Profesori i ekonomisë, Sejdi Rexhepi, ka thënë se shkak për rritjen e çmimeve është pandemia e cila shkaktoi ndërprerjen e qarkullimit të lirë të mallrave.
Në emisionin “60 Minuta”, ka thënë se mund të pritet që trendi global i rritjes së çmimeve të ndalet në pranverë, pasi pritet edhe stabilizimi i çmimeve të burimeve të energjisë që kanë dalë shkaktarë të rritjes së çmimeve në nivel botëror.
“Rritja e çmimeve këtë vit dhe vitin e kaluar, në veçanti këtë vit, është rezultat i shumë faktorëve, në radhë të parë shfaqjes së pandemisë që shkaktoi ndërprerjen e qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Në këtë mënyrë krijon mungesa reale, si ato të farmacisë. Si rezultat krijoi mundësi edhe për rritje reale të çmimeve”.
Rexhepi ka thënë se programet në vlera të mëdha për rimëkëmbje ekonomike të shteteve në botë, kanë bërë që bizneset të projektojnë mundësi për rritje të çmimeve të produkteve “dhe kështu të niset një spirale inflatore”.
Ai shtoi se bizneset serioze që kanë informacione paraprake, i parandiejnë lëvizjet e mundshme monetare dhe fiskale. Ndërkaq, tha se në Kosovë, çmimet e jashtme kanë shkaktuar inflacion të brendshëm.
“Sikur ta kishim prodhimin vendor dhe resurse të mjaftueshme vendore do ishte më e lehtë, sa më pak që do të ishim të varur nga importi i faktorëve të prodhimit, mundësia e kontrollimit të këtij inflacioni do të ishte më e madhe”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi ka thënë se janë dy mënyra që shteti të intervenojë në kontrollin e çmimeve - me rezervat shtetërore dhe duke fuqizuar kontrollin e tregtarëve që mund të abuzojnë me çmime.
“Kur kemi të bëjmë me inflacion të importuar dhe varshmëri të madhe të shtetit, pra të kërkesës nga jashtë, mundësitë për të ndikuar në nivelin e çmimeve janë të kufizuara. Ekziston mundësia, sikur të kishte rezerva shtetërore të artikujve elementarë. Një element tjetër që qeveria mund ta bëjë, është indeksimi i pagave. Gjatë vitit si rezultat i inflacionit paga reale e çdonjërit është devalvuar, ka humbur vlerë. Është element që duhet ta bëjë qeveria, ajo që dikur është përdorur”.
Ai ka folur edhe për Ligjin për paga, për të cilin tha se ky ligj nuk bëhet shpejt dhe se si i tillë do të jetë për 30 vitet e ardhshme. Shtoi se sindikatat duhet të bëjnë presion për rritjen e pagës minimale.
Rexhepi theksoi se çmimet mund të stabilizohen por nuk mund të kthehen në nivelin që kanë qenë.
“Pritjet reale do të ishin që kjo qeveri të brengoset për popullatën, të reagojë me përgjegjësi në situatën kur ata që ja kanë dhënë votën janë në gjendje më të vështirë. Do duhej të paktën në 2-3 segmente të veprohej më shpejtë, paga minimale, indeksimi”, tha ai.