Arbëri

Rënia e natalitetit, “normalitet shqetësues”

“Pastaj janë edhe çështje të tjera, për shembull, përpara gruaja ndoshta më shumë ka luajtur rol të amvisës fatkeqësisht dhe ka luajtur rol të kujdestares së fëmijëve, por gruaja nuk ka pasur ambicie shumë... gruaja ka pasur ambicie, por si me thanë shoqëria jonë e ka mbytur atë ambicie dhe gruaja ka përfunduar në shtëpi”, thekson Vlorian Molliqaj nga organizata joqeveritare “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”. “Kështu që tash duke i pasur parasysh krejt këta faktorë, është më e vështirë për një grua ose për një çift me pasë më shumë fëmijë për shkak se ka me pasë shumë më shumë sfida në zhvillim të karrierës”

Shaip Hajrizi është rritur në shtëpi të madhe. Lindur në fshatin Keqekollë e rritur në Prishtinë, familja Hajrizi ishte përballur me shumë vështirësi gjatë rritjes së fëmijëve.

“Kushtet kanë qenë ekstrem të dobëta. Veç një vëlla ka punu në ‘Ramiz Sadik’, kushte kanë qenë jashtëzakonisht të vështira”, thekson Hajrizi, pensionisti që deri më 2021 ka punuar në administratën e Ministrisë së Kulturës.

Ish-asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës për katër mandate është baba i katër fëmijëve, derisa asnjëri nga dy vajzat e dy djemtë e tij nuk kanë më shumë se nga dy fëmijë. “Dhe as mendojnë me vazhdu ma shumë”, thekson Hajrizi. “Shiko nataliteti është duke rënë dita-ditës në Prishtinë, në Kosovë, në përgjithësi te populli shqiptar”.

Hajrizi thotë se kushtet ekonomike dhe planifikimi familjar janë faktorët kryesorë që çiftet e reja kanë familje të vogla krahasuar me prindërit e tyre.

Dikur pasiguria politike, tani pasiguria ekonomike

Të dhënat tregojnë se mbi 56 mijë lindje të regjistruara më 1988, më 2020 Kosovës iu shtuan rreth 22 mijë banorë. Por rënia ka qenë graduale. Studiuesit e aktivistët thonë se planifikimi familjar, vështirësitë ekonomike, migrimi e mungesa e mbështetjes shtetërore kanë qenë shkaktarët kryesorë që gjatë dy dekadave të kaluara ka pasur rënie nataliteti.

Vlorian Molliqaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, e sheh si normale rënien e natalitetit në Kosovën e pasluftës.

“Është një trend normal që po na përcjell edhe neve në Kosovë”, thekson Molliqaj. “Mendoj se më shumë lidhet me faktorë të jashtëm socio-ekonomikë, dhe e shohim tash se ndoshta familjet kanë një pasiguri më të madhe në aspektin financiar, rrjedhimisht edhe lindjet që i planifikojnë, i planifikojnë konform kushteve financiare”.

Kosova për dekada me radhë është krenuar me shkallën e lartë të popullsisë rinore. Familjet ishin të mëdha edhe gjatë kohës kur çiftet e reja përballeshin me vështirësi ekonomike në Kosovë, të lënë pas dore nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia.

Ata që mendojnë se Kosova po plaket, thonë se zgjatja e jetës është një tjetër tregues që dëshmon për prishjen e raporteve midis moshës së re aktive dhe të të moshuarve. Kështu, përderisa në vitet ‘50 të shekullit të kaluar mesatarja e jetës ishte 48.6 për meshkuj dhe 45.3 për femra, në regjistrimin e vitit 2011 mesatarja ishte 74.1 për meshkuj dhe 79.4 për femra.

Antropologu Tahir Latifi, i cili ka studiuar zhvillimin e familjes shqiptare në Kosovë, tregon ndikimin e rrethanave të atëhershme ekonomike e politike në mesin e familjeve shqiptare.

“Lindjet gjithmonë kanë qenë të larta, në kuptimin për t’i plotësuar dy aspekte të sigurisë dhe të ekonomisë, që kanë qenë dy faktorë të rëndësishëm për familjet e mëdha”, thekson Latifi, ligjërues në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”. “Pra, numri i madh i anëtarëve ka nënkuptuar krah pune për blegtorinë dhe bujqësinë”, që ishin sektorët më të rëndësishëm për ekonomitë familjare në Kosovën e periudhës komuniste. Familja ishte kthyer në bërthamë sigurie edhe për shoqërinë e pushtuar.

“Pra, numri i madh i anëtarëve ka nënkuptuar forcë, siguri dhe prestigj”, thekson Latifi, duke treguar se statistikat aktuale tregojnë se Kosova ka shtim popullsie 2.1.

Ndryshimi i madh

Në familje të madhe është rritur edhe Lumnije Haxhiaj. “Ne kemi qenë shtatë fëmijë, pas luftës njëri na ka vdekur në aksident dhe gjashtë jemi rritur e jemi”, thekson Haxhiaj, aktiviste e shoqërisë civile në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Nga gjashtë që i ka pasur baba jonë, tash krejt një, dy, shumë raste të rralla janë që dikush i ka tre ose katër fëmijë”, thekson ajo, duke shtuar gjithashtu se kushtet ekonomike dhe karriera e çifteve po ndikojnë përcaktueshëm në numrin e fëmijëve. Ajo thotë se ndryshe “kemi jetuar ne si fëmijë dhe ndryshe jetojnë fëmijët e sotëm”.

