Tri marrëveshje ndërkombëtare kanë mbetur të bllokuara në Kuvend, në mungesë të votave të pamjaftueshme për ratifikimin e tyre. Në kohën kur ekzekutivi është duke u përballur me kritika për masat e vëna nga BE-ja, nga zyrtarë të lartë të saj, faji është hedhur te opozitarët. E opozita për miratimin e këtyre marrëveshjeve kërkon sqarime shtesë.
Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, kanë bërë që Qeveria të kthej vëmendjen kah mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kritikave për vënien e masave ekzekutivi është duke iu kundërpërgjigjur me kritika ndaj opozitës për bllokim të ujdive më partnerët ndërkombëtarë.
Të hënën kryeministri Kurti tha se duhet të veprohet në drejtim të zhbllokimit të rreth 149 milionë eurove nga kreditë dhe grantet.
“Ajo që ne duhet të bëjmë është që në Kuvend, me 2/3 e deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grante që kanë ngelur të ngujuara dhe s’po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosova, rreth 149 milionë euro. Kredi dhe grante që pa 2/3 nuk po kalojnë. Teksa mërzitemi për masat e ardhshme të përkohshme, ne kemi një ngujim aktual, të cilin do të mund ta largojmë bashkërisht në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Kurti.
Në mungesë të votave të opozitës, pa ratifikuar në Kuvend ka mbetur marrëveshja e 25 milion
ë eurove për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike, projekti 84 milionë eurosh i ngrohjes qendrore solare dhe marrëveshja 40 milionë dollarësh me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut, mjete që janë planifikuar për investim të infrastrukturë sportive.
Sipas deputetit të VV-së, Enver Haliti, vonesat në miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të dëmshme për Kosovën. Ai ka thënë se partitë opozitare vazhdimisht janë duke kërkuar arsye për të bllokuar ratifikimin e tyre.
“Dëmi po shkaktohet për shkak se po humbet kohë realisht dhe nuk po fillojnë reformat ose implementimi i atyre projekteve që janë mjaft të rëndësishme. Vonesat, unë besoj, është dëmi që po shkaktohet në këtë moment”, ka theksuar Haliti.
Por, me pretendimin se janë duke bllokuar marrëveshjet ndërkombëtare, nuk është duke u pajtuar deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Ai thotë se për marrëveshjet në fjalë janë duke kërkuar sqarime e të cilat tha se nuk janë duke u dhënë nga pushteti.
"Pa një gjë të tillë nuk mund të votojmë ide, projekte dhe politika teke mbi egon personale të një ministri apo qeverie. Juridikisht qeveria është e obliguar që të japë raport para parlamentit. Juridikisht dhe kushtetutshmërisht qeveria është ajo e cila duhet të raportojë me shkrim dhe me gojë para parlamentarëve e t’i sqarojë dhe elaborojë projektet e veta", thekson Shala.
Lidhur me votën për marrëveshjet ndërkombëtare televizioni ka kërkuar sqarime edhe nga LDK-ja, por të hënën përgjigje nuk ka marrë.
Për mosratifikimin në Kuvend përgjigje nuk kanë dhënë as nga Ministria e Financave.
E të dielën ministri i Financave, Hekuran Murati, e ish-ministrja, Hykmete Bajrami, kanë polemizuar për këtë çështje në rrjetet sociale.