Në Kosovë gjithnjë e më shumë po kërkohen. Për disa, si ato me albume të Nexhmije Pagarushës, shitësit thonë se i shesin sa hap e mbyll sytë për qindra euro. Në Çeki një kompani po i prodhon 350 mijë pllaka në ditë, numër që më 1994 rrumbullakohej i gjithë viti. Në SHBA, po ashtu, është në rritje shitja e pllakave
Një USB 2-3 gishta e madhe me shumë këngë apo një hapësirë e madhe e shtëpisë e zënë me pllaka të gramafonit. Zgjidhja për një merakli si Skënder Zabeli është e kollajshme.
Në shtëpinë e tij në Bruksel ai e ka rezervuar një dhomë për pasionin e tij, që është koleksionimi i pllakave të gramafonit.
Të palosura në rafte, e shumë prej tyre edhe në dysheme, Zabeli numëron mbi 5000 pllaka.
47-vjeçari me origjinë nga Zabeli i Ulët i Drenasit, që punon si dizajner në Schaerbeek, komunë e Brukselit, thotë se ka mbi 20 vjet që mbledh pllaka nëpër pazare të vjetra e panaire ku shiten ato.
I ruan me xhelozi pllakat e ato i shfrytëzon për të performuar herë pas here si DJ, për çka thotë se e ndan thesarin e tij muzikor me audiencën.
Në koleksionin e tij ka antologji të muzikës xhaz, funk, soul, rock, ska e reagge. Ka edhe muzikë shqiptare, që kryesisht i ka grumbulluar falë familjarëve të tij. Shumicën thotë se i ka blerë lirë. Edhe në Belgjikë ka të atillë, siç i quan ai, që nuk ua dinë vlerën pllakave dhe i heqin me lehtësi nga shtëpitë.
“Shumicën i kam gjetur në pazare të vjetra ose te njerëzit që i heqin nga shtëpitë e tyre gjërat që s’i duan më, që i mbajnë nëpër bodrume ose nëpër tavane. Kah pranvera i vendosin para shtëpive të tyre dhe i shesin. Nuk ua dinë vlerën. Kam pasur shumë fat që kam gjetur më së shumti në pazare të këtilla. Më ndodh edhe t’i këmbej, kur i kam dy ose tri të njëjta. Ka edhe të apasionuar të tjerë”, thotë Zabeli.
Gjilpërën e gramafonit e lëshon mbi pllaka pothuajse çdo ditë, pasi mbaron punën në komunë.
Si DJ, kohë pas kohe, performon me muzikë kryesisht afro-amerikane nëpër bare të qytetit ku jeton, por nuk e ka kthyer në komercializëm këtë punë. Ai preferon t’u kushtojë më shumë kohë tri vajzave, e punën si DJ e sheh si borxh ndaj audiencës.
“Mundem për shembull të bëj muzikë për çdo javë, por s’jam i interesuar, sepse kam jetë familjare, e bëj këtë veç për qejf. E qejfi im është që pasi jam i pasionuar, dua t’ua tregoj pasionin tim njerëzve. Ka njerëz që nuk e njohin këtë muzikë. Pse ta mbaj për vete? Bukuria është që, pa marrë parasysh stilin e muzikës, kur e ke një preferencë, për shembull, pse ta mbash për vete kur mund t’ua transmetosh njerëzve të tjerë. Kushedi mund të apasionohen edhe ata”, thotë Zabeli.
“Gjetja” e Nexhmije Pagarushës në Bruksel
Shitja e pllakave mund të jetë fitimprurëse, thotë Zabeli. Por, siç tregon ai, ka ndërruar edhe forma si blihen e shiten pllakat në qytetin ku u lind e u rrit.
“Ia kam filluar me audio-kaseta, dajallarët m’i kanë falur edhe disa pllaka dhe kështu ngadalë-ngadalë duke i mbledhur, duke i kërkuar u bë koleksioni dhe i arriti këto përmasa. Për shembull, para 10 vjetësh, a 15, ka pasur njerëz sikur unë të pasionuar, por ishin kryesisht të koncentruar për një temë, a një stil muzikor”, tregon ai.
Me gjithë dashurinë për to, ka pasur raste edhe kur i ka shitur pllakat për shkak të telasheve financiare, por gjithnjë duke bërë kujdes që të mos dëmtohet koleksioni me mbi 5000 pllaka.
