Arbëri

Rrëfimet e njerëzve që vuajtjen e kanë përditshmëri

“Porosia jem osht për m’i gjetë qeta njerëz çka i kanë vra, edhe kurrë mos me ia falë Serbisë për pa i gjetë, se i din Serbia krejt kush na i ka vra. Me konë gjashtëmbdhetë kompira me t’u prishë, jet pa e ba drekën e t’dhimen, e jo ma gjashtëmdhetë mashqi”.

Kjo është një copëz nga dëshmia në vetën e parë të Fetije Mirenës, familje së cilës iu vranë hiç më pak se gjashtëmbëdhjetë burra në mbrëmjen e 21 prillit të vitit 1999.

Ndonëse në vitin 2006 ishin gjetur mbetjet mortore të Nezirit, burrit të saj të rrëmbyer në luftë, tragjedia familjare nuk ka përfunduar ende për Fetijen dhe për katër fëmijët e saj.

Rrëfimi i Fetijes është vetëm njëri nga dhjetë rrëfimet e përfshira në librin “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, që u promovua të premten me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, shkruan sot Koha Ditore.

Në sallën “Andromeda” të hotelit “Sirius” në kryeqytet, familjarë të personave të pagjetur, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambasadorë të huaj kanë marrë pjesë në diskutimin e librit me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur, botim i përkrahur nga “forumZFD – Programi në Kosovë” dhe “Integra” në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Qeverisë gjermane (BMZ), “Rockefeller Brothers Found” dhe Ambasada Zvicerane në Prishtinë.

Korab Krasniqi, drejtues i projektit dhe hulumtues, ka thënë se libri i promovuar ka për qëllim rritjen e trysnisë te qeveritë e Serbisë dhe Kosovës për të zbardhur fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Diskutimi është paraprirë nga leximi që aktoret Kaltrina Zeneli dhe Dragana Varagiq iu bënë dëshmive të Fetije Mirenës dhe Jasmina Zhivkoviqit.

Antropologia Nita Luci, e cila ishte pjesë e panelit diskutues, ka thënë se trajtimi i rrëfimeve të familjarëve të intervistuar nuk ishte i lehtë.

Nora Ahmetaj, eksperte për drejtësinë transicionale, ka folur për përvojat nga hulumtimi në terren i dëshmive të atyre që përballen me dhimbjen e familjarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Në vazhdim, Jelena Kërstiq, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka thënë se dëshiron që të shprehë respektin dhe solidaritetin me familjet e personave të pagjetur. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)