Arbëri

Pritet ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, sfidë mbetet stafi mjekësor

Rreth 4 hektarë tokë janë ndarë nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e spitalit të kryeqytetit.

Toka komunale prapa Pallatit të Drejtësisë është vendi ku në pranverën e vitit të ardhshëm pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e spitalit të nivelit sekondar, të garantuar me ligjin për kryeqytetin.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Komunë të Prishtinës, Izet Sadiku, për këtë spital do të ndahet buxhet prej 1 milion eurosh për vitin e ardhshëm, përderisa kompania “ICME” pritet të përfundojë pjesën e dytë të fizibilitetit.

“Mbi 1 milion euro do të jetë shuma që do ta ndajmë në fillim dhe nëse kjo do të ecë në rishikimet buxhetore që do të bëhen gjatë vitit të ardhshëm ne do të ndajmë edhe fonde shtesë me qëllim që t’i plotësojmë fillimisht do të kemi mjete vetjake e pastaj të shohim mundësinë që të bisedojmë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për të parë gatishmërinë e tyre për të kontribuar e pastaj të shohim mundësinë edhe për donatorët. Kemi pasur kontaktet me donatorët e parë”, tha Sadiku.

Me ndërtimin e kësaj, përveç QKUK-së, pritet më e lehtë t’iu bëhet puna edhe vetë mjekësive familjare. Sipas Sadikut, në këtë mënyrë do të sigurohet edhe një pjesë e stafit për spitalin e përgjithshëm të Prishtinës.

Për numrin e stafit të këtij spitali dhe sigurimin e tij, sipas Sadikut, është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo, kjo e fundit nuk ka kthyer një përgjigje se si do të bëhet sigurimi i stafit shëndetësor në kohën kur shumë doktorë e infermierë po ikin nga Kosova e një pjesë tjetër e madhe po braktisin spitalet shtetërore për ato private.

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, e cila merret me hulumtime në fushën e Shëndetësisë, thotë se mungesa e stafit mjekësor sidomos e anesteziologëve është alarm për sistemin publik.

“Ajo çka është urgjencë mbi urgjencat, është mbajtja e anesteziologëve në sistemin publik. Nëse trendi i ikjeve të anesteziologëve vazhdon, Qeveria e Kosovës dhe secila komunë do të duhej ta dinte se do të bllokohej sistemi shëndetësor, sepse pa anesteziolog asnjë klinikë dhe asnjë repart nuk mund të funksionojnë. Rritja e pagave është më se urgjente edhe pse mendoj që as rritja e pagave nuk do të kryejë punë, sepse trendi i spitaleve private deri në vitin 2022 nuk ka qenë kaq i zhvilluar sa është dhe besueshmëria që kanë pacientët në sistemin publik po zbehet nga investimet e mëdha që po bëjnë spitalet private”, tha Ramaj.

Bllokada e konkursit për specializim për disa vite me radhë, sipas Ramajt, ka dëmtuar thelbin e shëndetësisë.

“Çka kemi raportuar, Radiologjia në Pejë ka vetëm dy radiolog. Ka mungesë të ortopedëve dhe në specializim që është hapur para dy vitesh janë vetëm 1 ose 2 radiolog të këtij rajoni. Pra as e ardhmja nuk është shpresëdhënëse për disa vjet sepse s’po përgatisim kapacitete të mjaftueshme. Kemi pasur një bllokadë të madhe rreth 4-5 vjet që nuk kemi hapur konkurse për specializimin dhe kjo e ka dëmtuar thelbin e shëndetësisë atë të kuadrove shëndetësore. Nuk e di se si do ta bëjnë zgjidhjen por besoj se nëse do të jetë si spital i pavarur nuk mund të llogaris shumë në spitalin terciar”, tha Ramaj.

Me bodrum, përdhese dhe 4 kate të tjera është pamja e spitalit të përgjithshëm të Prishtinës, që parashihet të ketë 20 mijë metra katrorë.

Departamenti i Emergjencës, dy reparte kirurgjike, departamenti i Obstetrikës me 3 dhoma të lindjes, njësia e kujdesit intensiv, qendër tregtare, si dhe hapësira e dedikuar për lëshimin e helikopterit, do të jenë brenda spitalit të përgjithshëm, që parashihet të ketë rreth 190 shtretër.