Dugagjin Sahatqiu, shef i qendrës së vaksinimit në Pejë, tregoi se prej 2 prillit, kur ka nisur vaksinimi në Pejë, procesi ka shkuar më shpejt sesa që kanë pritur dhe se interesim shumë të madh për vaksinim kanë treguar personat e moshuar. Mirëpo, në këtë qendër, sipas Sahatqiu asnjë qytetar i komunitetit serb nuk është paraqitur për vaksinim
Në Komunën e Pejës nuk është regjistruar asnjë rast vaksinimi i qytetarëve të nacionalitetit serb, ndonëse në procesin që ka nisur prej afro dy javë, janë vaksinuar 1200 persona, aq doza sa edhe i janë ndarë deri tash kësaj komune nga Ministria e Shëndetësisë.
Dugagjin Sahatqiu, shef i qendrës së vaksinimit në Pejë, tregoi se prej 2 prillit, kur ka nisur vaksinimi në Pejë, procesi ka shkuar më shpejt sesa që kanë pritur dhe se interesim shumë të madh për vaksinim kanë treguar personat e moshuar. Në mungesë të interesimit për vaksinim të një numri të madh të personelit mjekësor të institucioneve shëndetësore publike e private në Pejë, është bërë e ditur se kanë tepruar gati gjysma e dozave. Kjo sasi e vaksinave u është ofruar personave të moshuar, pacientëve në dializë dhe personave që nuk mund të lëvizin.
“Interesimi është i madh i personave të moshuar. Aktualisht kemi në lista të pritjes që janë paraqitur rreth dy mijë të moshuar dhe persona me sëmundje kronike të gjitha moshave mbi 40 vjeç. Dhe çdo ditë po paraqiten. Vetëm të enjten kanë qenë 110 veta që janë regjistruar për vaksinim”, thotë Sahatqiu. Mirëpo, në këtë qendër të vaksinimit në Pejë, deri tash sipas Sahatqiut asnjë qytetar i komunitetit serb nuk është paraqitur për vaksinim.
“Kemi mjaftë të komunitetit rom, egjiptian, ashkali e boshnjak që janë vaksinuar dhe normal edhe shqiptar. Mirëpo të komunitetit serb jo dhe siç duket ata vaksinohen në qendrat mjekësore të sistemit paralel në enklavat e tyre, që janë në përgjegjësi të Republikës së Serbisë”, thotë Sahatqiu.
Ai tregon se mes kësaj qendre dhe shtëpisë së vetme të shëndetit në fshatin Gorazhdec, e cila është nën ombrellën e institucioneve shëndetësore të Serbisë, nuk ka kurrfarë komunikimi.
“Qytetarët serbë edhe për sistemin e rregullt të vaksinimit nuk i sjellin fëmijët te na, po i vaksinojnë në shtëpinë e shëndetit në Gorazhdec”, thotë Sahatqiu.
E në Komunë pohojnë se kanë kontakte dhe bashkëpunim me komunitetin serb të kësaj komune, por nuk kanë njohuri për vaksinimin e tyre.
“Vaksinimi ka qenë deri tash në baza vullnetare. Ne nuk kemi informacione për vaksinimin e tyre. Por, nuk duhet përjashtuar edhe mundësia se qytetarët e ndryshëm janë vaksinuar edhe në republikat fqinje. Po e theksoj që ka pasur edhe të tillë që e kanë gjetur mundësitë e tyre dhe kanë shfrytëzuar rastin e vaksinimit edhe në shtetet e tjera”, thotë Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë.
Në shtëpinë e shëndetit në Gorazhdec, e cila ofron shërbime shëndetësore për rreth një mijë serb sa jetojnë aktualisht në disa lokalitete këtë komunë, kanë njohuri për vaksinimin që ka nisur edhe në Pejë. Stanislava Radoviq, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Gorazhdec, tregon se komuniteti serb është njoftuar nga një përfaqësues i UNICEF-it se edhe në Pejë ka nisur vaksinimi, por ajo beson që institucionet në Pejë nuk i kanë njoftuar me mendimin se veç e kanë ditur që popullata serbe në këtë komunë kaherë ka nisur të vaksinohet në Serbi.
“Kjo nuk është situatë vetëm në Gorazhdec, por në gjitha enklavat serbe në Kosovë. Ky është muaji i tretë a i katërt kur ka nisur vaksinimi në Serbi dhe njëkohësisht ka nis edhe në enklavat serbe në Kosovë, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar futjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë dhe ne kemi dashtë sa më shpejt me vaksinua popullatën serbe në Kosovë, sepse në muajin shkurt kemi pas numër të madh të infektuarve. Kështu që është dashtë të gjejmë një mënyrë dhe është caktuar që vaksinimi të bëhet në Serbi”, tregon ajo.
Radoviq tregoi se ka edhe një arsye tjetër pse nuk ka shkuar të vaksinohet asnjë qytetar serb në qendrën e vaksinimit në Pejë.
“Populli ynë më shumë e do vaksinën kineze dhe atë ruse, për arsye se ato kanë më së paku efekte anësore dhe se popullata serbe më shumë ka besim në këto vaksina”.
Prej që ka filluar vaksinimi në Serbi, sipas mjekes Radoviq, janë vaksinuar rreth 40 për qind e serbëve të Pejës, të cilët sipas saj, edhe pasi të fillojë vaksinimi masiv i popullatës në Pejë, do të vazhdojnë të vaksinohen në Serbi, me arsyetimin se atje u duhet marrja e dozës së dytë.
Deri tash nga Komuna e Pejës nuk i janë ofruar vaksina shtëpisë së shëndetit në Gorazhdec, por nëse kjo ndodh në të ardhmen, Radoviq nuk e di nëse do të pranohen apo refuzohen.
“Kjo nuk varet nga unë edhe pse jam drejtoreshë e Shtëpisë së shëndetit. Kjo varet prej popullit, se askush nuk mundet popullit me i thënë se ku duhet të vaksinohet. Dhe nëse e ndiejnë nevojën të shkojnë të vaksinohen edhe në Pejë, të shkojnë. Për ne me rëndësi është që popullata të vaksinohet dhe të jetë e mbrojtur”, tha ajo për KOHËN.