Arbëri

Pesë vjet nga themelimi i Speciales, shoqatat e dala nga lufta kërkojnë që ajo të ndjekë edhe serbët

Gjykata Speciale ka qenë e hapur të martën. Asaj nuk i është vënë dryni, ani se zyrtarë të lartë shtetërorë në Kosovë kishin shprehur pretendimin se me t’i mbushur pesë vjet, Speciales i përfundon mandati.
Këtë e arsyetonin duke u thirrur në paragrafin e 13 të amendamentit Kushtetues, me të cilin saktësisht pesë vjet më parë është formuar kjo gjykatë.
Por, në një përgjigje të shkruar që kjo Gjykatë ia ka dhënë KOHËS, është theksuar se do ta vazhdojnë mandatin deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të mos e informojë Qeverinë e Kosovës se hetimet dhe të gjitha procedurat kanë përfunduar.

Edhe juristi Ehat Miftaraj, këmbëngul se afati 5-vjeçar nuk ka kurrfarë relevance.

“Kur është diskutuar për formimin e Gjykatës Speciale, edhe në atë kohë është diskutuar ky nen dhe faktori ndërkombëtar ka qenë shumë i qartë: nuk ka lejuar dhe nuk mund të lejojë në asnjë rrethanë që një gjykatë si kjo të ndërlidhet me mandate të caktuara dhe në vullnetin e çfarëdo qeverie në Kosovë apo legjislature nëse duhet të vazhdohet ose jo. Vullneti për ta vazhduar apo për ta ndërprerë mandatin e saj tanimë ka kaluar në nivel tjetër – gjithnjë flas sipas amendamentit kushtetues – dhe është në Këshillin e BE-së”, ka thënë Miftaraj.

Specialja ka në mandat të trajtojë krimet që pretendohen të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, e për të cilat janë hedhur dyshime në raportin e senatorit Dick Marty, dokument ky që mban vulën e Këshillit të Evropës.
Hysni Gucati, që përfaqëson veteranët e UÇK-së, ka kritikuar punën e bërë nga gjykata, që sipas tyre, nuk ka treguar rezultate deri tani, përveç marrjes në pyetje të mbi 270 ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë presidentin Hashim Thaçi.
Deri tash, ka pasur një nismë ligjore për t’ia ndryshuar mandatin Speciales dhe një peticion të shoqatave të dala nga lufta, me të cilin kërkohej zhbërja e saj, por që janë tërhequr pas presionit ndërkombëtar.

Megjithatë, tentimet nuk do të ndalen.

“Neve na duhen vetëm 6 deputetë për ta futur në rend dite atë që po themi ne... Në këtë kërkesën tonë ne do ta fusim edhe shfuqizimin e saj, por ne e dimë se shfuqizimin e kësaj gjykate nuk mund ta bëjmë, por të paktën deputetët e Kosovës ta fusin një aneks për ata serbë të cilët kanë bërë krime lufte e gjenocid në Kosovë dhe të përndiqen edhe ata”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së.
Në kabinetin e kryeparlamentares Vjosa Osmani, kanë konfirmuar se nuk ka ndonjë nismë, qoftë për ta ndryshuar Kushtetutën apo ligjet në fuqi, e që lidhen me Specialen.

Ndërkaq, në Ministrinë e Drejtësisë kanë theksuar se nuk e kanë në mandat të ndërmarrin ndonjë diskutim për këtë gjykatë.

Ehat Miftaraj e sheh me rrezik çfarëdo nisme që ia ndryshon mandatin aktual Speciales.

“Për Kuvendin e Kosovës, për politikën në Kosovë do të ishte vetëvrasje politike në aspektin ndërkombëtar nëse bën përpjekje për ta shfuqizuar ligjin, në njëfarë mënyre për ta zhbërë këtë gjykatë. Kjo, për arsye se Kosova ka hyrë në obligime ndërkombëtare... Kjo është një çështje e përfunduar dhe publiku në Kosovë, politika në Kosovë, të gjithë duhet të sigurohemi që, qoftë me veprime, qoftë me mosveprime, qoftë me deklarata, të mos ndërhyjmë në pavarësinë e kësaj gjykate, por ta lëmë ta bëjë punën e saj”, ka thënë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Një muaj më parë, Specialja e ka gjykuar “të domosdoshme” nxjerrjen e një Deklarate për media, në të cilën është bërë e ditur se në një aktakuzë të paraqitur, Hashim Thaçi e Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Sipas deklaratës, informata është dhënë pasi besohet se Thaçi dhe Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën.