Arbëri

Shoqëria Civile thotë se ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë është obligim i ndërtuesit të hidrocentraleve

Me vite komuna e Deçanit dhe Manastiri nuk kanë mundur të merren vesh rreth ndërtimit të rrugës brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur.

Por, sipas aktivistëve të shoqërisë civile, këto kundërshtime nuk do të ekzistonin sikur kompania që ndërtoi hidrocentralet në këtë zonë të përmbushte detyrimet e saj.

Kjo çështje figuron si detyrim i kompanisë ndaj komunës së Deçanit në një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet palëve më 16 mars 2012, lidhur me shfrytëzimin e pronës komunale për ndërtimin e hidrocentraleve, e të cilën e ka publikuar organizata “Pishtarët”.

Aty thuhet se kompania detyrohet për “rinovimin e rrugëve publike në mes të centralit të ri energjetik ‘Deçani’ dhe HEC “Lumbardhi” (rreth 10 kilometra). Aplikimin e një sipërfaqeje asfalti në koordinim me ICO dhe udhëheqjen e Manastirit të Deçanit”.

Por deri tash vetëm gjysma e kësaj distance është asfaltuar.

Shpresa Loshaj nga organizata “Pishtarët”, thotë se marrëveshja nënkupton edhe asfaltimin segmentit rrugor prej 5 kilometrave të kontestuar nga Manastiri.

Pika 4.7 e po së njëjtës marrëveshje thotë se dy muaj para nënshkrimit të marrëveshjes, Manastiri ka dhënë pëlqimin për ndërtimin e projektit brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur.

“Në përputhje me kuadrin ligjor për Zonën e Veçantë të Mbrojtur (ZVM) të Manastirit të Deçanit, përfaqësuesi civil ndërkombëtar Peter Feith ka këshilluar Ministrin Gashi të MMPH-së në një shkresë të datës 15 shtator 2011 në lidhje me implementimin e projektit brenda ZVM-së. Manastiri i Deçanit e dha pëlqimin formal për projektin në një shkresë kthimi për Komunën e Deçanit më datën 30 janar 2012”, thuhet në këtë pikë.

Por, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se kjo marrëveshje nuk përfshin rrugën e kontestuar.

Kurse, ish-kryetari Rasim Selmanaj, i cili ka nënshkruar marrëveshjen në fjalë, thotë se Manastiri nuk ka dhënë pëlqim për rrugën e kontestuar.

“Sikur të kishte pasur pëlqim, atëherë rruga do të ishte asfaltuar. Manastiri e ka dhënë pëlqimin për ndërtimin e hidrocentraleve brenda zonës së mbrojtur”, ka thënë Selmanaj.

Ka më shumë se dy javë që KOHA ka pyetur për këtë çështje kompaninë “Kelkos Energy”, por ajo nuk ka kthyer përgjigje. Njëjtë kanë vepruar edhe Manastiri i Deçanit dhe Ministria e Ambientit.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili siguron mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare. Manastiri i Deçanit dhe mbi 800 hektarë të tokës përreth është njëra nga këto zona.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim që Manastirit t’i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë shtesë, nëpër të cilat kalon rruga.