“Dëgjoj koleget ose shoqet që thonë se përpara prindi i ka kryer obligimet e veshmbathjeve dhe të shkollës, ndërsa tash prindërit i marrin fëmijët dhe i çojnë nëpër qendra tregtare, i du këto veshmbathje, e du atë, do të thotë ka evoluar mënyra e jetesës”, thekson Haxhiaj.

“Pastaj janë edhe çështje të tjera, për shembull, përpara gruaja ndoshta më shumë ka luajtur rol të amvisës fatkeqësisht dhe ka luajtur rol të kujdestares së fëmijëve, por gruaja nuk ka pasur ambicie shumë... gruaja ka pasur ambicie, por si me thanë shoqëria jonë e ka mbytur atë ambicie dhe gruaja ka përfunduar në shtëpi”, thekson Molliqaj nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”. “Kështu që tash duke i pasur parasysh krejt këta faktorë, është më e vështirë për një grua ose për një çift me pasë më shumë fëmijë për shkak se ka me pasë shumë më shumë sfida në zhvillim të karrierës”.

“Sherri” i politikave sociale

Qeveria e Kosovës ka nisur ndarjen e 170 eurove në muaj për nënat e papunësuara gjatë gjashtë muajve të parë të lehonisë, derisa e njëjta shumë u ndahet vetëm gjatë tre muajve të parë nënave të punësuara. Njëherësh ka nisur ndarjen e shtesave për fëmijët deri në 16 vjet. Nga 20 euro u ndahen në muaj fëmijëve deri në dy vjet, ndërkaq fëmijëve të lindur më 2015 u ndahen nga 10 euro. Zbatimi i skemës për lindjet e mëhershme pritet të zgjerohet.

“Unë personalisht mendoj se janë politika të gabuara, dhe jo vetëm unë, por besoj se ka studime të mjaftueshme nëpër botë që tregojnë se gjithmonë këto politika – subvencionuese për nëna kryesisht – çojnë në një situatë ku nënat në fakt veç në fakt më shumë izolohet në shtëpi për shkak të atyre stimulimeve rritet numri i lindjeve, por numri i lindjeve rritet zakonisht tek ato nëna që u përkasin shtresave më të varfra të shoqërisë”, thekson Molliqaj, duke treguar se të dhënat tashmë tregojnë se numri i lindjeve pas politikës së re qeveritare është rritur në mesin e grave të komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptian.

Mediat dhe organizatat për të drejtat e njeriut shpesh raportojnë për raste të nënave të reja që largohen nga puna për shkak se punëdhënësit refuzojnë të mbulojnë pjesën e tyre financiare të pushimit të lehonisë.

Haxhiaj, duke bërë krahasime me politikat sociale në shtetet perëndimore, thotë se Qeveria duhet t’i mbështetë çiftet e reja me subvencionim të qirave apo lehtësime të tjera për blerjen e banesave me qëllim që prindëërit e rinj të mos i bëjnë planet familjare duke i lidhur kryekëput me varësinë financiare nga sektori privat. Edhe Latifi kërkon ashpërsimin e masave të kontrollit të ekonomisë joformale, ku punëtorët nuk kanë siguri.

Zbrazja legale

Studiuesit ndërkaq thonë se emigracioni është një nga treguesit mekanikë të plakjes së popullsisë. Vetëm në periudhën pas luftës së vitit 1999, përmes valëve të emigracionit të rregullt apo klandestin, më shumë se 300 mijë qytetarë llogaritet se janë larguar nga Kosova, fenomen që po vazhdon edhe sot, por tash nëpërmjet vizave të punës.

Kosovën po e lëshojnë kryesisht mosha rinore dhe njerëzit e aftë për punë, duke ndikuar në prishjen e raporteve midis popullsisë së re në moshë dhe njerëzve të moshuar.

“Shqetësimi kryesor është se po ik mosha më vitale e Kosovës, ajo që është për punë, që pritet që në të ardhmen këta me qenë ata që kujdesen për stabilitetin ekonomik dhe për mirëqenien e përgjithshme të vendit, dhe neve pikërisht kjo moshë po na ik”, thekson Latifi. “Aq më shumë se ata që kryejnë shkollimin, universitetin falas – pra shteti shpenzon, familja shpenzon - dhe rezultati i kësaj prapë është ikja. Pra, si do të kthehet gjithë ai kontribut që gjithë këto agjenci kanë bërë”, shtron pyetjen antropologu i Universitetit të Prishtinës.

Molliqaj thotë se po largohet shtresa e mesme e Kosovës, që nuk e ka telash vetëm mirëqenien elementare ekonomike, por pasigurinë e përgjithshme sociale.

“Përpara, njerëzit kanë migruar për të tashme më të mirë, tani largohen për të ardhme më të mirë”, thekson ai.

Hajrizi, prishtinasi që merr vetëm 100 euro pension për shkak se nuk iu njoh kontributi i paraluftës, megjithatë thotë me krenari se katër fëmijët e tij ia kanë respektuar kërkesën që të mos e lëshojnë vendlindjen pavarësisht sfidave të përditshme.

“As unë nuk kam pasur dëshirën me dal jashtë, me nejt në vendin tonë, në Kosovën tonë dhe këtu jemi të gjithë”, thekson ai.