë ka prezantuar një pako në vlerë prej 150 milionë eurosh për përballje me inflacionin. Por, sipas Skënderit, masat janë të përkohshme dhe nuk e stabilizojnë inflacionin.

“Masat janë të përkohshme dhe nuk mund ta stabilizojnë inflacionin, pasi që inflacioni në thonjëza është duke u stabilizuar me çmime afatgjata dhe Qeveria jep shtesa vetëm për 1 ose 2 muaj e ato janë lëmosha. Ajo duhet të intervenojë që konform normës së inflacionit, konform të hyrave që Qeveria e rrit buxhetin e shtetit, atëherë do të duhej që edhe shpërndarjen e mjeteve ta bëjë në paga”, tha Skënderi.

Çmimet kanë shënuar rritje nga pandemia, por që rritjes i dha hov edhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

Rritja e çmimeve ka ndikuar në rritjen e të hyrave buxhetore. Sipas të dhënave të Doganës deri në shtator ky institucion ka grumbulluar afro 1 miliard euro të hyra, që janë rreth 12.5 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

Rritje të të hyrave për 22.2 për qind pati edhe në Administratën Tatimore të Kosovës. Deri në shtator i grumbulluan afro 490 milionë euro.

Derisa u rriten çmimet e të hyrat, pagat mbetën në nivel të njëjtë. Paga mesatare bruto në Kosovë është 484 euro, e pensione nga 100 deri në 265 euro.