Arbëri

Rritet presioni për Asociacionin

Njohës të rrethanave kanë paralajmëruar shtim të presionit mbi Qeverinë e Kosovës për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këtë e kanë bazuar në deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian pas marrëveshjes së arritur për targat. Por, sipas tyre, Qeveria duhet të insistojë në dy parime kur në rend dite të vijë çështja e Asociacionit

Prishtinë, 10 tetor - Shmangia e diskutimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe po konsiderohet i vështirë pas paralajmërimit që dha Bashkimi Evropian.

Pas marrëveshjes së fundit që i dha fund bllokadës disaditore në veriun e Kosovës, emisari i dialogut tha se Asociacioni është tema së cilës duhet dhënë zgjidhje.

Derisa Qeveria i ka rezistuar kërkesës për themelimin e këtij mekanizmi duke proklamuar përmbushjen e kushteve të tjera, sipas analistit Demush Shasha, kjo temë do të adresohet para fundit të vitit.

“Patjetër se ngritja e Asociacionit do të jetë temë e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut. Pra, kjo është thënë edhe zyrtarisht pas arritjes së marrëveshjes për targat. Më 30 shtator zyrtarisht Bashkimi Evropian ka konfirmuar nëpërmjet komunikatës zyrtare se ngritja e Asociacionit do të jetë njëra nga temat e ardhshme në kuadër të dialogut dhe do të adresohet para fundit të këtij viti”, ka thënë Shasha, i cili është drejtor ekzekutiv në institutin “Epik”.

Me qëllim të menaxhimit të presionit ndërkombëtar, sipas Shashës, institucionet e Kosovës duhet të insistojnë në dy parime sa i përket Asociacionit.

Asociacioni vetëm në kuadër të marrëveshjes finale

“Parimi i parë është se çfarëdo diskutimi rreth ngritjes së Asociacionit duhet të bëhet në sfondin e kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vetë presidentit Biden si dhe Bashkimit Evropian për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Pra, me fjalë të tjera, pala kosovare patjetër se duhet të jetë e gatshme të diskutojë ngritjen e Asociacionit, por vetëm në kuadër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ku çështja e Asociacionit është vetëm njëra nga elementet e marrëveshjes”, ka thënë Shasha. Ndërkaq parimi i dytë ka të bëjë me modelin e Asociacionit, ka shtuar ai.

“Çfarëdo modeli që diskutohet për ngritjen e një asociacioni duhet të jetë një model i suksesshëm evropian, pra, me fjalë tjera, çfarëdo organizimi i këtij asociacioni duhet të jetë në përputhje me një përvojë të suksesshme e cila është zbatuar diku në shtetet e BE-së. Pra, me fjalë të tjera, modeli i ngritjes së Asociacionit duhet të kalojë testin evropian, pra mos të jetë një eksperiment por një storie suksesi që është zbatuar diku në kuadër të vendeve të BE-së dhe tani patjetër se mund ta zbatojmë edhe në Ballkanin Perëndimor apo këtu në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”, ka potencuar Shasha.

Qeveria nuk ua ka shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë. Por ka thënë se çështjen e Asociacionit e merr seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele, të cilat i mban gjallë në fushën politike, të arsimit, ekonomisë e shëndetësisë.

Në takimet e kaluara në Bruksel kryeministri Albin Kurti kishte propozuar themelimin e këshillit nacional të pakicave, si kundërvlerë të asociacionit, mirëpo një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia.

Kreu qeveritar vazhdimisht ka përsëritur se asociacion njëetnik nuk do të ketë në Kosovë.

Akuzat e kundërakuzat mes opozitës e pushtetit

E partia që ka drejtuar Qeverinë kur ishte nënshkruar Marrëveshja për Asociacionin, tani ka shprehur frikën se mund t’i vishen kompetenca ekzekutive.

“Kjo qeveri po bën hapa prapa, sepse thoshte se marrëveshjet e kaluara nuk janë të mira, do t’i rishqyrtonte, tash po i realizon dhe madje po bënë hapa prapa. Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i papranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, ka thënë Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Deputeti i “Vetëvendosjes”, Haki Abazi, ka thënë se është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale.

“Deklaratat e kreut të LDK për asociacionin se kinse Qeveria do ta pranojë Asociacionin vijnë pikërisht prej atyre që e kanë nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe atë me kompetenca ekzekutive dhe njëetnike. Është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale. Po të njëjtit që kanë nënshkruar marrëveshje joevropiane për komandantin serb të Policisë në veriun e Kosovës, nënshkruesit e fusnotës dhe ata që dobësuan fuqinë e Kosovës në dialogun me Serbinë, sot për qëllime të ulëta politike të tentojnë të shpërndajnë lajme të rrejshme kundër qeverisë për të krijuar konfuzion dhe për të zbehur arritjen në rastin e targave. Kosova sot ka institucione me legjitimitet si asnjëherë më parë dhe qeveri që zbaton politika në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në interes të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës”, ka shkruar Abazi.

