Arbëri

Procesi i ndarjes së dy shkollave në Prizren përcillet me shqetësimet e opozitës

komuna e prizrenit

i ndarjes së dy shkollave të mëdha në Prizren vazhdon që të figurojë si shqetësim për partitë opozitare. Sipas përfaqësuesve të këtyre partive, qeveria komunale në mënyrë të paligjshme ka ndarë shkollën “Abdyl Frashëri” në dy shkolla, sikurse edhe shkollën “Lekë Dukagjini” po ashtu në dy shkolla. Madje eksponentë të PDK-së kanë shprehur qëndrimin se formimi i shkollave të reja, si rezultat i ndarjes së shkollave të sipërpërmendura, ende nuk njihet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Mirëpo drejtuesit e Arsimit në Komunën e Prizrenit kanë kundërshtuar pretendimet e opozitarëve, duke theksuar se ndarja e shkollës “Abdyl Frashëri” dhe ndarja e shkollës “Lekë Dukagjini” është realizuar në mënyrë ligjore. Në të njëjtën kohë kanë shtuar se nga shtatori ato nisin funksionimin e pavarur.

Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Simir Krasniqi ka akuzuar DKA-në për mungesë planifikimi të mirëfilltë, gjë që sipas tij ka rezultuar edhe me veprime që nuk kanë bazë ligjore.

“Drejtoria e Arsimit jashtëligjshëm ka formuar dy shkolla, ato që MASHTI nuk i njeh. Pra i kanë ndarë shkollën “Abdyl Frashëri” në dy shkolla si dhe shkollën “Lekë Dukagjini” në dy shkolla, ku ende edhe sot e kësaj dite nuk kanë një vendim nga MASHTI”, ka thënë Krasniqi në seancën e fundit të KK-së, teksa ka kritikuar gjendjen në arsimin komunal.

Edhe Ilir Baldedaj i AAK-së ka vlerësuar se problemet janë të panumërta në arsimin e Prizrenit. “Kjo qeveri komunale, ashtu qysh e ka filluar mandatin me veprime të paligjshme, ashtu edhe po e mbyll atë”, ka thënë Baldedaj, duke shtuar se në këtë mes përfshihet edhe ndarja e dy shkollave, ku janë caktuar menaxhmente të ndara, por që shkollat vazhdojnë të funksionojnë me të njëjtin emër.

Në anën tjetër, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaçi-Vezgishi ka theksuar se ndarja e dy shkollave të lartpërmendura është bërë sipas legjislacionit në fuqi dhe se nga fillimi i vitit të ri shkollor do të funksionojnë ndaras, me emrat e rinj.

“Sa i përket pretendimeve lidhur me ndarjen e shkollave “Lekë Dukagjini” dhe “Abdyl Frashëri, ndarja e tyre është bërë në mënyrë ligjore. E kemi vendimin e MASHTI-t, ku bëhet ndarja sipas legjislacionit në fuqi. Do të thotë këto dy shkolla janë ndarë, dhe prej shtatorit do të fillojnë të funksionojnë ndarazi me emrat e tyre, të cilat janë vendosur para 3 viteve që do ti marrin”, ka thënë zyrtarja e lartë komunale gjatë seancës së jashtëzakonshme të KK-së së Prizrenit.

DKA-ja e Prizrenit tri vite më parë pati raportuar se ka ndërmarrë veprime për ndryshime thelbësore në sistemin edukativ-arsimor komunal, me ç’rast thuhej se shkollat “Abdyl Frashëri” dhe “Lekë Dukagjini” nga fillimi i vitit shkollor 2018/2019 janë të organizuara dhe funksionojnë sipas niveleve, në shkolla fillore dhe në shkolla të mesme të ulëta, ku secila prej tyre e ka drejtorin dhe stafin tjetër të veçantë. Kjo ndarje sipas DKA-së është bërë për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe me qëllim të rritjes së kontrollit dhe cilësisë në mësimnxënie.

Por, PDK-ja ka insistuar se këto ndarje janë bërë pa përfilljen e legjislacionit dhe se ndonëse punojnë si gjoja të pavarura, “sistemi arsimor nuk i njeh si të tilla, sepse ndarja është bërë pa e respektuar procedurën ligjore rreth ndarjes, emërtimit, ndarjen e buxhetit, menaxhimin, etj”, dhe se si rezultat ato me vite kanë funksionuar me emrat ekzistues, pa i marrë emërtimet e reja.