Pas intervistimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës, Zyra e Prokurorit Special me seli në Hagë, në rast se i vërteton dyshimet si të bazuara, atëherë mund të ngreh akuzat ndaj të dyshuarve, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare.
Sipas tij, duke u bazuar në rrjedhën e punës së Dhomave të Specializuara, që njihet si Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, sidomos në dy muajt e fundit, procedura e gjykimit të personave të dyshuar do të fillojë së shpejti. Ai shpreh mendimin se nuk do të ketë interferime politike ndaj kësaj gjykate dhe se askush i pafajshëm, nuk do të dënohet nga kjo gjykatë.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Salihu, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, ka ftuar më shumë se 40 persona për t’i intervistuar, qoftë si dëshmitarë apo të dyshuar për krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Cilat janë procedurat pas intervistimit?
Ismet Salihu: Procedurat pas intervistimit të personave të ftuar si të dyshuar janë përafërsisht standarde sikurse procedurat e kodeve penale vendore. Nëse pas intervistimit administrohen prova dhe fakte të mjaftueshme, të cilat gjykatën e bindin se ka bazë për të dyshuar me bazë, që kanë qenë fajtor për kryerjen e veprave penale, atëherë ngrihet akuza. Kjo është faza e parë.
Ndërsa dëshmitarët ftohen sipas standardeve, sipas rregullave të cilat janë të përcaktuara dhe të ndërtuara në kodet penale të shteteve veç e veç, siç është edhe Kodi i Procedurës Penale të Kosovës. Këtu me një përjashtim, për shkak se një numër i dëshmitarëve do të kenë statusin e dëshmitarit të mbrojtur që i thonë anonim dhe ai do të dëshmojë, mirëpo zëri i tij, fytyra e tij nuk do të identifikohet për shkak të rrezikut që mund t’i ekspozohet nga personat e dyshuar ose persona të tjerë.