Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj ka thënë se tërheqja e mjeteve nga Trusti Pensional siç po kërkohet nga opozita, nuk është terapia e duhur për kauzat të cilat po ngritën për këtë qëllim.
Ramosaj ka thënë në “Desku” të KTV-së të enjten se tërheqja e këtyre mjeteve e rrit potencialin konsumues por që kjo sipas tij nuk është zgjidhje afatgjatë.
Ai ka kërkuar që të mos bëhet politikë me ndjenjat e qytetarëve, teksa ka shtuar se futja në qarkullim në treg të mjeteve të trustit, do të ndikonte në rritje edhe më tutje të inflacionit.
“Nëse e shikojmë anën sociale, tërheqja e këtyre mjeteve rrit potencialin konsumues, shton sasinë e parave në qarkullim mirëpo kjo është një zgjidhje shumë afatshkurtër që njihet si “shok terapi”. Në aspektin social shikohet edhe në aspektin e mënyrës së ndërtimit të këtij fondi i cili është ndërtuar me qëllim që të sigurohet për aq sa është e mundur mbijetesa e kontributdhënësve pas moshës 65 vjeçare. Zvogëlimi i këtyre mjeteve i qet ata në një pozitë të vështirë afatgjatë. Mua më befasojnë zëra të ekspertëve të fushës që po mundohen të ndërtojnë kauza të paqena. Kauza është e tipit të tillë që vërtetë është një varfëri e lartë, shkallë e lartë e inflacionit mirëpo nxjerrja e mjeteve nga fondi nuk është terapia. Terapinë duhet ta zgjedh shteti në forma të tjera. Nuk bëhet politikë me ndjenjat e qytetarit”, ka thënë Ramosaj.
Sipas tij, në këtë situatë kur ngritja e çmimeve po vazhdon terapi do të ishin masat e politikës tatimore, të formave të ndryshme të financimit të produkteve esenciale.
Ramosaj ka thënë se tërheqja e parave nga trusti nuk do ta zbuste gjendjen e qytetarëve pasi siç ka thënë, sipas Bankës Botërore nuk ka shancë të ndodhë rënia e çmimeve para fillimit të vitit 2025.