Obligimet kontingjente që komunat e Kosovës i obligohen bizneseve për shkak të padive që kanë ngritur ato për dëme materiale e kolaterale në vitin 2020 kanë arritur në mbi 91 milionë, derisa të hyrat vetanake të komunave janë rreth 75 milionë euro.
Kështu ka njoftuar Hulumtuesi i Institutit GAP, Bekim Salihu, derisa ka folur për raportin e nxjerrë nga ky institut ku tregohet se asnjë projekt i audituar nuk është kryer me kohë.
Ai madje e përmendi edhe borxhin total të qytetarëve ndaj komunave, ku tha se ky borxh është rreth 200 milionë euro, por se këto taksa nuk arrijnë të mblidhen për shkak se po shpresohet se nëse komunat ngrinin padi, mund të hyjë në fuqi ligji për faljen e borxheve për periudha të caktuara.
“Obligimet kontingjente nënkuptojnë që një biznes e ka paditur komunën në procedurë gjyqësore për një dëmi material apo kolateral që i ka shkaktuar komuna atij biznesi. Në momentin që është paditur, është vlerësuar dëmi. Dëmi në vitin 2017 ka qenë 66 milionë euro, në vitin 2020 është 91 milionë euro që është më shumë se të gjitha të hyrat vetanake që kanë të gjitha komunat e Kosovës për një vit, të hyrat vetanake të tyre janë rreth 75 milionë euro për një vit. Kjo do të duhej të adresohej në nivel ndërinstitucional, sepse ky është rrezik potencial”, ka thënë ai. “Mbi 200 milionë euro qytetarët u kanë borxh komunave, por mbledhja e taksave sipas tij po dështon për shkak se po shpresohet se prap do të nxjerrët një vendim që borxhi të falet sikurse ka ndodhur më parë”, ka shtuar Salihu.
I ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Salihu ka thënë se raporti i nxjerrë nga ky institut ku tregohet se asnjë projekt i audituar nuk është kryer me kohë nga gjithsej 25 projektet e kontraktuara nga Auditori i Përgjithshëm dhe komunat sa u përket sfidave të këtyre të fundit që lidhen me investimet kapitale, me të hyrat vetanake dhe menaxhimin e pronës komunale.
Sipas tij, në të gjitha rastet në këto projekte, pjesa më e madhe e kohëzgjatjes së investimeve është paraparë për t’u bërë brenda 140 ditëve të punës, por ka zgjatur nga 400 deri në 900 ditë.
“Auditori i përgjithshëm ka audituar gjatë vitit 2019-2020, 25 projekte në komunat e ndryshme të Kosovës dhe e ka vlerësuar performancën e këtyre projekteve, e ka matur vlerën e parasë. Dimensioni kryesor i vlerësimit të kësaj vlere është bërë duke e matur kohëzgjatjen e investimit. Auditori ka gjetur që në asnjë rast në 25 projektet e audituara nuk ka përfunduar në kohën e paraparë me kontratën e lidhur ndërmjet këtyre dy subjekteve, madje ka raste kur projektet kanë nisur në vitin 2013 dhe nuk kanë përfunduar deri në vitin 2020. Në të gjitha rastet, pjesa dërmuese e kohëzgjatjes së investimeve është paraparë për t’u bërë brenda 140 ditëve të punës, përveç disa projekteve tjera, në secilin rast ka zgjatur 400-600 deri në 900 ditë”, ka thënë ai.
Salihu ka njoftuar se është arritur të evidentohen faktorët që kanë shkaktuar këtë gjendje, duke thënë se komunat nisin investime pa bërë planifikime, ka probleme pronësore dhe të mbikëqyrjes, por edhe për shkak se mungojnë kapacitetet e resurseve humane dhe teknike.
Për këtë, sipas tij nuk ka pasur asnjë reagim serioz nga institucionet për ta rregulluar këtë problem.
“Instituti GAP nëpërmjet analizës ka arritur të evidentojë një mori faktorësh se pse po shkaktohet kjo gjendje, e para është që komunat nisin investimet pa bërë planifikime, nuk hartojnë projekte teknike, detaje në lidhje me investimin që planifikohet të bëhet, ka probleme pronësore, ka probleme të mbikëqyrjes, dhe fakti që kompanitë private që marrin punë publike për të përfunduar, kanë mungesë të kapaciteteve të resurseve humane dhe teknike. Nuk kemi parë ndonjë adresim serioz nga institucionet e Kosovës, qoftë nga niveli qendror apo lokal për të adresuar këtë problem për ta rregulluar”, ka thënë ai.
Sipas tij, në 90 për qind të rasteve, përveç mungesës së planeve dhe projekteve për investime, problemi i dytë ka dalë mungesa e zotimit të mjeteve në kategoritë e projekteve për çfarë është paraparë investimi.