Të padrejtë e kanë kualifikuar punën e Gjykatës Speciale, qytetarët të cilët marshuan të dielën në sheshet e Prishtinës, në shenjë solidarizimi me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë. Ata, themelimin e Gjykatës Speciale e quajtën proces të imponuar nga ndërkombëtarët, e bënë thirrje që të ruhet e kaluara në kujtesën kolektive të shoqërisë
Me muzikë patriotike e me flamuj kuqezi, mijëra qytetarë marshuan të dielën në Prishtinë, në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tash e tre vjet po mbahen në paraburgim në Hagë.
Me pankartën "Liria ka emër", doli për të protestuar pensionisti Adem Lavi. Ai e cilësoi të padrejtë punën e Dhomave të Specializuara në Hagë, ku të hënën nis gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve.
“Ia kemi borxh atdheut gjithherë daljen. Padrejtësitë që na sjell Evropa dhe bota vetëm ndaj nesh qytetarëve. E kam porosinë që Haga është një gjykatë shumë e padrejtë në rrafshin ndërkombëtarë, e sidomos në atë shqiptarë”, ka thënë Lavi.
E vlerë sublime të popullit shqiptar e ka quajtur luftën e UÇK-së, qytetari Mehdi Veliqi nga Obiliqi.
“Kam ardhur në protestë m'i përkrahë luftëtarët tonë, që gjenden në Hagë të pafajshëm dhe uroj që të mos gjykohen pa faj se janë çlirimtarë e as fashista e as siç po i quajnë këta elita kriminale. Kjo është proces i montuar politikisht nga shtetet që nuk e duan Kosovën, siç është Serbia e Rusia”, ka thënë Veliqi.
Thirrje që të ruhet e kaluara në kujtesën kolektive, kanë bërë qytetarët gjatë marshit në sheshet e kryeqytetit. Ata kërkuan që të lirohen ish-eprorët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Përveç në gjuhë shqipe, protestuesit që në sheshet e kryeqytetit u mblodhën nga e tërë Kosova, mbanin pankarta edhe në gjuhë angleze, për siç thanë, të përçojnë mesazhin për vendosje të drejtësisë edhe te ndërkombëtarët.
“Ne presim që të dalin faqebardhë, ashtu siç ishin me të vërtetë çlirimtarët e vendit tonë. Nuk ka asnjë arsye që ne të dyshojmë që ata kanë bërë ndonjë krim ose secili ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne kemi luftuar për atdheun tonë dhe i kemi mbrojt trojet tona, kemi mbrojt familjet tona”, ka thënë Agron Kajtazi, qytetar.
"Kemi dalë sot të marshojmë për drejtësi, për ata që janë të burgosur padrejtësisht, edhe shpresojmë që sa më shpejt të vijnë në Kosovë", ka thënë Hyre Mazreku, qytetare.
Themelimin e Gjykatës Speciale e quajtën imponim nga ndërkombëtarët.
"Sot kemi ardhur për marshin e drejtësisë për liderët tonë të UÇK-së që padrejtësisht gjenden në Hagë. Gjithmonë Ushtria Çlirimtare ka bërë luftë të drejtë dhe të pastër, për lirinë e vendit të vet. Është imponim gjykata, imponim është çka të bëjmë ne, i dëshirojmë lirim sa më të shpejtë", ka thënë Gëzim Zhutani, qytetar.
Themelimi i Gjykatës Speciale është votuar në gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës me 82 vota pro.