Arbëri

Privilegjohen diplomatët mbi baza familjare, klanore dhe partiake [dokument]

Pakënaqësi të mëdha në shërbimin e jashtëm kanë shkaktuar privilegjet e disa diplomatëve që janë dhënë mbi baza familjare, klanore dhe partiake. Ky është konstatimi që ka dhënë Shoqata Sindikale e Ministrisë në trajtimin që i ka bërë rotacionit të diplomatëve, nëpërmjet një dokumenti që ka siguruar KOHA. Vetëm disa javë pasi ministrja Meliza Haradinaj e quajti të suksesshëm rotacionin e diplomatëve, Shoqata e ka demantuar atë duke shpërfaqur shkeljet që e kanë shoqëruar procesin.

“Procesi i rotacionit është shfrytëzuar për kthimin e diplomatëve që kanë shërbyer vetëm një mandat jashtë vendit, në ndërkohë që janë ridërguar në mandatin e tretë jashtë vendit, diplomatë të cilët në emër të rotacionit janë kthyer pas qëndrimit të tyre në shërbim për dy mandate pa ndërprerë në MPJD dhe kanë qëndruar afërsisht (një) vit më pak, në disa raste vetëm disa muaj dhe janë ridërguar në mandatin e tretë, gjë që është në kundërshtim jo vetëm me legjislacionin në fuqi, por edhe me praktikat diplomatike”, thuhet në raport. “Kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në shërbimin e jashtëm, sepse është bërë kryekëput mbi baza nepotike, klanore dhe partiake etj., duke privilegjuar një kategori të caktuar të diplomatëve anëtarë të shërbimit të jashtëm jashtë çdo rregulli dhe dispozite ligjore, dhe është shkelur parimi i trajtimit të barabartë dhe parimi i mosdiskriminimit”.

Diplomatë, pa asnjë ditë pune në MPJ

Sipas Shoqatës, në misione vazhdojnë të qëndrojnë diplomatë për 11 deri 12 vjet, pa ndërprerë dhe madje pa u kthyer asnjëherë.

Aty është përmendur rasti i Fatmire Musliut, konsulle e përgjithshme në Frankfurt, e cila vazhdon të qëndrojë në mision qe 11 vjet, pa u kthyer asnjëherë në Ministri. Shoqata i ka përmendur edhe sjelljet e këqija në misionet diplomatike, për të cilat ishte raportuar më herët. Për Musliun, e cila është motra e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë kohës së ish-ministrit Glauk Konjufca ishte nxjerrë dekreti për kthim në Prishtinë.

KOHA ka pyetur në MPJ në lidhje me këtë rast, si dhe gjetjet e tjera të Shoqatës, por ka munguar përgjigja.

Shoqata ka kërkuar nga ministrja Haradinaj që urgjentisht t’i rishikojë vendimet e diplomatëve që janë dërguar në misione jashtë vendit, në mënyrë që të kthehet besimi në këtë proces.

“Kjo gjë do të kthente besimin në arsyeshmërinë e procesit të rotacionit dhe në domosdonë për ekuilibrin në mes të kohës së shërbimit në MPJD dhe kohës së shërbimit në misione jashtë vendit, sipas legjislacionit në fuqi dhe praktikave të mira, parimit të drejtshmërisë dhe trajtimit të barabartë, gjë që është e domosdoshme për një diplomat karriere”, thotë raporti.

Ligji u shkel edhe në emërimin e shefave të misioneve

Shkeljet janë konstatuar edhe në propozimet dhe emërimet e shefave të misioneve diplomatike.

Sipas Shoqatës, dekretet për emërimin e shefave të misioneve diplomatike përmbajnë shkelje të Ligjit nr. 03/ L-2017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/ L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës.

Neni 7.8 i këtij ligji parasheh që të “të emëruarit në pozitat shef i misionit/ ambasador që nuk janë anëtare në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjese e Shërbimit të Jashtëm.