“Mund të të vijë ndonjë faturë apo diçka që ta paguash e ti s’ke para. Në atë moment i sakrifikon dy a tri pllaka. Kjo është pra. I sakrifikon ato të cilat je i sigurt që mund t’i gjesh në të ardhmen. Është si lojë”, thotë ai.
Thesare të muzikës shqiptare, si pllaka me titull serbisht “Këngë e valle të kombeve të Jugosllavisë - Kosmeti” të vitit 1959, që popullarizoi këngët e Kërçovës së Maqedonisë apo edhe këngët “Moj Manushe” e “Çil njat zemër plot kujtime”, e madje edhe pllakën e shumëkërkuar nga ai të Nexhmije Pagarushës, të vitit 1974, i ka gjetur në Bruksel.
“Kur u tregoj njerëzve se Nexhmije Pagarushën e këto albume që i kam këtu, i kam gjetur në Belgjikë, çuditen. Edhe mua më erdhi çudi kur në pazar të vjetër qëlloi një shqiptar dhe i kishte nja tre-katër albume dhe qëlloi edhe kjo e Nexhmijes. I thashë: ‘Zotni a je shqiptar e andej këndej’, më tha: ‘Po’. I thashë: ‘Pse po i shitni këto, kanë vlerë’. Më tha: ‘S’e kam aparatin (v.j. gramafonin) më, e kështu që mirë që ke rastisur këtu e mund t’i marrësh për pak para’”, shprehet Zabeli.
Koleksionimi për të është proces i vazhdueshëm, e si zakonisht ka një listë pllakash që po i kërkon. Janë rreth 70. Disa, sipas tij, kushtojnë mbi 1000 euro.
“E ka këtë të keqe ky pasion”.
Për të arritur tek ato, shpreson t’i gjejë nëpër tregjet e gjësendeve të vjetra apo t’i jepet mundësia për shkëmbim me ndonjë të apasionuar tjetër. Por edhe këtu ka problem, thotë se konkurrenca po bëhet gjithnjë e më agresive.

Shitësit e pllakave, optimistë për rikthimin e gramafonave
Interesimi për pllaka të gramafonit është shtuar edhe në Prishtinë. Shitësit e tyre tregojnë se një pllakë me këngët e bilbilit të muzikës shqipe, Nexhmie Pagarusha, shitet fare lehtë për 300 deri në 400 euro.
Florim Beqiri në shtandin e tij të vogël në sheshin “Zahir Pajaziti” shet krahas librave edhe pllaka të gramafonit. Thotë se e ka të vështirë t’i bjerë në dorë një pllakë me muzikë shqipe.
“Për shembull, Nexhmije Pagarusha është hit, çfarëdo çmimi që ia cakton, atë e blejnë, pasi është shumë e vështirë ta gjesh. Në fillim, kur kam nisur t’i shes, hulumtoja nëpër internet dhe kishte oferta për shembull në vendet e rajonit me albume të Nexhmie Pagarushës. Kam parë ofertë për tri katër albume të saj me çmim prej 15, 20 a 25 euro. Po tash, po të provosh, s’mund t’i gjesh kurrkund. Është rritur numri i atyre që kanë gramafona. Ka filluar të bëhet një grup që mbledhin disqe që janë më të rralla, posaçërisht me muzikë shqipe”, thotë Beqiri.
Tash dy vjet ai ka krijuar lidhje me koleksionues e tregtarë të tjerë brenda vendit, në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi. Me ta thotë se ka bërë rrjet përmes të cilit i gjen ato për të cilat ka nevojë.
“Duke hulumtuar ose duke diskutuar me njëri-tjetrin, dikush ka për shembull koleksion, por i ka dy ose tri të njëjta dhe ai ka dëshirë të lirohet prej tyre dhe të marrë diçka që nuk ka dhe kështu funksionon kjo puna e gjërave të rralla, krejt është në bashkësi. Nuk ka ndonjë adresë ku mund t’i gjesh albumet që janë më të veçanta”, thotë Beqiri.
Edhe ai ka një listë me pllakat që synon t’i gjejë. Dhe ato i ka të porositura nga blerësit. Porsa t’i sigurojë, i njofton ata.
