Shtim rastesh të dhunës në familje, ku përgjegjës janë të miturit, ka shënuar rajoni i Pejës.
Ndonëse në tërësi, rastet e veprave penale të shkaktuara nga të miturit kanë rënë, fenomeni i dhunës në familje i nxitur nga të miturit, sipas autoriteteve, ka marrë hov gjatë pandemisë.
Në shfaqjen e tij, siç thotë prokurorja në Departamentin për të mitur në Prokurorinë Themelore të Pejës, Sanije Gashi-Seferi, ka ndikuar mbyllja e shkollave për muaj të tërë.
“Kemi të bëjmë me raste kur përpos që kemi raste të sulmit, në këtë rast është shkaktuar dhuna fizike dhe psikike në raport me prindër, motra, vëllezër, halla, gjyshër... por kemi shpesh herë raste edhe të asgjësim- dëmtimit të pasurisë, ku në shenjë revolte kanë thyer, kanë demoluar, kanë shkatërruar, pjesë të objektit ku aty kanë banuar.", ka thënë ajo.
Këtë dukuri e kanë konfirmuar edhe në Departamentin për të mitur në Gjykatën Themelore të Pejës.
“Disa prej tyre kanë kryer vepra penale të dhunës në familje ku edhe kemi pranuar lëndë më vepra të tillë penale. Ndërsa, numri i veprave penale të tjera është reduktuar numri gjatë kohës së pandemisë, me vetë faktin që janë mbyllë shkollat”, ka thënë Florie Zatriqi, gjyqtare në Departamentin për të mitur në Gjykatën Themelore të Pejës.
Zatriqi tregoi se në vitin 2019 kanë qenë 61 lëndë të pranuara, kurse sivjet dhe vjet ka pranuar 89 lëndë për vepra të ndryshme penale të kryera nga të miturit.
Zbatimi i masave të shqiptuara nga gjykata mbikëqyret nga organi i kujdestarisë. Sipas zyrtarit të shërbimit social në Qendrën e Punës Sociale në Pejë, Shpat Morina, aktualisht i kanë në mbikëqyrje 43 raste.
Megjithëse ka rënë pak numri i veprave penale të kryera nga të miturit, siç tregojnë në prokurori dhe gjykatë, në mesin e të miturve ka recidivistë.
Prokuroria për të mitur, Gashi-Seferi, e konsideron të domosdoshëm themelimin e institucionit për edukimin dhe risocializimin e të miturve delikuentë.
“Kishte me qenë nevojë e domosdoshme që ta kemi një institucion ku fëmija do të dërgohet në atë institucion, do ta vijon mësimin, do të merr këshilla psikologjike, do të edukohet në atë kuptimin ku si i ri personaliteti i atij fëmije mos të shkatërrohet por të kthehet në rrugën e duhur dhe të kthehet e të risocializohet në shoqëri”, ka thënë Gashi-Seferi.
Gjykata Themelore e Pejës ka vite që ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë themelimin e këtij institucioni.
“Mirëpo, deri më tani nuk kemi ndonjë përgjigje konkrete nga institucionet përkatëse”, ka thënë Zatriqi.
Pse deri tash nuk është themeluar dhe se kur e kanë në plan themelimin e tij, KOHA i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, por nuk ka marrë përgjigje.