Arbëri

BE: Nene të Projektligjit për Zyrtarët Publikë mund ta rrënjosin korrupsionin në administratë

Për Zyrën e Bashkimit Evropian në Projektligjin për Zyrtarët Publikë, të cilin është duke e hartuar Ministria e Punëve të Brendshme, ka nene që janë shqetësuese. Disa nene të draftit të ligjit, të cilat e kanë kaluar kohën e konsultimit publik, sipas Zyrës së BE-së, nëse nuk ndryshohen mund ta rrënjosin korrupsionin e nepotizmin brenda shërbimit civil. Komentet e BE-së, MPB-ja ka thënë se do t’i shqyrtojë për t’i inkorporuar brenda Projektligjit

Shërbimi civil mund të cenohet e rrezikohet nga politizimi e korrupsioni nëse nuk ndryshon drafi i Ligjit për Zyrtarët Publikë, të cilin e ka përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme, kanë vlerësuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Këto janë shqetësimet e BE-së dhe të disa akterëve të tjerë, të inkorporuara brenda një raporti me komente, të cilin e ka siguruar KOHA. Siç është aktualisht, Projektligji vlerësohet se është problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në merita dhe të aftë për të tërhequr e mbajtur kandidatë profesionistë. Aty thuhet se drafti i Ligjit propozon ndryshime të mëdha pa kryer asnjë vlerësim të pasojave të mundshme të këtyre ndryshimeve. Brenda Projektligjit janë 43 çështje që kanë mbetur të rregullohen nëpërmjet akteve nënligjore nga Qeveria. Kësisoj, Zyra e BE-së ka këshilluar fuqishëm që Ligji për Zyrtarët Publikë të hyjë në fuqi 6 muaj pas publikimit dhe gjatë kësaj kohe MPB-ja tё përgatisё të gjitha aktet e nevojshme nënligjore. Ministria e Brendshme ka thënë se është duke i shqyrtuar komentet e BE-së.

Administrata e cenueshme nga kapja e shtetit

Në nenin 46 të Projektligjit, zyrtarët publikë të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues, të cilët rekrutohen, do të emërohen në pozitat e tyre për një mandat katërvjeçar. Pas përfundimit të mandatit nëpunësi civil ka të drejtë të konkurrojë sërish për atë pozitë apo për ndonjë tjetër të lirë në shërbimin civil dhe deri në emërimin në një pozitë tjetër ai vendoset në listën e pritjes. Ndërkaq personat që e përfundojnë mandatin katërvjeçar dhe më herët nuk kanë qenë pjesë e administratës lirohen nga shërbimi civil. Caktimi i afateve për mandate, sipas komenteve të BE-së, bie ndesh me praktikat e shteteve anëtare të bllokut evropian.

“Mandate të tilla mund të përkojnë shumë lehtë me mandatin e një qeverie (gjithashtu katër vjet), kjo e lë administratën të cenueshme ndaj kapjes së shtetit për interesat e veta, duke lejuar kështu hapësirë më të gjerë për të rrënjosur nepotizmin dhe korrupsionin”, thuhet në raportin me komente.

Ky nen i Projektligjit, për Sindikatën e Shërbyesve Civil është i papranueshëm dhe diskriminues.

Mursel Zymeri nga kjo sindikatë ka thënë se me këtë projektligj Ministria e ka minuar pavarësinë dhe sigurinë në punë të shërbyesve civilë. Ai ka thënë se ky ligj është bërë për interesa politike duke përmendur mandatimin e pozitave udhëheqëse.

“Ekziston mundësia që brenda 9 muajsh nëse shërbyesit civilë nga lista e pritjes nuk arrijnë të punësohen, shuhet pozita ose statusi i të qenit shërbyes civil. Me këtë krijohet një pasiguri e madhe, në anën tjetër rrënohet profesionalizmi që është ndërtuar për 20 vjet rresht”, ka thënë Murseli.

