Arbëri

Qeveria në proces të raportimit të reformave, shoqëria civile konstaton ngecje

Ngërçi politik që po e mban të bllokuar konstituimin e institucioneve të reja ka vënë në pikëpyetje përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane. Qeveria që aktualisht është në proces të raportimit të realizimit të agjendës së reformave për pjesën e parë të vitit 2025, insiston se bllokada aktuale në Kuvend ende nuk e rrezikon këtë proces. Por organizata të shoqërisë civile theksojnë se ka vonesa serioze në përmbushjen e reformave

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë insistuar se zbatimi i reformave nga Agjenda Evropiane nuk rrezikohet si pasojë e bllokadës në Kuvend, tek konfirmuan se janë në proces të raportimit për pjesën e parë të vitit 2025. Por nuk e kanë përjashtuar mundësinë që kjo situatë të ketë ndikim negativ në të ardhmen, gjë të cilën e kanë paralajmëruar edhe në Bashkimin Evropian.

“Aktualisht ne jemi në proces të raportimit të realizimit të agjendës së reformave për gjysmëvjetorin e parë të vitit 2025. Andaj theksojmë se zbatimi i marrëveshjes dhe agjendës së reformave aktualisht nuk rrezikohet, por natyrshëm do të ketë ndikim negativ nëse bllokada e opozitës në Kuvend do të vazhdojë”, ka thënë Klisman Kadiu, këshilltar politik në zyrën e zëvendëskryeministrit për integrime dhe dialog, Besnik Bislimi.  

Përderisa nuk ratifikohet marrëveshja me BE-në, Kosovës do t'i mohohen 61.8 milionë euro si parafinancim nga Plani i rritjes dhe 32,8 milionë nga reformat që Kosova veçse i ka zbatuar, pra në total rreth 94 milionë euro.

Bllokimi i mbi 800 milionë eurove të Bashkimit Evropian si pasojë e moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit që duhet ta ratifikojë marrëveshjen me bllokun, ndikon direkt edhe në projektet që lidhen me integrimin e Kosovës, si: arsim, zhvillim ekonomik e mirëqenie të qytetarëve.

Organizatat që merren me monitorim të përmbushjes së kritereve që dalin nga integrimi në BE konstatojnë ngecje në zbatimin e agjendës së reformave.

“Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) ka dalë pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Vetë MSA-ja është paraparë dhjetë vjet. Duke qenë se zbatimi i saj ka qenë në shkallë të ulët, Bashkimi Evropian ka bërë një lloj kërkese ndaj Qeverisë për t’i përshpejtuar reformat përmes ERA-s. Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) e ka pasur afatin kohor të kufizuar, dhe meqë ato reforma nuk ishin përmbushur, më pas është arritur ERA 2. Tash po rrezikojmë që edhe agjenda e reformave aktuale ta ketë fatin e njëjtë. Duke qenë se tash jemi te Plani i Rritjes, kjo në një mënyrë ka rënë në plan të dytë. Meqë kemi qenë nën masa sanksionuese të BE-së nga qershori i vitit 2023, nuk janë mbajtur takimet e Komiteteve dhe nën Komiteteve të MSA-së, për atë arsye edhe aty ka pasur një lloj ngecjeje. Edhe pse ligjërisht është në fuqi politikisht, tashmë vëmendja është te Plani i Rritjes”, ka theksuar Besar Gërgi, hulumtues në GLPS.

Sipas monitorimit të Agjendës së reformave, e përditësuar këtë muaj nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2025, Kosova nuk arriti të bëjë përparime domethënëse në zbatimin e Agjendës së saj të Reformës.

“Nga njëra anë janë përmbyllur proceset dhe procedurat për krijimin e strukturave ligjore dhe teknike për zbatim, siç është dorëzimi zyrtar i Agjendës së Reformës në Komisionin Evropian. Megjithatë, nga ana tjetër, emërimi i koordinatorit Kombëtar të Agjendës së Reformës dhe krijimi i strukturave kombëtare për monitorim, siç janë Komiteti Mbikëqyrës i Fondit për Rritje dhe Shërbimi për Koordinim Kundër Mashtrimit, nuk janë vendosur ende, ndërsa ratifikimi zyrtar i Marrëveshjes për Fondin dhe Marrëveshjes për Huadhënie është ende në pritje. Për më tepër, ratifikimi i marrëveshjes, themelimi i strukturave kombëtare për monitorim dhe përfshirja e shoqërisë civile mbeten të paplotësuara. Si rezultat, Kosova nuk ishte e kualifikuar për fondet para-financuese prej 61.8 milionë eurosh”, thuhet në raportin e GLPS-së.