“Kjo dispozitë është shkelur nga pararendësit tuaj në shumë raste dhe për fat të keq, ka zëra se ekziston e njëjta tendencë për tu praktikuar edhe nga ministra e punëve të jashtme aktuale, me procedim të emrave të ambasadorëve sipas çelësit politik për të riemëruar edhe për një mandat shefa të misioneve diplomatike, përkundër dispozitës ligjore e cila e ndalon një gjë të tillë”, thuhet në raportin e Shoqatës.

“Shoqata ka shprehur dhe vazhdon të shprehë shqetësimin lidhur me procedurën e emërimit të shefave të misioneve diplomatike, e cila është shkelur dhe si rrjedhojë ka ndikuar në procedimin e kandidaturave jo të denja për këtë pozitë”. Aty është përmendur riemërimi i Vlora Çitakut, Ylber Hysajt, Shpend Kallabës, Lirim Greiçevcit, Mimoza Ahmetajt, Edon Canës.

“Ky i fundit ishte emëruar fillimisht si konsull i përgjithshëm dhe pastaj si shef i misionit diplomatik në Sofje. Sipas informacioneve që Shoqata disponon, z. Cana ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Misionit Diplomatik në Sofje”.

Sipas legjislacionit në fuqi, para se të kërkojë pëlqimin nga Qeveria për emërimin e Ambasadorëve/Shefave të Misioneve, Ministria e Punëve të Jashtme sigurohet se kandidati i plotëson kriteret e përcaktuara.

“Për fat të keq, kjo procedurë e domosdoshme ligjore nuk është përfillur ka kohë, dhe sipas informacioneve nuk është duke u përfillur as në kohën e fundit, dhe në lidhje me kandidaturat e propozuara nga MPJD-ja nuk është duke u proceduar për marrje të pëlqimit nga Qeveria dhe as nuk është duke u dërguar emri në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvend, gjë që është shkelje e dispozitave ligjore”.

Dekretet e Thaçit në shpërfillje të procedurave

Shoqata e ka përmendur emërimin e Tefta Kelmendi-Merranit nga ish-presidenti Hashim Thaçi si përfaqësuese e Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Kjo ka ndodhur pavarësisht se në marsin e vitit të kaluar, Kelmendit i ishte ndërprerë mandati në Ambasadën e Kosovës në Paris me arsyetimin se e njëjta ishte bërë pjesë e shërbimit të jashtëm në mënyrë të kundërligjshme, “pa iu nënshtruar procedurave të pranimit në shërbimin e jashtëm dhe as procedurave të rregullta në shërbimin civil”.

“Në këtë kuadër, Shoqata kërkon që të rishqyrtohet vendimi i ish-presidentit të Republikës së Kosovës për riemërimin e znj. Kelmendi-Merran, dhe të veprohet me urgjencë në drejtim të kthimit të ligjshmërisë në këtë rast dhe në të gjitha rastet e tjera. Shoqata Sindikale konstaton me keqardhje që emërimet e tilla në baza nepotike, klienteliste, politike, partiake etj., jo vetëm që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, por edhe e bëjnë të pamundur avancimin dhe emërimin në pozita të rëndësishme në shërbimin e jashtëm të stafit diplomatik që me vite të tëra janë pjesë e shërbimit të jashtëm, madje që nga themelimi i MPJ-së.

Shqetësuese janë konsideruar edhe konkurset për staf diplomatik që ishin shpallur pa miratimin e ministrisë përgjegjëse. I tillë ka qenë edhe konkursi i korrikut të vitit të kaluar, ku garës ia patën mësyrë shumë eksponentë të partive në pushtet, përfshirë gruan e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Pas ankesave të shumta, Ministria e kishte anuluar konkursin.

Përveç ministres Haradinaj, Shoqata e ka njoftuar me gjendjen në MPJD edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, si dhe kryeministrin Avdullah Hoti, teksa u ka bërë thirrje që të ndërhyjnë për kthimin e ligjshmërisë në MPJ.

{gallery}