Arbëri

SHBA-ja inkurajon vazhdimin e moratoriumit, Qeveria e Kosovës s’tregon nëse do ta përfillë

Foto: Reuters / Arkiv

Në prag të skadimit të moratoriumit të vendosur para një viti, Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar palët ta shqyrtojnë mundësinë e vazhdimit të tij. Si arsye është përmendur rëndësia që dialogu i Brukselit të finalizohet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse do të përfillet ky sugjerim i amerikanëve

Departamenti i Shtetit Amerikan ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes dhe aplikimeve në organizata ndërkombëtare për shkak të ndërlikimeve eventuale në procesin e dialogut. Kështu kanë thënë për KOHËN zyrtarë të Departamentit Amerikan, në prag të njëvjetorit të Marrëveshjes së Washingtonit.

“Për të mbështetur suksesin e dialogut dhe përpjekjet e tjera, ne inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë moratoriumet e tyre në çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike. Ne po vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për të zbatuar angazhimet e tyre në mbështetje të qëllimit të normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe detyruese të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm”, thuhet në përgjigje.

SHBA-ja ka ofruar mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke u bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen sërish në këtë proces. Po ashtu, është kërkuar të respektohen me mirëbesim angazhimet që kanë arritur në Washington vitin e kaluar.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë treguar nëse do të përfillet ky sugjerim i amerikanëve. Por një ditë më herët, ata thanë se janë duke ndjekur zhvillimet rreth organizatave në funksion të parapërgatitjes së procesit për anëtarësim në disa prej tyre.

Ndërkaq, kryeministri Kurti në një intervistë për “European Western Balkans” ka përmendur se janë dy tekste të ndryshme dhe dy angazhime të njëanshme nga Kosova e Serbia në Washington. Sipas tij, disa pika janë problematike për Kushtetutën e Kosovës.

“Ne nuk duam ta mohojmë atë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë që janë nënshkruar si një zotim nga kryeministri i mëparshëm. Vetëm të përmendim, faktin që ne nuk do të lobojmë dhe angazhohemi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkon në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, pati deklaruar ai.

Marrëveshja e Washingtonit ishte nënshkruar para një viti në Zyrën Ovale nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nën praninë e ish-presidentit Donald Trump.