Arbëri

Shpejtësia e premtuar lehtësisht

Foto: Koha

Para njëzet vjetësh në Zagreb u besua se me një palë demonstrata u zhduk fashizmi serb. Dhe, ja ku jemi njëzet vjet më pas, po në Zagreb

1.

Më kërkuan para njëzet vjetësh të shkruaja një tekst në “Jutarnji list”, gazetën kryesore kroate, për ngjarjen që do të ndodhte së shpejti, Samitin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahej në Zagreb. Zgjodha si titull e përmbajtje të shkrimit një formulim që ishte bërë i njohur të karakterizonte politikën e Slobodan Milosheviqit, në kohën e ngritjes së tij. Buca Pavloviq, njëri prej kundërshtarëve politikë të spikatur i Slobodan Milosheviqit, kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Beogradit, tha në fjalim e pastaj e vendosi edhe në titull të librit të tij se e tërë lëvizja populliste e Milosheviqit mbështetej në “shpejtësinë e premtuar lehtësisht”, se si kjo lëvizje premtonte se do të zgjidhte çdo problem menjëherë; se çdo problemi i nevojitej vetëm aksion i Milosheviqit dhe ai pastaj do të zgjidhej.

2.

Njëzet vjet më pas i rikthehem shkrimit me ndjenjën e përzier, asaj të trishtë nga të qëlluarit. Po e përkthej të tërin, sepse ia vlen si dokument i asaj kohe, por edhe i kësaj tani.

“Perëndimorët qe sa vjet flasin për dëmin e partive nacionaliste në Bosnjë e Hercegovinë e tash po bëjnë garë se kush i pari do të takohet me Vojislav Koshtunicën, të cilin edhe vetë serbët e konsiderojnë nacionalist - më thotë Muhamed Shaqirbej, ambasadori boshnjak në OKB, duke shprehur kështu atë që tashmë njihet si befasi e përgjithshme me reagimet jokritike të Perëndimit ndaj ndryshimeve të reja në Beograd. Në Samitin e Zagrebit të shteteve të Evropës Juglindore, të cilin po e organizon BE-ja, gjegjësisht Franca si kryesuese e radhës, do të marrë pjesë edhe Vojislav Koshtunica, kryetar i asaj që quhet RFJ. Në Kosovë kaherë reagohet ndaj hapjes kaq të shpejtë të Perëndimit ndaj Beogradit.

Mendoj se reagimi do të rritet këto ditë, për shkak të njohurisë se në Zagreb do të udhëtojë edhe Koshtunica, por nuk do të marrë pjesë asnjë përfaqësues i shqiptarëve të Kosovës. Kosovarët dhe Koshtunica, siç është paramenduar, kanë mundur të takoheshin në Zagreb. Ndoshta kjo është arsyeja pse dr.Ibrahim Rugova nuk do t’i bashkëngjitet delegacionit të cilin do ta udhëheqë kryekosovari Bernard Kouchner. Ndonëse nuk do të takohen atje, kosovarët dhe Koshtunicën Zagrebi i bashkon për një gjë. Kosovarët nuk do të mund të marrin pjesë në Samit, sepse po e ndërtojnë shtetin. Koshtunica do të marrë pjesë, sepse është në krye të një shteti që po zhbëhet apo, thënë më mirë, të një shteti që ekziston sa ç’ekziston Jugosllavia e Titos.

Ideja se me një demonstratë në Beograd është demokratizuar Serbia dhe se me kryetarin e ri të “RFJ” është zhdukur fashizmi serb, e me të edhe shumica e poblemeve politike në regjion, para nja dhjetë vjetësh edhe në vetë Serbinë do të quhej “shpejtësi e premtuar lehtësisht”. Serbia fillimisht duhet të kalojë nëpër tërë një proces denacifikimi; duke përfshirë këtu jo vetëm dorëzimin e të akuzuarve për krime lufte, por edhe krijimin e identitetit të shtetit të ri. Iluzionin e ndryshimeve me vetëm një palë demonstrata në Beograd nuk e kanë, besoj, as vetë serbët. Siç nuk janë të vetmuar në prodhimin e “shpejtësisë së premtuar lehtësisht”...