Enriko Peçulaj, student i Filozofisë në vitin e tretë dhe aktivist i organizatës studentore Lëvizja për Universitetin, tregon për Koha.net gjithë ecurinë e protestës së studentëve në Shqipëri. Ai thotë se protesta nisi si papritur pas një vendimi që i detyronte studentët të paguajnë rreth 5 euro për secilin provim që i nënshtrohen. Por revolta, tregon ai, kishte nisur qysh para 5 vitesh, për Ligjin për Arsimin e Lartë, që ai e quan “kryekëput klientelist”.
“Studenti kthehet në klient i cili e mban gjallë biznesin universitar me para, dhe jo më subjekti qendror dhe revolucionar brenda universitetit që synon të transformojë shoqërinë dhe sigurisht, veten”, thotë ai.
Tash kur protesta është pezulluar përkohësisht, Peçulaj thotë se nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga asnjëra prej tetë kërkesave të tyre.
Në "Intervistën e Javës" në Koha.net ai tregon se pse nuk po i shkojnë kryeministrit Edi Rama në dialog, as pas thirrjes së tij të vazhdueshme.
“Ne besojmë se dinjiteti ynë është i panegociueshëm”, thotë ai.
Peçulaj që është prej 3 vitesh aktivist në këtë Lëvizje e cila ka vetëm strukturë horizontale, pa hierarki, tregon se si do të vazhdojë protesta e studentëve. Ai thotë se qëllimi i kësaj proteste nuk ka qenë rrëzimi i Qeverisë apo ndryshimi në skenën politike. Por ai megjithatë beson se themelet e pushtetit po shkunden dhe ndryshime rrënjësore në mbarë shoqërinë kanë për t’i pasuar këto protesta.
Ka bërë një analogji edhe me kushtet e studentëve në Kosovë dhe për çka duhet bashkuar studentët shqiptarë në të dy anët e kufirit.

Koha.net: A mund të na sqaroni për opinionin në Kosovë, për çka po protestojnë studentët në Shqipëri? Si lindi dhe si u rrit protesta?
Enriko Peçulaj: Protesta e studentëve në Shqipëri e pa vërshimin në rrugë ashtu si papritur, në dukje të parë. Ajo që filloi vetëm si kundërshtim ndaj një Vendimi të Këshillit të Ministrave e cila taksonte studentët për çdo provim të mbartur me një tarifë prej 560 lekësh (4.6 euro) për çdo kredit që mbart secili provim, u kthye për shumë pak kohë në një protestë masive kundër gjendjes së Arsimit të Lartë.
Në të vërtetë revolta studentore ka filluar qysh para 5 vitesh, me hartimin dhe implementimin e Ligjit te Arsimit të Lartë. Një ligj ky, kryekëput klientelist, i cili vë theksin në kthimin e Universitetit në ndërmarrje private dhe që i ndan fondet publike me universitetet private në bazë të performancës. Shkurtimisht, tanimë studenti kthehet në klient i cili e mban gjallë biznesin universitar me para, dhe jo më subjekti qendror dhe revolucionar brenda universitetit që synon të transformojë shoqërinë dhe sigurisht, veten.
Asokohe protestat ishin më të vogla në numër dhe artikulimi kundër ligjit nuk arriti të bëhej i prekshëm nga masa e madhe studentore dhe krejt ambienti universitar, për shkak se Ligji në vetvete ishte diçka abstrakte, paçka se dukej haptas që ky ligj do fuste duart drejtpërdrejt në xhepat e studentëve. Ja ku jemi, katër vite pas implementimit të këtij ligji, pasojat po fillojnë të duken, duke filluar me tarifat e larta, që variojnë nga 25 mijë (205 euro) – 45 mijë lekë (469 euro) në vit për Bachelorin, dhe me mijëra euro për studentët e Masterit, pa përmendur këtu taksat për vërtetime të thjeshta, kushtet e mjerueshme brenda konvikteve dhe abuzimin skandaloz me buxhetin brenda fakulteteve, në përfitim të burokracisë dhe pushtetit.

