Në shkollën fillore “Branko Radiçeviq” në Obiliq nuk ka asnjë nxënës nga komuniteti serb, të cilit i dedikohet. Aty, përditë transportohen nëntë nxënës romë. Në organizatën “Roma Veritas Kosova” kanë hedhur dyshime se fëmijët e komuniteteve po manipulohen nga Serbia. Avni Mustafa, drejtor i organizatës, është shprehur skeptik se kjo shkollë i ofron cilësi të duhur edukative komunitetit rom. “Këto shkolla nuk monitorohen nga Ministria. Unë dyshoj se këto shkolla i dhurojnë ndonjë cilësi të lartë fëmijëve romë. Ata vetëm shfrytëzohen nga Serbia për t’i arritur qëllimet e tyre”, ka thënë Mustafa
Nëntë nxënës të komunitetit rom, janë të vetmit që e ndjekin mësimin në shkollën fillore serbe “Branko Radiçeviq”, e cila ndodhet ngjitur me objektin e Komunës së Obiliqit. Sipas zyrtarëve të kësaj komune dhe qytetarëve, pasi në të nuk ka asnjë nxënës serb, të nëntë fëmijët transportohen çdo ditë nga fshatrat përreth Obiliqit, për ta evituar mbylljen.
Në organizatën “Roma Veritas Kosova” kanë hedhur dyshime se fëmijët e komuniteteve po manipulohen nga Serbia.
Avni Mustafa, drejtor i organizatës, shprehet skeptik se kjo shkollë i ofron cilësi të duhur edukative komunitetit rom.
“Këto shkolla nuk monitorohen nga Ministria, unë dyshoj se këto shkolla u dhurojnë ndonjë cilësi të lartë fëmijëve romë. Ata vetëm shfrytëzohen nga Serbia për t’i arritur qëllimet e tyre”, ka thënë Mustafa.
Ai ka pretenduar se sipas informatave të organizatës, Republika e Serbisë u dhuron deri në 450 euro ndihma familjeve që i dërgojnë fëmijët në shkolla ku mësohet me planprogram të Serbisë.
“Cilësia e edukimit në shkollat që janë duke funksionuar në sistemin e edukimit të Serbisë dhe që janë në shumë vende në Kosovë, janë në Kamenicë, në Gjilan, në Mitrovicë të Veriut, në Obiliq, Plemetin, në shumë vende... Qeveria e Kosovës dhe Ministria më konkretisht janë duke e përkrahur këtë sistem, duke iu ofruar mësimdhënësve një pagë mujore", ka shtuar ai.
Për dy orë sa ka qëndruar ekipi i KOHËS, fëmijët nuk janë parë duke mbajtur mësim. Ata luanin në korridor.
Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Aleksandar Popoviq, mësimi mbahet në rregull nga stafi që përbëhet prej dhjetë mësimdhënësve.
Për shkak të dyshimeve se fëmijët e komuniteteve manipulohen nga sistemi i Serbisë, në vitin 2018, Komuna e Obiliqit i ka hequr nga lista e pagave mësimdhënësit e kësaj shkolle.
Drejtori i Arsimit në Obiliq, Sahit Zeqiri, ka thënë se objekti nuk i plotëson kushtet minimale për ta zhvilluar procesin i mësimor. Ka shtuar se kishte shtruar kërkesë te institucionet ndërkombëtare që objekti të rrënohet.
“Është diskutuar për këtë rast edhe me kryetarin e Komunës, edhe me të gjithë stafin e Komunës dhe me ndërkombëtarët. Ka qenë edhe KFOR-i edhe të Bashkësia Evropiane, rastin e kemi paraqitur që është shqetësuese”, ka thënë Zeqiri.
Edhe Zeqiri ka shprehur dyshime se në atë shkollë mund të mbahet proces i mirëfilltë arsimor. Ai ka thënë se ai objekt nuk mund të quhet institucion arsimor.
“Këtu, mendoj unë, zhvillohet një politikë. Ata nxënës nuk e dinë se a janë nxënës apo qytetarë të zakonshëm që barten me automjete të ndryshme, veç për faktin se gjoja po mbahet mësimi aty", ka thënë Zeqiri.
Në Kosovë llogaritet se funksionojnë 131 shkolla që punojnë me planprogram të Serbisë. Këto shkolla funksionojnë sipas Planit të Ahtisaarit, ku në kapitullin “Bazat e Planit të Ahtisaarit” shkruhet se minoriteteve ua siguron të drejtën të shprehin, të ruajnë dhe të zhvillojnë gjuhën dhe kulturën e tyre. Gjithashtu iu lejohet të përdorin materiale nga Republika e Serbisë. Në këtë plan njëkohësisht parashihet se Qeveria e Kosovës mund të kundërshtojë programet apo librat që i përdorin shkollat lokale, nëse nuk i respektojnë elementet profesionale. Mirëpo, asnjëherë nuk është bërë monitorimi i teksteve që vijnë nga Serbia.
Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë në një përgjigje se është çështje politike funksionimi i shkollave paralele serbe në Kosovë.
“Ky është problem politik që ndërlidhet me integrimin e komunitet serb në Republikën e Kosovës. Ne kemi gatishmëri që shkollat serbe t’i integrojmë në kuadër të sistemit tonë të arsimit”, shkruhet në përgjigjen e MASHTI-it.