Arbëri

Përfshirja e ndërkombëtarëve, e pamjaftueshme në depolitizimin e arsimit

MASHTI

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar me Ambasadën britanike për bashkëpunim në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në këtë komunë, duke e quajtur depolitizim të arsimit. Sipas një përgjigjeje të Ambasadës britanike, ekspertët e saj do të bëjnë vetëm trajnimin e anëtarëve të komisionit përzgjedhës. E sipas ekspertëve të arsimit, ky veprim nuk është i mjaftueshëm për depolitizimin e arsimit, që synon Komuna e Prishtinës

Raportimet për parregullsi në konkurset për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet parauniveristare kanë shtyrë Komunën e Prishtinës që të kërkojë ndihmë nga ndërkombëtarët për këtë proces.

Të mërkurën e kaluar, Komuna e Prishtinës nënshkroi me Ambasadën britanike në Kosovë për bashkëpunim në këtë fushë.

Sipas një përgjigjeje për KOHËN, ambasada e Britanisë ka sqaruar se do të bëjë trajnimin e anëtarëve të panelit për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Sipas Udhëzimit Administrativ, komisioni përzgjedhës për institucionet arsimore duhet të ketë në përbërje një anëtar të Drejtorisë Komunale të Arsimit, një ekspert të arsimit apo anëtar të Këshillit të Prindërve dhe një zyrtar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Gjithashtu është e paraparë që të jenë dy vëzhgues, një prind dhe një mësimdhënës.

“Ekspertët e Mbretërisë së Bashkuar do të ofrojnë trajnime për anëtarët e panelit dhe do të ndajnë praktikat më të mira se si të drejtohen procese të strukturuara mirë, të pavarura, transparente dhe të bazuara në merita. Ne presim të shohim zbatimin e ekspertizës dhe të këshillave të ofruara nga paneli i rekrutimit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Jeton Demi, vlerësoi shërbimin e Ambasadës britanike. Demi theksoi se për ta është problematike paga e ulët për menaxhmentit shkollor, që, sipas tij, është dekurajuese për profesionistët që të aplikojnë për këto pozita.

“Po e vlerësojmë shërbimin e Ambasadës britanike që po e ndihmon vendin tonë në shumë fusha të rekrutimit të stafit, meqë ne ende vazhdojnë të ngecim në përzgjedhjen e kandidatëve në procese të tilla. Sipas përshtypjes së krijuar nga përvoja në angazhimin brenda strukturave të shkollave, më shumë sesa procesi përzgjedhës i drejtorëve në Prishtinë, problem paraqesin kushtet jo atraktive për kandidatë të mundshëm profesionalë në këtë fushë”, ka thënë ai.

Ky bashkëpunim nga Komuna u cilësua si një hap drejt depolitizimit në arsim. Mirëpo ekspertët e arsimit nuk po e shohin si zgjidhje këtë.

Sipas drejtorit të institutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja, duhet të bëhen reforma thelbësore në Udhëzimin Administrativ për t’ia mbyllur derën politikës në arsim.

"Për ne është shumë me rëndësi një filtrim paraprak i udhëheqësve arsimorë, por edhe i procesit të rekrutimit, dhe kjo nënkupton një testim i tyre nga një qendër vlerësuese kredibile, e cila i përzgjedh më të mirët, dhe ata më të mirët me shumë lehtësi mund të intervistohen tutje dhe të përzgjidhen nga shkolla vetë", ka thënë Qehaja.

Halim Hyseni, i cili ka mbi 20 vjet që merret me çështje të arsimit, ka thënë se duhet të rritet ndikimi i stafit të shkollës në përzgjedhjen e drejtorëve.

“Nuk është problem grupi vlerësues, ata nuk kanë nevojë për trajnime. Problematike është që çdo pushtet komunal ka lirinë që të vendosë në krye të shkollës këdo që u përshtatet interesave të tyre dhe jo shkollës. Prandaj duhet të ndryshohet Udhëzimi Administrativ”, ka thënë Hyseni.

Për disa konkurse për emërimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në kryeqytet, Inspektorati i Ministrisë së Arsimit ka ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës, sipas Inspektoratit, për mospërfshirje të përfaqësuesve të Ministrisë.