Pllakat për të nuk paraqesin vetëm mall për shitje. Rininë gjatë të 80-ave thotë se e ka kaluar me tingujt e tyre.
“Secili grup muzikor e ka historinë e tij. Nëse nisim me Michel Jacksonin, shquhet për zërin e tij dhe shquhet edhe për tekstin e këngëve dhe vallëzimin që ka pasur. Nëse kalojmë te Madonna shquhet për feminitetin që ka pasur, për paraqitje të veçantë, saqë shpeshherë ka reaguar edhe Vatikani kur ajo ka përdorur simbolet e krishterimit. ‘The Beatles’ që është grup shumë i veçantë, ka qenë rok e shpeshherë iu ka përshtatur baladave me muzikalitet edhe të Indisë. Ka pasur edhe grupe që kanë qenë kundër luftës në Vietnam, ka pasur grupe që me anë të teksteve të këngëve e kanë sulmuar një realitet si Luftën e Ftohtë. Krejt këto më vete paraqesin vlera, sepse secili këngëtar ka qenë origjinal në vetvete”, kujton Beqiri muzikën me të cilën u pjek si person.
Trendi në rritje në Evropë e SHBA
Trendi i kthimit të pllakave përfshin edhe vetë protagonistët – këngëtarët, që zgjedhin që albumet e tyre t’i publikojnë për gramafona.
Ndër ata që së fundmi kanë prodhuar pllaka janë grupi i polifonisë e sazeve të jugut të Shqipërisë – “Saz’Iso”, pastaj rok-bendet “Asgjë Sikur Dielli” e “Blla-Blla-Blla”, që vjen nga Maqedonia e Veriut.
Sa herë që pllakat e tyre vijnë në dyqanin e familjes së 31-vjeçarit Dren Tigani, në lagjen “Arbëria”, shiten sa “hap e mbyll sytë”.
“Shpeshherë kur kemi ndonjë klient ose ndonjë të interesuar është e pamundur pa arritur te pyetja: a ka edhe diçka shqip. Ai vjen për një pllakë specifike, por thotë: pasi që jam këtu a ka diçka. Shpeshherë na duhet t’i përgjigjemi: jo, na vjen keq”, thotë Tigani.
Këngë hite, në dyqanin e tij, janë në pllakat e grupit francez “Daft Punk”. Thotë se ka interesim edhe për zhanre të tjera, sikurse edhe për yjet ndërkombëtare të popit me origjinë shqiptare.
“Kemi prej kategorisë që e ndjekin zhanrin jazz, ka të kategorisë së rockut, funk, kryesisht edhe gjeneratat e reja janë të apasionuara, sidomos pas yjeve tona Dua Lipa, Rita Ora e Bebe Rexha. Po ashtu, Daft Punk, Gorillaz”, thotë ai.
Prodhimi i pllakave është ndërprerë në shumë vende, por jo edhe në Shtetet e Bashkuara apo në Britaninë e Madhe.
“Në Perëndim kjo ka pasur vazhdimësi prej artistit, gjithmonë në varësi të asaj se kush çka ka dashur të prodhojë”, tregon Tigani.
Sipas kompanisë “Bloomberg”, shitja e pllakave të gramafonave në Shtetet e Bashkuara është rritur 1 për qind në gjysmën e parë të vitit 2022 krahasuar me gjysmën e parë të vitit paraprak.
19.4 milionë pllaka janë shitur në gjashtëmujorin e parë të 2022-tës.
Platformat transmetuese si “Spotify” mbajnë peshën më të madhe në shitje të muzikës, sipas Asociacionit të Industrisë së Incizimit të Amerikës (Recording Industry Association of America) dhe pjesëmarrja e pllakave me 7.4 për qind të tregut është më e larta që nga viti 1988.
Rritje e prodhimit është raportuar edhe në Evropë ku, sipas Deutche Welles, ndërmarrja prodhuese e pllakave “GZ Media” në Çeki mesatarisht po i prodhon 350.000 pllaka në ditë, shifër kjo që më 1994 mbulonte tërë vitin.
Derisa CD-ja e kasetat e kanë mundur pllakën e gramafonit gjatë viteve ‘90 dhe në vitet e para të këtij shekulli, trendi gjatë dy vjetëve të fundit në Evropë e SHBA është ndryshuar. Pllakat kryesojnë kundrejt CD-ve.