Neni në kundërshtim me “të drejtat e fituara”

MPB-ja gjatë hartimit të këtij projektligji, në nenin 98, ka paraparë që një vit pasi ligji të hyjë në fuqi drejtuesit me kontrata të përhershme duhet t'i nënshtrohen një konkursi të hapur për t’i ruajtur pozitat e tyre. Por këtë në BE e kanë kualifikuar në kundërshtim me parimin e të drejtave të fituara.

“Ky parim i ‘të drejtave të fituara’, që është një doktrinë e pranuar përgjithësisht në praktikën gjyqësore të gjykatave ndërkombëtare të shërbimit civil, siç është Gjykata Administrative e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, nënkupton që rregullat dhe rregulloret administrative nuk duhet të ndryshohen në dëm të personelit në detyrë”, vlerësohet tutje në raport.

Sipas Zymerit, ky nen është fyes për integritetin profesional të zyrtarëve publikë, meqë thotë se ata i kanë kaluar njëherë procedurat e rekrutimit.

“Njëherë është bërë vlerësimi për atë zyrtar, për atë profesionist dhe prapë dëshirojnë t’i fusin në të njëjtat pozita apo procedura të rekrutimit. Ky është një diskriminim i rëndë”, ka deklaruar Zymeri.

Projektligji parasheh që për pozita specifike të zyrtarit publik mund të kërkohet përshtatshmëria për emërim në pozitë apo kritere specifike shtesë të përcaktuara me akt nënligjor të miratuar nga Qeveria.

Kjo, sipas BE-së, mund të keqpërdoret nga niveli politik. Pikërisht për shkak të keqpërdorimeve nga niveli politik, BE-ja e ka kritikuar edhe mundësinë e vazhdimit të emërimit edhe për 6 muaj të tjerë të pozitës së ushtruesit të detyrës.

Për pranimin në pozitat e kategorisë së lartë drejtuese, Projektligji parasheh që të gjithë kandidatët që kalojnë pragun minimal prej 70 për qind të pikëve të përgjithshme të vlerësimit konsiderohen kandidatë fitues dhe vazhdojnë procedurat për përzgjedhje. Meqë Projektligji heq kufizimin për të sjellë maksimum tre kandidatët e parë për përzgjedhje përfundimtare, sipas BE-së, kjo është kundër parimit të rekrutimit të bazuar në merita.

Projektligji e ka vënë në diskrecionin e drejtuesit të lartë të institucionit që ta bëjë transferimin e përkohshëm të shërbyesit civil, gjë që, sipas opinionit të Zyrës së BE-së, mund të përdoret për interesa politike dhe personale.

“Transferimi i tillë që mund të bëhet për interes të shërbimit, pa pëlqimin e shërbyesit civil, krijon një praktikë të rrezikshme për shembull si dënim ose për interesa subjektive. Kjo do të rrisë rreziqet për korrupsion dhe nepotizëm”, thuhet tutje në raportin me komente.

BE-ja ka dhënë edhe një varg kritikash e rekomandimesh të tjera dhe i ka bërë thirrje MPB-së për bashkëpunim të ngushtë që të merren plotësisht parasysh parimet dhe rekomandimet e këtij opinioni ligjor.

Komentet e BE-së inkorporohen nëse përputhen me parimet e Projektligjit

Për MPB-në, komentet që i ka dhënë Bashkimi Evropian mund të inkorporohen brenda Projektligjit për Zyrtarët Publikë po qe se janë në përputhje me parimet e vendosura nga vetë projektligji. Nga MPB-ja kanë thënë se Projektligji është në fazën e vlerësimit të ndikimit financiar brenda Ministrisë dhe më pas do të përcillet për vlerësim të ndikimit buxhetor në Ministrinë e Financave, për t’u dërguar më pas tek Zyra e Kryeministrit për vlerësim të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

“Komentet e pranuara kanë ofruar sugjerime dhe rekomandime në pika të caktuara të Projektligjit. Ministria e Punëve të Brendshme do të adresojë çdo koment, i cili është në përputhje me parimet që ka vendosur Projektligji dhe adresimi i tyre veçse është në fazë përfundimtare”, është thënë në përgjigjen e MPB-së dhënë KOHËS, të shtunën.

Projektligji për Zyrtarët Publikë i ka përfunduar konsultimet publike më 6 tetor.