Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, ka konsideruar se nuk pritet ndryshim te rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA pa kaluar edhe disa gjenerata të 15-vjeçarëve.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Qehaja ka thënë se nevojitet ndryshim i politikave dhe një mësimdhënie që e nxit logjikën dhe të menduarit kritik.
“Ndryshim në rezultat padyshim që nuk mund të presim. Nuk mund të presim pa kaluar disa gjenerata të këtyre 15-vjeçarëve, të ekspozuar në ndryshim të qëndrueshëm të politikave, në një mësimdhënie që e nxit logjikën dhe të menduarit kritik, vetëm atëherë këta 15-vjeçarë që futen në test mund të na sjellin një rezultat të mirë atje”, është shprehur ai.
Qehaja më tej ka thënë se ky testim ka dëshmuar që mësimdhënia në klasë është po e njëjta si ajo e para dy dekadave.
“Testi PISA na ka dëshmuar që mësimdhënia në klasë është ajo e njëjta si para 1 apo dy dekadave kur ne kemi qenë nxënës, asgjë nuk ka ndryshuar përkundër që kanë ndryshuar kurrikula, tekstet, planprogramet, gjeneratat, mirëpo mësimdhënia është tipike tradicionale”, ka theksuar Qehaja.
Njohësi i fushës së arsimit ka thënë se përgjegjësia për rezultatet e dobëta është e shumëfishtë.
“Shumëçka ka dështuar së zbatuari për shkak të mungesës së përgjegjësisë. Kjo mungesë e përgjegjësisë shkon nga institucioni qeveritar i MASHTI-t që çdo politikë nuk e çon tutje deri në klasë, por edhe deri te mësimdhënësi që këto politika nuk i çon tutje deri te nxënësi. Përgjegjësia është e shumëfishtë dhe është ekskluzivisht e kufizuar te mungesa e mekanizmave”, ka thënë ai.