Në këtë përditësim, monitoruesi i reformës ka ndjekur 13 nga 20 hapat e reformës të parashikuara për afatet e dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025. Në përgjithësi, konstatohet se programi i reformave është jashtë afateve për këtë semestër, duke komprometuar seriozisht zbatimin e qëndrueshëm të Agjendës së Reformës.

“Kosova ende nuk ka një Kuvend dhe Qeveri funksionale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ndërsa kjo paqëndrueshmëri politike ka ndikuar në të gjitha fushat e qeverisjes, Agjenda e Reformës është përballur me pengesa serioze për shkak të mungesës së vendimmarrjes së qëndrueshme”, thuhet në raport.

Marrëveshja për Instrumentin Financiar, e cila vendos të gjitha strukturat që do të zbatojnë dhe monitorojnë Agjendën e Reformës, është negociuar e nënshkruar nga Komisioni Evropian dhe Qeveria, dhe është miratuar nga kjo e fundit, por ende nuk është ratifikuar nga Kuvendi.

Sipas raportit, marrëveshja për huadhënie është ende në proces negociatash dhe gjasat janë të vogla që ato të përmbyllen pa një qeveri me mandat të plotë.

“Përfundimi dhe ratifikimi i këtyre marrëveshjeve është parakusht për të përfituar para-financimin prej 7% të gjithë paketës së fondeve të dedikuara për Kosovën, që kap shumën prej 61.8 milionë eurosh”, thuhet në raport.

Vakumi në vendimmarrje ka ndikuar edhe në ritmin e reformave, pasi shumë prej tyre kërkojnë miratimin e ligjeve në Kuvend dhe strategjive në Qeveri, dhe siç konstatohet nga GLPS-ja, kjo bllokon hapat pasues.

“Nëse Kosova nuk arrin të ketë së shpejti një ekzekutiv dhe legjislativ funksional, rrezikon të humbë vrullin edhe për hapat e reformës të paraparë për dhjetor 2025, çka do të thotë se tre nga shtatë semestra do të jenë seriozisht prapa afatit. Një skenar i tillë do të dëmtonte rëndë integritetin e Agjendës së Reformës dhe mund të çonte potencialisht në rinegociimin e saj”, shkruan në raportin e GLPS-së.

Partitë që fituan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokadën që ka ndikim në raport me BE-në. Edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses, partitë nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e betonuara prej 15 prillit kur nisi seanca konstituive. Lëvizja Vetëvendosje insiston në votim të fshehtë për kandidaten Albulena Haxhiu, e ish-opozita që nuk po merr pjesë në votim është duke kërkuar ndërrimin e kandidatit për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit.

Klisman Kadiu e ka akuzuar opozitën për bllokadën, siç ka thënë, të pakuptimtë në Kuvend, “e cila mund të ketë ndikim negativ në procese kaq të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, siç është integrimi evropian, e specifikisht në këtë rast me Planin e Rritjes”.

Kadiu ka deklaruar se në opinionin publik po krijohen me ose pavetëdije alarme të vazhdueshme në lidhje me Planin e Rritjes, sipas tyre, ndonjëherë edhe të paqena. Sipas tij, ka edhe organizata të shoqërisë civile në Kosovë që insistonin dhe vazhdojnë të insistojnë se Kosova do t'i humbasë mjetet e parafinancimit menjëherë pas 1 korrikut.

Për mosratifikimin e marrëveshjes para disa ditësh ka shprehur shqetësim edhe Bashkimi Evropian. Zyrtarë të bllokut kanë thënë se Kosova mbetet në të drejtën e saj për të përfituar nga financimi paraprak sapo të ratifikohen marrëveshjet përkatëse të lidhura me Programin për Reforma dhe Zhvillim. Megjithatë, sipas tyre, Programi për Reforma dhe Zhvillim është një instrument me kohë të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, “dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt për të shfrytëzuar në maksimum të gjitha mundësitë që ofron Plani i Zhvillimit, në të mirë të qytetarëve të saj”.