Arbëri

Po vazhdon vaksinimi kundër COVID-19 i personelit të kujdesit parësor shëndetësor të Prishtinës

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka folur për procesin e vaksinimit kundër COVID-19 të personelit të kujdesit parësor në këtë komunë.

Gashi ka thënë se po vazhdon të vaksinohet stafi i kujdesit parësor dhe do të vazhdojë të vaksinohet. Për vete ai ka thënë se nuk është vaksinuar e nuk do të vaksinohet edhe për një muaj apo një muaj e gjysmë, pasi që ka kaluar në fund të vitit të kaluar virusin.

“Padyshim kujdesi parësor shëndetësor është hallka e parë apo niveli i parë ku qytetarët e kanë kontaktin me mjekë, infermierë apo punonjës ndihmës. E kam thënë se kujdesi parësor është më i rrezikuar sesa vet një qendër që merret me COVID. Pasi rastet nuk dihet se janë me COVID, vinë për kontroll të zakonshme, e kujdesi është pak më i vogël, e mbrojtja pak më e ulët. Personeli i kujdesit parësor në Prishtinë është vaksinuar në këtë qendër e do të vazhdojë të vaksinohet”, ka thënë Gashi në emisionin Sot në KTV.

Gashi ka treguar për sfidat që kanë pasur gjatë pandemisë. Ai ka thënë se sfidë e madhe së fundi është bërë edhe largimi i mjekëve pas hapjes së specializimeve të reja.

“Unë natyrisht i kam uruar për punën e tyre. Por, kjo natyrisht se ka shkaktuar dëm te kujdesi parësor në gjitha komunat. Pasi mjekët e përgjithshëm që ishin duke punuar në kujdesin parësor në gjitha komunat janë larguar me hapjen e specializimeve të reja. Por besoj se së shpejti do të rikuperohemi nga ky problem. Sfidë tjetër ka qenë infektimi i mjekëve dhe infermierëve me koronavirusin e ri e po ashtu personave që kemi me sëmundje kronike”, ka thënë Gashi.

Gashi ka treguar edhe për fokusimin që po bëhet në Prishtinë në testet rapide antigjenike. E po ashtu ka folur edhe për hapjen e sistemit e-Shëndetësia, ku pacientët mund të kontaktojnë në mënyrë virtuale me mjekun.

“Kemi planifikuar të fillojmë me e-Shëndetësinë nga nesër, për konsulta virtuale. Fillimisht për konsultime të pacientëve të infektuar me COVID me mjekë familjarë, por normalisht në vazhdim edhe për pacientët me sëmundje tjera kronike, si diabeti apo hipertensioni. Është mënyrë që të ndihmojmë sado pak në pengimin e përhapjes së COVID-19, duke u kryer pacientëve shërbime në shtëpi. E ulim njëherit edhe koston e tyre, pasi jo të gjithë kanë mundësi të vijnë me vetura në QMF dhe duhet të paguajnë për transport”, ka thënë Gashi.