Koha.net: Aktualisht protesta është pezulluar, por a mund të na thoni se nga çka nuk heqin dorë studentët?
Enriko Peçulaj: Kemi parë që, rrallëherë organizimi studentor t’i ketë mbushur sheshet për ditë të tëra, duke mbajtur një tempo konstante në artikulimin e problemeve, dhe vendosmërinë për kërkesat e parashtruara. Në ditët e para të protestës, studentët kanë ngritur 8 kërkesa të përmbledhura në një dokument, të cilave u janë përmbajtur stoikisht për 16 ditë më radhë. Studentët nuk duhet të heqin dorë nga këto kërkesa, pasi tashmë kemi arritur në një pikë të pakthyeshme për reformimin e njëmendtë të Universitetit.
Koha.net: Pse nuk po uleni në dialog me kryeministrin Edi Rama?
Enriko Peçulaj: Nëse i analizon kërkesat e studentëve me radhë, sheh se një pjesë e mirë e tyre nuk kanë nevojë për dialog mes Qeverisë dhe studentëve, por mes këtyre të parëve dhe instancave të tjera rregullatore, si në rastin e autoriteteve lokale, për sa i përket kartës studentore. Arsyeja më kryesore se përse ne nuk e pranojmë dialogun për këto kërkesa minimale, është se ky lloj establishmenti e ka shkatërruar Universitetin përmbajtësisht dhe tani kërkon të dialogojë me ne, për disa të drejta themelore. Ne besojmë se dinjiteti ynë është i panegociueshëm dhe kryeministri, në vend se të mbajë përgjegjësi dhe t’i vërë gishtin kokës, luan rolin e kllounit, që në fakt nuk bën asgjë tjetër veçse tallet me veten.
Koha.net: Si po mendoni të vazhdoni me protestën?
Enriko Peçulaj: Elementi më themelor i kësaj proteste është bojkoti i jetës universitare. Studentët e kanë treguar forcën dhe vendosmërinë në rrugë, dhe janë zotuar se do vazhdojnë bojkotin e Universitetit deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara. Në kohën kur kërkesat tona do merren parasysh, ne do jemi të gatshëm të marrim pjesë aktive në reformimin e Universitetit. Në të kundërt, dyert e Universitetit do qëndrojnë të mbyllura.

Koha.net: Cili ka qenë roli i partive politike në këtë protestë dhe sa kanë arritur të ndërhyjnë në të?
Enriko Peçulaj: Partitë politike janë përpjekur të ndërhyjnë në radhët e protestës, duke dashur të përfitojnë kapital politik, me interesin e vetëm, që kjo protestë të devijojë nga qëllimet parësore. Këto parti, të cilat kanë bërë rotacion në pushtet prej 28 vitesh, janë bashkëfajtore për gjendjen në universitet, dhe në thelb, nuk u intereson shpërthimi i revoltave të kësaj natyre.
Koha.net: A ka mundësi që kjo pakënaqësi e studentëve ta shkund skenën politike?
Enriko Peçulaj: Qëllimi i kësaj proteste, nuk ka qenë rrëzimi i kësaj Qeverie apo ndikimi i drejtpërdrejt në ndryshimin e skenës politike. Ashtu si e theksova më lart, aktorët politikë që po na qeverisin këtu e 28 vjet më parë, janë shkaktarë të kalbëzimit të Universitetit në veçanti, dhe të shoqërisë në përgjithësi. Edhe pse studentët nuk dolën në shesh për të rrëzuar Qeverinë, të gjithë e dimë shumë mirë se themelet e pushtetit po shkunden dhe ndryshime rrënjësore në mbarë shoqërinë kanë për t’i pasuar këto protesta.
Koha.net: Kush është Lëvizja për Universitetin dhe cili ka qenë roli i saj në këtë protestë?
Enriko Peçulaj: Lëvizja Për Universitetin është lëvizje studentore, me fokus mbrojtjen e interesave të studentëve dhe Universitetit, nëpërmjet aksionit politik dhe ngritjes së ligjërimit kundër tjetërsimit të Universitetit. Ky organizim u ngjiz qysh në kohën kur u hartua reforma në Arsimin e Lartë, dhe e ka kundërshtuar gjatë gjithë kësaj periudhe 5 vjeçare, tregtarizimin e universitetit, kthimin e dijes në mall dhe të studentit në konsumator. Ne besojmë se dija është e patjetërsueshme dhe studenti duhet t’i prijë ligjërimit universitar.
Angazhimi 5 vjeçar i Lëvizjes Për Universitetin me ligjërime, tubime dhe takime të vazhdueshme me studentë brenda ambienteve universitare, ka bërë që protesta të ketë këtë masivitet. Të gjitha thirrjet brenda protestës, i gjithë artikulimi politik ka ardhur pikërisht si meritë e kësaj Lëvizjeje. Sot, mijëra të rinj, i këndojnë njëzëri këngët e krijuara nga aktivistë të LPU-së. Pavarësisht se protestat nuk e kanë pasur një organizator formal, rol të veçantë dhe të pamohueshëm ka luajtur Lëvizja jonë.

Koha.net: Një paralelizëm me Kosovën, si e shihni gjendjen këtu në raport me Shqipërinë, në fushën e arsimit?
Enriko Peçulaj: Pavarësisht se Universiteti Publik në Kosovë përmban tarifa ndjeshëm më të ulëta, ne besojmë se dhe atje studentët duhet të kërkojnë arsim publik falas dhe përmirësim të kushteve brenda Universitetit. Ne e dimë që edhe studentët në Kosovë përballen me problematika të njëjta sikur në Shqipëri, ndaj është bërë domosdoshmëri marrja e shembullit prej këtu, dhe bashkëpunimi me studentët e Shqipërisë lidhur me çështjet universitare. Ekziston edhe aty rreziku i implementimit të një ligji të kësaj natyre, i cili shkel të drejtat e studentëve dhe e shkatërron përmbajtësisht Universitetin. Është pikërisht ky rrezik i cili duhet të parandalohet. Dhe kjo bëhet vetëm me angazhimin e përbashkët. Rezistenca vazhdon, deri në fitore!
