Trendi i rritjes së lirimit prej shtetësisë së Kosovës nga mërgimtarët e Komunës së Pejës ka vazhduar edhe vitin e kaluar dhe pothuajse të gjithë që kanë hequr dorë nga shtetësia janë shqiptarë.
Në mesin e tyre edhe S.K. nga Peja, që jeton në Gjermani që nga paslufta. Ai pohon se nuk i ka ardhur aspak lehtë të marrë vendimin për të hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Por, ai thotë se shteti ku jeton nuk lejon dyshtetësi, raporton Koha.net.
“Ka qenë një vendim i vështirë për t’u sjellë, por në njëfarë forme edhe i detyruar, për shkak se në Gjermani nuk lejojnë dyshtetësi. Në njërën anë është ndjenjë e keqe se ke lindur në këtë vend e të mos jesh më shtetas i vendlindjes tënde. Por, në anën tjetër, janë aspektet pozitive, në mesin e tyre përparësitë e mëdha që i kemi atje si shtetas të atij vendi, por edhe mbi të gjitha, liria e lëvizjes ku të duash me pasaportë gjermane. Me pasaportën e Kosovës je shumë i kufizuar në lëvizje”, tregon ai arsyet pse ka hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, duke mos dashur që t’i publikohet emri.
Ky nuk ka qenë i vetmi mërgimtar i Pejës që ka hequr dorë vitin e kaluar nga shtetësia e Kosovës, duke mbajtur vetëm shtetësinë e shtetit ku jeton, pasi që në shumë shtete të Bashkimit Evropian, por edhe në disa shtete të tjera që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, nuk lejohet dyshtetësia.
“Gjatë vitit 2019, kanë aplikuar për lirim nga shtetësia në Ofiqarinë e Pejës 321 shtetas tanë nga Komuna e Pejës”, tregon shefi i Ofiqarisë në Pejë, Shefqet Thaqi.
Numri dokumenteve të dorëzuara për lirim nga shtetësia e Kosovës gjatë vitit 2018 ka qenë më i ulët sesa në vitin 2019. Sipas Thaqit, gjatë vitit 2018 kanë aplikuar për lirim nga shtetësia 244 persona. Në vitin 2017 numri ka qenë më i larti. Atë vit, sipas të dhënave të Ofiqarisë, kishin aplikuar 362 mërgimtarë të kësaj komune që të lirohen nga shtetësia e Kosovës, derisa në vitin 2016, shtetësinë me lirim e kanë humbur 181 persona nga Komuna e Pejës, për të fituar shtetësinë e vendit ku jetojnë, njëjtë sikur edhe 224 mërgimtarë të tjerë nga kjo komunë, që kishin hequr dorë nga shtetësia e Kosovës në vitin 2015.
Sipas të dhënave të ofiqarisë, për dhjetë vjetët e fundit kanë hequr dorë prej shtetësisë së Republikës së Kosovës së paku 3 mijë e 165 shtetas nga Komuna e Pejës. Ky numër qëndron për ata që kanë aplikuar për lirim nga shtetësia në Ofiqarinë e Pejës prej vitit 2009 e këndej.
Thaqi tregon se ky numër nuk pasqyron numrin e vërtetë të qytetarëve nga kjo komunë që s’kanë më shtetësi të Kosovës. “Ky numër mund të jetë shumë më i madh për faktin se ata për t’u liruar nga shtetësia e Kosovës mund të aplikojnë edhe nëpër Ambasadat e Kosovës. E ato të dhëna Ofiqaria e Pejës nuk i posedon. Pastaj ka edhe shtetas që kanë lindur në Pejë e pastaj janë zhvendosur të jetojnë në ndonjë komunë tjetër në Kosovë dhe që kanë hequr dorë pastaj edhe nga shtetësia kosovare. E as këtë numër nuk e kemi”, thotë Thaqi.
Kurse, në nivel vendi, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, nga viti 2009 deri në fund të vitit 2019, mbi 50 mijë persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Prej tyre, mbi 16 mijë e 500 në tre vjetët e fundit.
Heqja dorë nga shtetësia e shtetit amë është shqetësuese për shoqërinë civile në Pejë, pasi sipas saj, lirimi nga shtetësia ngërthen në vete shumë arsye që kanë sjellë deri në atë pikë, që një kosovar të heqë dorë nga shtetësia e vendit të vet. “Emigracioni i madh që e kemi në Kosovë, për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike, ka bërë që qytetarët tanë të kërkojnë vazhdimisht të gjejnë punë dhe të dislokohen nga vendi i tyre i lindjes dhe të kërkojnë mirëqenie në shtetet e Evropës Perëndimore, në të cilat disa nuk pranojnë dy apo më shumë shtetësinë dhe njerëzit sigurisht zgjedhin pasaportën e atyre shteteve edhe për shkak të mundësisë së lëvizjes së lirë, e cila ka bërë që shumë qytetarë të Kosovës të lënë pasaportën e shtetit tonë për t’u pajisur me pasaporta të vendeve të ndryshme. Nëse analizohet trendi ndër vite i heqjes dorë nga shtetësia e Kosovës, atëherë shihet se kemi rritje të kësaj dukurie dhe kjo është shqetësuese”, thotë drejtori i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, Veton Mujaj.
Kjo dukuri është shqetësuese, për shkak se sipas tij, heqja dorë nga shtetësia, nënkupton që këta persona nuk e shohin Kosovën si shtet të së ardhmes së tyre dhe nuk planifikojnë të jetojnë në Kosovë. “Një prej arsyeve të tjera është edhe ngecja që ka shënuar vendi në zhvillimin e gjithmbarshëm, në veçanti atë ekonomik. Po ashtu, Kosova duhet të ndërtojë institucione demokratike, sepse kjo reflekton edhe në aspektin e jashtëm, e sidomos në besueshmërinë e diasporës tek institucionet e Kosovës”, thotë Mujaj.