Sipas tij, qytetarët dhe Qeveria nuk janë të frikësuar.

“Ata mund të janë të frikësuar, sepse me frikë kanë vepruar edhe kur ishin të gatshëm që për pushtetin e tyre të rrëzojnë qeverinë e votës qytetare edhe me çmimin e ndarjes së vendit dhe në mes të pandemisë COVID-19. Qytetarët dhe Qeveria nuk janë të frikësuar sepse jemi në të drejtën tonë dhe në të drejtën e barazisë edhe në dialogun me Serbinë. Dje kishte frikë, sot ka vendosmëri dhe qartësi”, ka shkruar deputeti i Vetëvendosjes.

Mustafa: Asociacionin nuk e solla unë

Të dielën ka reaguar edhe Isa Mustafa, i cili kishte nënshkruar Marrëveshjen e vitit 2015, që doli të jetë kundër Kushtetutës. Sipas tij, dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ia përshkruajnë atij ujdinë për themelimin e Asociacionit.

“Në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvend në Prishtinë, (e cila ka sanksionuar themelimin e Asociacionit), Isa Mustafa nuk ka qenë kryeministër i Kosovës. Prandaj rrjedhimisht dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ma përshkruajnë mua Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai ka postuar vendimin e Kushtetueses, e cila përshkruan se më 28 maj të vitit 2013, Qeveria ka miratuar Vendimin nr. 01/132, me të cilin "aprovohet Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës se Serbisë dhe të planit të zbatimit për ketë marrëveshje", e cila më pas ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

“Si kryeministër i zgjedhur në dhjetor të vitit 2014, duke e respektuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, kam dialoguar për dokumentin e titulluar "Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore". Ky dokument, për të cilin Gjykata Kushtetuese shprehet se nuk është as ligj, as statut dhe as akt juridik i Qeverisë, do t’i paraprinte Dekretit të Qeverisë dhe Statutit të Asociacionit. Dokumenti është nënshkruar më 25 gusht 2015. Elemente të rëndësishme të këtij dokumenti ishin pajtimi i Serbisë se dekreti dhe Statuti i Asociacionit do të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Asociacioni do të mund të themelohet kur Gjykata Kushtetuese konstaton se është në harmoni me Kushtetutën. Kjo rregull do të vlente për çdo ndryshim të mëvonshëm të Statutit të Asociacionit, i cili do t’i nënshtrohej vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ish-kryeministri.

Sipas tij, fakti se Serbia është pajtuar që satutin e Asociacionit ta trajtojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, flet se në asnjë rast Asociacioni nuk do të bëhej në kundërshtim me Kushtetutën.

“Se a do të themelohet Asociacioni apo jo, se a do të zbatohet Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të vitit 2013 tani është në kompetencë të lidershipit të Kosovës. Por Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se Asociacioni themelohet sipas Marrëveshjes së Parë të vitit 2013”.

Angazhimet rreth Asociacionit

Angazhimet rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe patën kulmuar në vitin 2016 nëpërmjet miratimit të një draft-statuti që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i ka publikuar KOHA. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk dëshironin asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.

E, pasardhësi i Mustafës në krye të LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë më herët se janë të gatshëm ta votojnë çdo marrëveshje me Serbinë, e cila do t’i nënshtrohej një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese.

Ish- qeveria Mustafa e më pas ajo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj patën themeluar Ekipin menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë kanë qenë serbë.

Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë serbe, Ekipi menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e Parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Serbët kanë shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat iu mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës- Liqenin e Ujmanit dhe Trepçën. Por asnjë draft-statut nuk është prezantuar nga ana e tyre.

Insistimi i Brukselit

Pika më kundërthënëse rreth Asociacionit në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 konsiderohet e pesta, e cila specifikon se ky mekanizëm do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Ndërkaq në Marrëveshjen e vitit 2015 specifikohet që kjo pikë të diskutohet sërish një vit pasi të hartohet statuti i Asociacionit.

Ndërkaq zyrtarët e Bashkimit Evropian që kanë ndërmjetësuar edhe marrëveshjet për Asociacionin në disa raste kanë përmendur obligimin që duhet ta përmbushë Kosova.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 lidhur me Asociacionin/Bashkësinë zakonisht është keqinterpretuar. Gjykata kurrë nuk ka thënë që Asociacioni/Bashkësia nuk mund të themelohet. Prandaj, ne presim që Kosova të respektojë angazhimet e ndërmarra në dialog”, ka qenë përgjigjja e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, kur është pyetur për Asociacionin.

Në anën tjetër, zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar se Asociacioni do të jetë tema e parë kurdo që ftohen për takim në Bruksel.

Gjatë protestës kundër reciprocitetit për targat serbët vendosën edhe pankarta me logon e Asociacionit të vetëshpallur.