Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i njohur si person i afërt me PDK-në, si argumente në kërkesën e kthimit në punë i ka prezantuar në gjykatë dy falënderime të dy ish-kryeministrave të Kosovës, Ramush Haradinaj e Albin Kurti.
Në padinë që ia ka bërë Qeverisë Hoti ndaj shkarkimit për “mungesë performance”, Qalaj pretendon se këto dy falënderime dëshmojnë pikërisht përformancën e tij në punë.
“Vlen të përmendet së gjatë punës së tij paditësi asnjëherë nuk ka pranuar vërejtje për performancën e tij, përkundrazi kishte marrë lëvdata për profesionalizmin e treguar gjatë punës”, thuhet aty.
Më tej në padi janë përmendur dy ish-kryeministrat.
“Ndër lëvdatat e pranuara theksojmë medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të pranuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj me datë 26.12.2019 për kontributin që kishte dhënë në udhëheqjen efikase për avancimin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës, si dhe falënderimin me shkrim të ish-kryeministrit tjetër z.Albin Kurti për përkushtimin dhe profesionalizimin në menaxhimin e pandemisë COVID 19, të pranuar me datë 15.05 2020”, thuhet në padi.
Para dhjetë ditësh, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje çështjen e masës së sigurisë së propozuar nga Qalaj për procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri të Policisë së Kosovës. Paraprakisht shkalla e parë e pati aprovuar këtë kërkesë të Qalajt dhe konkursi është bllokuar.
Të premten ishte planifikuar sërish të mbahet seanca në shkallë të parë për rivendosje. Megjithatë në këtë seancë është bërë vetëm zgjerimi i padisë, por jo edhe shqyrtimi i saj.
Në seancë, i autorizuari i paditësit - propozuesit Qalaj, avokati Adem Vokshi, i ka dorëzuar gjykatës një parashtresë e cila ishte rezultat i rekomandimeve që buronin nga vendimi i Gjykatës së Apelit.
“Pas marrjes së vendimit të Apelit, e meqë kjo gjykatë ka ngritur çështjen e paqartësisë lidhur me kundërshtarët e sigurimit, unë gjykatës po i dorëzoj një kopje të parashtresës për zgjerimin e padisë dhe propozimit për masën e sigurisë”, ka thënë avokati Vokshi.
Qeveria e Kosovës, pasi në shkallë të parë ishte vendosur pro Qalajt kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtares së rastit Saranda Bogaj - Sheremeti. Por nga kjo kërkesë janë tërhequr në seancën e së premtes.
“Bazuar në ligjin e procedurës kontestimore janë të cekura decidivisht kriteret në bazë të të cilave mund të kërkohet përjashtimi i gjyqtarit nga gjykimi i një rasti, andaj bazuar në këtë ligj, nuk kam vërejtur ndonjë kriter apo rrethanë që është e bazuar dhe ma bën të mundur një kërkesë të tillë”, tha përfaqësuesja Iliriana Ajdogan.
Më kërkesë të avokatit Vokshi kjo seancë është shtyrë për një datë tjetër me arsyetimin se e kishte pranuar para dy ditësh vendimin e Gjykatës së Apelit dhe se në të njëjtën kohë në këtë gjykatë ka seancë tjetër.
Rreth një muaj më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të ankesës së Qalajt për masë të sigurisë, porse ky vendim, pas ankesës së Qeverisë së Kosovës, nga gjykata e shkallës së dytë është kthyer në rivendosje. Në vendimin e Apelit të siguruar nga KOHA janë gjetur mangësi sidomos në dy pika.
“Kundërthënia në mes arsyetimit të aktvendimit të goditur qëndron për faktin se gjykata në pjesën ku i referohet besueshmërisë së të drejtës subjektive të palës propozuese, e potencon faktin se vendimi mbi lirimin nga pozita e drejtorit janë të kundërligjshëm, pa u vërtetuar fare nga gjykata nëse vendimi është i kundërligjshëm ose jo”, thuhet në vendimin e Apelit. “Gjykata e Apelit, nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, për shkak se aktvendimi i atakuar në ankesë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore”, argumentohet tutje aty.
Gjyqtarja e Apelit, Nora Dula-Hamiti, në argumentimin e saj e ka përdorur një fjali kontradiktore. Ka vlerësuar së Qalaj nuk është shkarkuar nga Qeveria Hoti, por është liruar nga detyra, e që sipas saj këto nuk janë e njëjta gjë.
“Rezulton se paditësit nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës e as nuk është shkarkuar, por është liruar nga detyra”, argumentohet tutje aty.
Por, krejt ndryshe nga interpretimi i gjyqtares Dula thuhet në Ligjin për Policinë e Kosovës.
Në nenin 39 të Ligjit, lirimi nga detyra dhe shkarkimi cilësohen e njëjta gjë.
“Lirimi apo shkarkimi nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm: 1. Drejtori i Përgjithshëm apo Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm lirohen apo shkarkohen nga detyra nga autoriteti i cili i ka emëruar, për njërën nga arsyet e mëposhtme: 1.1. është dënuar për vepër penale, 1.2. arrin moshën për pension; 1.3. jep dorëheqje; 1.4. për shkak të pamundësisë së ushtrimit të detyrës për një periudhë kohore jo më të gjatë se gjashtë (6) muaj; 1.5. me mbarimin e mandatit; 1.6. për shkak të performancës jo të mirë të dokumentuar”, thuhet në këtë ligj.