Arbëri

Qeveria akuzohet se me vendimin për targat rrezikon raportet me SHBA-në

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për sanksionim të shkallëzuar të qytetarëve të Kosovës që nuk i konvertojnë targat e Serbisë në ato RKS ka nxitur reagime të shumta. Partitë opozitare në Kosovë kanë drojë se me këtë vendim të kryeministrit Albin Kurti është prishur partneriteti me SHBA-në. Opozita e kritikon Ekzekutivin se pse nuk e ka zbatuar vendimin për targa pa shtyrje dhe gjithashtu edhe për atë se nuk është koordinuar me SHBA-në për shtyrjen e tij për 10 muaj

Plani i Qeverisë së Kosovës për implementim shkallë-shkallë të vendimit për targat ilegale, sipas opozitës, i ka dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë drojë opozita e ka shprehur pas deklarimit të Departamentit Amerikan të Shtetit se SHBA-ja është e zhgënjyer që Qeveria nuk e mori parasysh kërkesën e tyre dhe të BE-së për ta shtyrë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia, në ato të Republikës së Kosovës.

Partitë opozitare nuk kanë pasur pozicionim të qartë nëse janë për ta zbatuar ligjin në veri apo nëse janë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës amerikano-evropiane, për ta shtyrë afatin për 10 muaj. Sipas opozitës, është dashur edhe të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, por edhe të zbatohet vendimi.

Kritika për Ekzekutivin të shtunën ka pasur edhe ish-kryenegociatorja e bisedimeve me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo e quajti të dështuar Qeverinë në përpjekjet e saj për ta zbatuar ligjin edhe në veri.

“Qeveria as nuk e zbatoi marrëveshjen për targa dhe as nuk u koordinua me partnerët amerikanë. Dy dështime! Injorancë politike!”, ka thënë Tahiri.

Në Partinë Demokratike të Kosovës janë shprehur se janë për zbatim të ligjit njësoj, si në komunat veriore ashtu edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Bernard Nikaj, sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare në PDK, ka thënë se para se të merreshin vendime të tilla si ai i Qeverisë është dashur të ketë koordinim të ngushtë të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Ai ka thënë se i ka takuar Ekzekutivit të gjejë zgjidhje në linjë me kërkesat e ndërkombëtarëve dhe jo të marrë vendime të ngutshme e të pamatura të cilat, sipas tij, e dëmtojnë partneritetin me SHBA-në.

“Qëllimi i Qeverisë do të duhej të ishte ose zbatimi pa shtyrje të mëtejme i vendimit legjitim në funksion të sundimit të ligjit edhe në veri të vendit, ose koordinim i plotë me partnerët ndërkombëtarë për të fuqizuar pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut. Por, me vendimin e Qeverisë nuk u arrit asnjëri nga këto qëllime”, ka thënë Nikaj.

Kritikë të tillë se Kosova po e prish marrëdhënien me SHBA-në pati edhe ish-koordinatori për dialogun me Serbinë në Qeverinë Hoti, Skënder Hyseni. Ai ka thënë se Kosova është shtet falë përkrahjes së demokracive perëndimore në krye me SHBA-në. Hyseni ka thënë se duhet urgjentisht të rivendoset komunikimi dhe koordinimi i politikave me Administratën e Presidentit Biden dhe të intensifikohen përpjekjet nga Qeveria për ta ruajtur partneritetin me Bashkimin Evropian.

“Sot Kosova udhëhiqet nga dy aventuristë egocentrikë e narcizoidë, të cilët duke bërë lojëra fëmijësh me TARGA po rrënojnë aleancën dhe partneritetin me vendet më demokratike, përkatësisht me përkrahësit strategjikë të Kosovës në botë”, ka thënë Hyseni.

Reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka ardhur vonë të shtunën disa ora pasi nga kjo parti kishin deklaruar se nuk ka çfarë të thuhet më, pas deklaratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një shkrim në Facebook, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi i fundit i kryeministrit Albin Kurti për targat është “shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin”.

“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të botës të na ndihmojnë t'u japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye më vete e pa koordinim me partnerët strategjikë. Nuk mund t’u kërkosh vendeve mike ndihmë e të mos i përfillësh këshillat e tyre, aq më tepër kur ato, jo vetëm se të kanë marrë nën mbrojtje, por falë edhe angazhimit të tyre Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. Kjo është në kundërshtim edhe me traditën shqiptare”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga Kurti që ta rishikojë vendimin për targat.

“Dua të besoj se zhgënjimi i shprehur i partnerëve tanë me këtë vendim të kryeministrit nuk do të ketë pasoja për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka Kosova me ta”, ka përfunduar Haradinaj.

Serbët të cilët posedojnë targa ilegale fillimisht do të qortohen, më pas do të gjobiten, pastaj do të detyrohen të bartin targa provuese e tek në muajin prill synohet që veturat me regjistrimin e Serbisë të largohen plotësisht nga qarkullimi. Pra, nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor të gjithë ata që kanë targa ilegale do t’iu shqiptohet qortimi, më pastaj nga 21 nëntori për dy muaj do të ketë gjobë për mosrespektuesit e ligjit. Prej 21 janarit të vitit të ardhshëm deri më 21 prill për tre muaj është i mundshëm qarkullimi vetëm me targa provuese, por jo më me targat KM.

Përveç reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë shprehur të zhgënjyera për mënyrën se si kryeministri ka planifikuar ta zbatojë vendimin për targat të premten është deklaruar edhe Lista Serbe, e cila pati paralajmërime se përgjigjet e saj ndaj këtij plani do të jenë të ashpra. Për çështjen e targave i zhgënjyer është shprehur edhe ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili ka thënë se për shkak të një çështjeje si kjo procese të mëdha si integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në instancat e tjera euroatlantike kanë mbetur nën hije.