Arbëri

Qeveria miraton Strategjinë e Sigurisë, Ramadani pret mbështetje unanime të Kuvendit

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka njoftuar se Strategjia e Sigurisë është miratuar të premten nga Qeveria e Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se Strategjia e Sigurisë së Kosovës u miratua të premten, më 19 korrik, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa para tri ditësh më 16 korrik 2019 u miratua në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Sipas Ramadanit, kjo paraqet një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në kompletimin e politikave strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

“Strategjia e Sigurisë së Republikës së Kosovës, e cila është për të gjithë dhe promovon një vizion të vetëm: Kosova, e sigurt, e mbrojtur dhe prosperuese”, thotë ai.

Si Kryesues i grupit në hartimin e Strategjisë, ai është shprehur i kënaqur me punën tashmë e ekpit ndër-institucional, të përbërë nga 21 institucione, përfaqësues të shoqërisë civile, dhe në mbështetje të plotë këshilluese nga partnerët amerikanë.

Ai tutje thotë se është punuar një vit në këtë Strategji, e cila domosdoshmërisht ka qenë punë komplekse, sensitive dhe e mbushur me parapërgitje në bazë të dokumenteve të klasifikuara përgjithësisht.

“Gjatë kësaj periudhe gati një vjeçare, kam pasur kënaqësinë që të punoj me një grup shumë profesional, parimor dhe të përkushtuar në punën e vet. Strategjia e Sigurisë është dokument i Kosovës. Merr për bazë nevojat dhe kërkesat e Kosovës në siguri, ndërsa kemi pasur këshillim të vazhdueshëm nga nivele të ndryshme të SHBA-së”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, ai ka shprehur mirënjohje për Zyrën për Bashkëpunim në Mbrojtje (ODC) dhe Atasheut Amerikan të Mbrojtjes, Kol. Ryan Nichols. Po ashtu, mirënjohje e veçantë për Qendrën Marshall (George C. Marshall – European Centre for Security Studies) për mbështetjen profesionale. Mirënjohje edhe Universitetit të Harvardit, si dhe U.S Army War College. Mirënjohje për DGMT-në, sikurse edhe për partnerët në nivele të ndryshme në Ambasadën Amerikane në Kosovë dhe në USAID.

“Ka qenë një punë jashtëzakonisht e përkushtuar. Po ashtu, shpreh mirënjohjen për kontributin, angazhimin dhe konsultimet me përfaqësuesit e 21 institucioneve dhe agjencive të Kosovës, sikurse edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, QKSS-së, dhe KIPRED-it”, thotë Ramadani.

Ai njofton se qëllimet shtetërore strategjike janë:

1. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial për të garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme përmes përdorimit efektiv të të gjitha kapaciteteve shtetërore.

2. Forcimi, avancimi dhe modernizimi i institucioneve për të ofruar shërbime të kualitetit më të mirë, përmirësuar efiçiencën, rritur besimin e publikut dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

3. Përshpejtimi i zhvillimit ekonomik, rritja e konkurrueshmërisë, zvogëlimi i ekonomisë joformale dhe siguria energjetike.

4. Thellimi i vazhdueshëm i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritetet tradicionale me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, anëtarësimi në NATO, si dhe kontributi aktiv në sigurinë rajonale dhe globale, përmes pjesëmarrjes aktive në mbështetje të paqes.

Sipas tij, kjo Strategji udhëzon veprimet për të ndërtuar ambientin e sigurt dhe të mbrojtur që do të mundësojë Kosovën të jetë prosperuese.

Ramadani thotë se, Strategjia definon politikat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe identifikon listën unike të kërcënimeve ndaj sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Duke forcuar përparësitë, avancuar e modernizuar institucionet, Republika e Kosovës do të bëhet model rajonal i stabilitetit, sigurisë, mbrojtjes, dhe prosperitetit, një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale, me politika të barabarta fqinjësore të partneritetit, dhe plotësisht e aftë për t’u anëtarësuar në NATO, BE, OKB dhe organizatat tjera”, thotë ai.

Strategjia për të bërë Kosovën të sigurt, të mbrojtur dhe prosperuese promovon vlerat e lirisë, sigurisë, paqes, demokracisë, barazisë, dhe prosperitetit.

Ramadani shton se në periudhën vijuese, do të punojmë ngushtë me deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha grupet parlamentare, për të prezantuar Strategjinë e Sigurisë, me pritje për mbështetje unanime të Kuvendit, qoftë sa më parë, qoftë pas zgjedhjeve.