Arbëri

Pazaret me President

Foto: Driton Paçarada / KD

Presidenti i Republikës, në letër, përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës. Por historia dydekadëshe dëshmon se pozita e kreut të shtetit përbën simbolin e pazareve politike për qëllime partikulare të subjekteve politike a të liderëve partiakë.

Mendësi pazari për këtë institucion ka demonstruar edhe opozita e deritashme, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Vota për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjen Demokratike (LDK) është përkthyer si vullnet i kosovarëve për ta ndryshuar mendësinë e deritashme politike. Një marrëveshje koalicioni mes këtyre dy partive është vënë në pikëpyetje, pikërisht në kohën kur është qitur në rend dite ndarja e pushtetit, dhe pjesë e këtij pazari është bërë edhe institucioni i Presidentit.

Është LDK-ja ajo që e do këtë post, ani se Kosova nuk ka hyrë në orarin kushtetues kur duhet ta bëjë zgjedhjen e Presidentit. Kjo për shkakun se Hashim Thaçit i përfundon mandati tek në vitin 2021, shkruan Koha Ditore.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, që shihet si njeri i cili do që ta pasojë Thaçin në majë të pushtetit, ka insistuar se marrëveshja duhet të përfshijë të gjitha pozitat me të cilat koalicioni potencial do të sfidohet gjatë katërvjeçarit të ardhshëm.

Ndërkaq lideri i LVV-së, Albin Kurti, fillimisht ka këmbëngulur që në tryezë të negociohen vetëm “karriget e zbrazëta” dhe jo posti i Presidentit. Megjithëkëtë, burime të gazetës kanë thënë se kjo parti është në gjendje të lëshojë pe, në rast se i ofrohet asaj një ministri më shumë nga LDK-ja, ndryshe nga marrëveshja parimore për t’i ndarë proporcionalisht dikasteret qeveritare.

Ngërçi në të cilin janë futur negociatat mes këtyre partive nuk ka kaluar. Përderisa LDK-ja është përcaktuar të mos lëvizë nga qëndrimi, LVV-ja, që ka marrë më së shumti vota më 6 tetor, ka shprehur gatishmërinë të shkohet në zgjedhje të reja, në rast se negociatat për koalicion dështojnë.

Asnjë nga presidentët e deritashëm nuk është zgjedhur me konsensus. Dhe, është sistemi zgjedhor ai që mundëson pazarin politik me atë që Kushtetuta e portretizon si simbol uniteti. Ky sistem ka bërë që Presidenti të përbëjë edhe burim jostabiliteti institucional.

Sistemi është dizajnuar nga ndërkombëtarët menjëherë pas luftës dhe ishte integruar në Kornizën Kushtetuese, dokument ky suprem juridik deri në fillim të 2008-s, kur është shpallur pavarësia e Kosovës. Imponohej zgjedhja nga legjislativi. Kërkoheshin votat e dy të tretave të deputetëve në dy raundet e para të votimit dhe nëse shkohej në raundin e tretë, zgjedhja bëhej vetëm me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Ky mekanizëm ishte vendosur menjëherë pas luftës me synimin për ta vënë në krye të vendit një kandidat konsensual, që do të merrte mbështetjen edhe të spektrit politik pacifist, që drejtohej nga Ibrahim Rugova i LDK-së, edhe të krahut të luftës, që përfaqësohej nga Hashim Thaçi i Partisë Demokratike (PDK). Çlirimi i Kosovës thuajse i gjeti në armiqësi të dyja kampet, që më pas në tri legjislatura kanë bashkëqeverisur. Ndërkombëtarët, që morën administrimin e Kosovës, përpiqeshin të krijonin të tillë formulë të ndërtimit të institucioneve, që do të impononte dialog e kompromise. Por qëllimi kurrë nuk u mbërrit.

Historia e pasluftës ka treguar sesi posti i Presidentit ka përbërë kartëmonedhë në secilin proces negocimi për ndarje të pushtetit. Është kjo një histori pazaresh me plot prapaskena. Histori shantazhi e imponimi të votës së lirë, në të cilën kanë hise vendorë e ndërkombëtarë.

Presidenti i gazit

Presidenti aktual, Hashim Thaçi, nuk është zgjedhur në Vatikan dhe as nuk është bërë Papë. Por, në 2016-n, tymi e ka shoqëruar procesin e zgjedhjes dhe inaugurimit të tij për President të Republikës.

Nuk ka qenë asi tymi që del nga oxhaku mbi çatinë e Kapelës Sistina, menjëherë pasi kardinalët zgjedhin të parin e katolikëve. Pra, asi tymi që për burim ka djegien e fletëvotimeve të përdorura gjatë zgjedhjes së Papës. Por ka qenë gaz lotsjellës që opozita e ka hedhur në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për ta bllokuar ngjitjen e Thaçit në majë të pushtetit.

Megjithëkëtë, njeriu që prej themelimit e ka drejtuar PDK-në, në fund të shkurtit të atij viti ia doli të bëhej shef shteti, në një seancë të Kuvendit që nuk ishte e jashtëzakonshme vetëm për nga statusi procedural. Procesi maratonik 9-orësh, përveçqë ishte shoqëruar me gaz lotsjellës në sallën plenare nga e cila deputetë opozitarë ishin nxjerrë zvarrë, jashtë Kuvendit ishte shoqëruar edhe me përleshje midis policisë e mijëra protestuesve që kundërshtonin këtë zgjedhje.

Ai arriti të konfirmohet President shteti tek në raundin e tretë të votimit. Në të parin siguroi vetëm 50 vota, duke thyer kështu një rekord të zi, ngaqë prej pasluftës e këtej nuk kishte marrë ndonjë president kaq pak mbështetje në ndonjë rreth votimi.

