Sot është zhvilluar takimi i parë i Presidencës Franceze të Bashkimit Evropian me kolegjin e Komisionit Evropian, takim tradicional me të cilin nisin kryesimet e radhës të vendeve të bllokut evropian. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë pas takimit se në gjashtë muajt e ardhshëm do të punojnë edhe me Ballkanin Perëndimor. E gjatë kryesimit francez, sipas burimeve, pritet një bashkëpunim mes Parisit e Berlinit për të adresuar problemet kryesore në rajon, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi
Sot është zhvilluar takimi i parë i Presidencës Franceze të Bashkimit Evropian me kolegjin e Komisionit Evropian, takim tradicional me të cilin nisin kryesimet e radhës të vendeve të bllokut evropian.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se gjashtë gjatë muajve të ardhshëm do të punojnë së bashku edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi siç tha Macron, ky rajon ka një rëndësi gjeostrategjike për tërë BE-në.
Presidentja e KE-së ka thënë se mirëpret faktin se Franca si një vend me peshë të madhe politike e përvojë po e merr kryesimin e radhës të Këshillit të BE-së dhe se në përpjekjet e veta do të ketë mbështetjen e KE-së.
Burimet nga Presidenca franceze kanë thënë se do të angazhohen gjatë këtyre gjashtë muajve edhe për të avancuar procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit, por duke pasur parasysh përmbushjen e kushteve në këtë proces sipas metodologjisë së re të zgjerimit. Kjo ishte miratuar pikërisht me kërkesë të Francës.
Franca gjatë kryesimit të saj me BE-në do të organizojë edhe një konferencë të veçantë kushtuar Ballkanit Perëndimor në të cilën, sipas paralajmërimeve të diplomatëve, do të diskutohet për disa probleme specifike të rajonit, sidomos për tensionet politike në Bosnje e Hercegovinë dhe rajonet në mes të Kosovës dhe Serbisë që thuhet të jenë të rëndësishme për tërë rajonin.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se pritet bashkëpunim më i madh mes Parisit dhe Berlinit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, pasi deri më tash po shihet se palët s’kanë lëvizur nga pozicionet e tyre diametralisht të kundërta çka ka penguar përparimin në dialog.
Për liberalizimin e vizave për Kosovën, që si dosje po pret në Këshillin e BE-së tash e disa vite, diplomatët thonë se s’pritet të ketë lëvizje të shpejta menjëherë, por kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve presidenciale në Francë.
Diplomatët evropianë thonë se Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet për të bindur vendet skeptike, sidomos Francën, se në rast të liberalizimit s’do të ketë probleme për to, sidomos dyndje masive të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së siç kishte ndodhur pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
Këta thonë se përvoja e keqe që disa vende kanë pasur me Shqipërinë kanë bërë që ato të jenë më skeptike dhe kujdesshme edhe në rastin e Kosovës.