Arbëri

Pritje e veçantë ceremoniale për Ramën në Turqi

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Rama në Ankara, ka folur edhe lidhur me organizatën e Fetullah Gylenit, e njohur si FETO. ”Ne bashkë me autoritetet shqiptare dakordohemi që organizata terroriste e FETO-s përbën kërcënim për dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, ka thënë Erdogan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka filluar të mërkurën një vizitë zyrtare dyditore në Turqi. Rama u prit në një ceremonial të veçantë në Turqi, ku në paradën e forcave ushtarake turke janë vërejtur kalorësit me kuaj dhe ushtarët e veshur me uniformën e vjetër osmane. Kryeministri I Shqipërisë , Edi Rama, parakaloi në tapetin blu, bashkë me presidentin turk, Rexhep Tayip Erdogan, ku u përkul para ushtarëve turq të veshur me uniformë osmane dhe i përshëndeti turqisht: “Merhaba asker”! Pas takimit të zhvilluar në Pallatin Presidencial ndërmjet presidentit Erdogan dhe kryeministrit Edi Rama, ky i fundit ka falënderuar Erdoganin për gatishmërinë në ndihmë të Shqipërisë. Shefi i Qeverisë shqiptare, Rama, ka thënë se Turqia e ka ndihmuar Shqipërinë pas goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 , teksa ka shtuar se ndihma e tyre nuk ka munguar as në periudhën e pandemisë, ndryshe nga vendet e tjera që mbyllën kufijtë.

“Solidariteti i Turqisë nuk ka qenë vetëm një solidaritet kur Turqia nuk ka pasur vetëm një problem të vetëm, por edhe në një kohë kur u goditëm njësoj nga COVIDI. Presidentit i Turqisë i qëndroi afër Shqipërisë, jo si disa vende që u mbyllën në shtetet e tyre dhe ndaluan edhe kalimin e ndihmave për ata që kishin nevojë. Kjo është shumë domethënëse për ne. Në këtë rast mbështetja e presidentit turk për Shqipërinë në këtë luftë pa u kursyer dhe pa i mbajtur sytë vetëm nga vetja brenda kufijve. Sjellja e Turqisë ndaj nesh dhe qasja e presidentit Erdogan kur ndodhemi në vështirësi, janë mishërimi i fjalës së Ataturkut: ‘Njerëzimi është një trup i vetëm, çdo komb është një pjesë e ti’”, deklaroi Edi Rama. Ai u shpreh krenar që iu dha mundësia që të nënshkruajë në emër të Republikës së Shqipërisë deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri-Turqi.

“Presidenti turk Erdogan pas takimit me Ramën ka përmendur marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të cilat i quan vëllazërore. Presidenti turk theksoi se detyrë e qeverive të dy shteteve është që t’i forcojnë më tej ato. “Jam shumë i kënaqur që pres sot në Ankara kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe delegacionin e tij. Jemi dy popuj vëllezër që kemi jetuar së bashku, kemi luftuar së bashku dhe kemi lënë gjurmë në histori. Në çdo cep të Shqipërisë gjenden gjurmë të përbashkëta. E konsiderojmë detyrë ta forcojmë më shumë këtë lidhje. Me rastin e kësaj vizite kemi nënshkruar marrëveshjen e përbashkët politike, në nivel të partneritetit strategjik. Në takim, përveç diskutimit të çështjeve bilaterale diskutuam edhe çështjet rajonale. Shqipëria sa ka përfunduar me sukses presidencën e OSBE-së, që nga 1 janari ka marrë presidencën e BISEK-ut. Shqipëria përjetoi dy tërmete dhe pas çdo tërmeti vrapuam në ndihmë të vëllezërve tanë shqiptarë”, tha Erdogan. E ndërsa Shqipëria përpara ka një betejë elektorale më 25 prill, kreu i shtetit turk e pati një urim. “Me këtë rast uroj që zgjedhjet e përgjithshme, që do të mbahen më 25 prill, të jenë të dobishme për Shqipërinë dhe popullin shqiptar”, tha presidenti i Turqisë. Në prani të kryeministrit shqiptar dhe presidentit turk, delegacionet e dy qeverive nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fushën e arsimit, kulturës dhe ekonomisë. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Rama në Ankara, ka folur edhe lidhur me organizatën e Fetullah Gylen, e njohur si “FETO”. “Një nga pikat kryesore të agjendës së takimeve tona ishte bashkëpunimi ynë në luftën kundër terrorizmit dhe në fushën ushtarake dhe atë të mbrojtjes. Ne bashkë me autoritetet shqiptare dakordohemi që organizata terroriste e FETO-s përbën kërcënim për dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe me këtë rast Turqia me në krye fondacionin e ‘Maarifit’ dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse do të jetë pranë Shqipërisë. Fondacioni i ‘Maarifit’, që ka marrë Universitetin Nju Jork në Tiranë bashkë me Universitetin teknik të Stambollit do të vijë dhe rektori këtu dhe do të hidhen hapat e parë të bashkëpunimit mes dy vendeve. Aktualisht janë 100 studentë shqiptarë që po studiojnë në Universitetin Teknik të Stambollit. Me këtë rast kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm në bashkëpunimin mes dy vendeve në arsim”, tha Erdogan. Një vit më parë, Shqipëria i është bashkuar Kosovës dhe një numri të vogël shtetesh duke mos i rezistuar presionit të presidentit të Turqisë, Recep Taip Erdogan, për të dërguar në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale “Gulen”, të cilën ai e akuzon si organizatore të grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.