Arbëri

Pas sulmit në Banjskë, mbyllen 30 rrugë ilegale

Majori i Drejtorisë së Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, drejtori kjo e themeluar më 22 mars 2022, ka thënë se me anë të bashkëpunimit me KFOR-in është arritur që nga 24 shtatori të mbyllen dhjetëra rrugë ilegale. Njohës të sigurisë i kanë vlerësuar patrullimet e përbashkëta dhe shtimin e pranisë së KFOR-it garanci për sigurinë karshi rrezikut për përsëritjen e sulmeve të armatosura nga Serbia

Dhjetëra rrugë ilegale në veri që kanë lidhur Kosovën me Serbinë janë mbyllur që nga 24 shtatori, ditën kur një grup i armatosur serb organizoi sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit. Kontrollin e kufirit me Serbinë e ka ndihmuar edhe Drejtoria e Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë, e cila është themeluar një vit më parë dhe ndihmon Drejtorinë për Patrullim Kufitar, ndërsa të dyja bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet e KFOR-it, që javëve të fundit janë shtuar edhe në numër.

Ekipi i KOHË-s ka shoqëruar patrullën e saj të premten, gjatë një aktiviteti rutinë.

Rritja e prezencës është edhe si rezultat i agresionit të Serbisë nëpërmjet një grupi serbësh të armatosur që më 24 shtator hynë në territorin e Kosovës, e që sipas institucioneve të Sigurisë në Kosovë dhe sulmuan Policinë e Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën policë të tjerë.

Shefi i Sektorit të Operativës, ka thënë për KOHËN se Drejtoria për Reagim të Shpejtë në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, që nga rasti Banjska, kanë mbyllur tridhjetë rrugë ilegale në komunat e banuara me shumicë serbe.

“Drejtoria e Njësive të Ndërhyrjes së Shpejtë, me efikasitet ka numër të mjaftueshëm të operatorëve asiston departamentin e kufirit në mënyrë të parandalimit, futjes së grupeve qoftë për kontrabandë, apo grupe kriminale ose terroriste. Ne vetëm pas incidentit të Banjskës ka më shumë se tridhjetë rrugë që i kemi vlerësuar në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme, dhe i kemi mbyllur apo kemi vendosur pengesa, ose gropime. Dhe këto rrugë vazhdimisht inspektohen nga pjesëtarët apo njësitë tona, këtu vlen të theksohet edhe operimi me dronë”, ka bërë të ditur Shefi i Sektorit të Operativës.

Për koordinim me KFOR-in britanik, amerikan, rumun dhe grek ka folur shefi i Sektorit të Operativës. Sipas tij, ky njësit, kryen hetime intensive në katër komunat veriore.

“Patrullimi i përbashkët me KFOR është i shkëlqyeshëm. Me KFOR-in amerikanë dhe britanik jemi duke bashkëpunuar shumë mirë, ata e bëjnë sigurimin, avancimin përpara dhe ne bëjmë pjesë të tjera të punës, patrullimin, ndalimin eventual të mjeteve të dyshimta apo edhe mjeteve të tjera.

Që nga rasti në Banjskë, numri i pjesëtarëve të KFOR-it britanik është rritur. Nga ky mision i NATO-s në Kosovë kanë thënë për KOHËN se aktivitetet e përbashkëta me Policinë në veri po zhvillohen në koordinim të ngushtë.

“Në përgjigje të tensioneve të fundit në Kosovë, NATO ka dislokuar qindra forca rezervë shtesë në operacionin e KFOR-it. Tani kemi rritur praninë tonë me disa qindra trupa në Kosovë, me forca të reja nga Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka vendosur më shumë forca si pjesë e pranisë së NATO-s në Kosovë. Më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania mbërritën në Kosovë më 13 tetor 2023 për të përforcuar më tej misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, përveç dyqind ushtarëve britanikë të dislokuar në fillim të muajit të kaluar. Rritja e tensioneve në Kosovë është një shqetësim i madh për KFOR-in. Ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”, thuhet në përgjigjen e KFOR.

Avni Islami, njohësi i sigurisë, i ka vlerësuar patrullimet e Policisë dhe KFOR-it, si garanci për sigurinë karshi asaj që e kualifikoi si rrezik për përsëritjen e sulmeve të ngjashme nga Serbia.

“Patrullimi i përbashkët me KFOR-in, e shton sigurinë e kufirit por edhe e shton sigurinë e vet pjesëtarëve të Policisë së Kosovës sepse shteti serb është agresor i cili Policinë e Kosovës e sheh si armik dhe jo si bashkëpunues. Pra, derisa nuk do të ketë marrëveshje të nënshkruar mes dy policive... është mirë të bëhen patrullimet e përbashkëta të policisë kufitare dhe KFOR-it të jenë të përbashkëta, në mënyrë që kufiri të jetë më i sigurt”, ka thënë Avni Islami, njohës i zhvillimeve të Sigurisë.

Të pyetur rreth sigurisë, qytetarët në veri, si shqiptarë ashtu edhe serbë, japin komente të shkurtra.

“Kojshia nuk po na ngucin, po presim më mirë me u bë, me ymyt po rrnojmë”, ka thënë një qytetare shqiptare.

E një banor serb që po ashtu nuk deshi të identifikohej ka thënë se meqë është i moshuar nuk di asgjë.

Më 24 shtator 2023, në orët e para të mëngjesit në fshatin Banjskë në drejtim të Policisë së Kosovës, kanë shtënë me armë zjarri pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist serb, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku, dhe, u plagosën dy pjesëtarë të tjerë.

Sipas raporteve zyrtare, në sulmin kundër policisë kanë qenë së paku 30 persona të armatosur rëndë dhe se ata janë udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Në aksionin e konfiskimit të armëve të këtij grupi, autoritetet e sigurisë të Kosovës kanë gjetur arsenal prej afro 5 milionë euro.

Sulmi u dënua nga të gjithë institucionet ndërkombëtare. Serbisë, e cila sipas autoriteteve të Kosovës, ishte e përfshirë në këtë sulm, nga ndërkombëtarët iu kërkua kapja e sulmuesve që u arratisën nga Kosova në territorin e saj dhe bashkëpunimi në ndriçimin e rastit dhe nxjerrjen e terroristëve para drejtësisë.