Kuorumin ia siguroi LDK-ja, që bashkëqeveriste me PDK-në. Të dyja, deri dy vjet para këtij çasti, kishin qenë rivalët kryesorë në skenën politike. Por, pas zgjedhjeve të 2014-s kishin lidhur koalicion, pas disa muajsh ngërçi politik i prodhuar nga përcaktimi i spektrit politik për të mos bërë koalicion me partinë e Thaçit, meqë ajo bëhej përgjegjëse për kapje shteti në dy mandate qeverisjeje. I gjendur në situatë të këtillë, dhe pa shpresë se do ta drejtojë Qeverinë në mandatin e tretë, Thaçi vendosi të akomodohet në Presidencë. Marrëveshja e pati bërë Mustafën e LDK-së kryeministër, post që për herë të parë e merrte ky subjekt politik që prej pasluftës. Marrëveshja përcaktonte që, sapo ta përmbyllte mandatin Atifete Jahjaga, LDK-ja ta jepte votën për ta vendosur në vend të saj Thaçin.

Lidershipi i LDK-së i qëndroi pas marrëveshjes, ani se ishin shtuar reagime kundërshtimi në nivel degësh e madje edhe te vetë deputetët. Kundër kësaj kandidature ishin edhe një pjesë e shoqërisë civile, por edhe opozita, që këmbëngulte në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe që legjislatura e cila do të dilte prej tyre ta zgjidhte kreun e shtetit.

Fillimisht, kundërshtime kishte edhe brenda kampit të LDK-së. Por disa pazare i zbutën disa nga deputetët. Në procesin zgjedhor të Thaçit ka votuar edhe Alma Lama, deputete që me muaj rresht kishte thënë se nuk do t’ia bënte kuorumin. Më pas është shpërblyer për këtë, duke u dërguar ambasadore në Itali.

Mirëpo pati disa deputetë të LDK-së që refuzuan të merrnin pjesë në seancë, mes të cilëve edhe Vjosa Osmani.

Megjithatë, zgjedhja ishte bërë.

Në javën e dytë të prillit të 2016-s, në një ritual që nuk kishte mbështetje në Kushtetutë dhe të zhvilluar në rrethim të hekurt, Thaçi është inauguruar në postin e ri. Aty ka pranuar në mënyrë ceremoniale Kushtetutën dhe është zotuar të jetë gardian i saj. Ceremonia e proklamuar me shumë pompozitet ka pasur rreth një mijë mysafirë, të cilëve Garda Ceremoniale iu ka qëndruar gatitu e Filarmonia i ka argëtuar. Vetëm dy nga mysafirët ishin homologë të Thaçit: presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe shefja e shtetit të Kroacisë, Kolinda Grabar- Kitaroviq. Të tjerët ishin të rangjeve më të ulëta.

Inaugurimi është zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë. Me trupat e tyre, qindra policë kishin bërë kordonë në secilën hyrje të shesheve në kryeqytet, krahas pengesave të metalta që kishin vënë. Snajperistë ishin pozicionuar në pikat më të larta të ndërtesave rrotull vendit ku zhvillohej ceremonia.

Megjithëkëtë, autoritetet nuk kanë mundur të parandalojnë akte proteste kundër Presidentit, që kishte nisur mandatin një ditë më parë, me t’u betuar para deputetëve. Së paku katër bombola gazi lotsjellës ishin hedhur në sheshin qendror të Prishtinës, ku ishin akomoduar mysafirët. LVV-ja e pati marrë përgjegjësinë për gjuajtjen e tyre. Ishin pikërisht deputetë të këtij subjekti që kishin aktivizuar lotsjellës edhe brenda sallës së Kuvendit, kur ishte realizuar votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Presidentja e zarfit

Atifete Jahjaga përbënte emër anonim në Kosovë, deri në 2011-n, kur ajo u përmend si emër konsensual i tri partive për ta bërë presidente. Në fakt, ishte emër që e sponsorizoi ambasadori amerikan i asaj kohe Christopher Dell.

Pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur jokushtetuese zgjedhjen e kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, në krye të shtetit, Dell kishte ulur në tryezë Isa Mustafën e LDK-së, që ishte në opozitë, bashkë me Thaçin e Pacollin, që ndodheshin në koalicion qeverisës. Ndaj të dyve, në fushatën zgjedhore që kishte ndodhur vetëm pak muaj përpara këtij takimi, Mustafa kishte përdorur diskurs gozhdues. Në marrëveshje Dell nuk i kishte ftuar edhe dy partitë e tjera opozitare, LVV-në e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Thaçi, Mustafa e Pacolli kishin firmosur një marrëveshje, me të cilën bëhej presidente Atifete Jahjaga, një oficere policie fare pak e njohur në publik.

Në një paraqitje publike, Pacolli kishte treguar prapaskenat e marrëveshjes. Kishte thënë se emrin e Jahjagës ambasadori e kishte nxjerrë nga një zarf, dhe kjo kandidaturë i kishte lënë gojëhapur të tre liderët partiakë.

Pavarësisht që përbënte personalitet anonim për kosovarët, Jahjaga pati arritur të siguronte 80 vota që në raundin e parë dhe të siguronte mbështetjen edhe të një pjese të opozitës.

Një pazar politik kishte në këtë proces.

Krahas zgjedhjes së Jahjagës, të njëjtën ditë, pra më 7 prill të 2011-s, nëpërmjet një rezolute ligjvënësit i kishin dhënë mbështetje marrëveshjes së arritur vetëm një ditë më parë nga tre liderët partiakë. Po kështu, kishin mbështetur edhe zotimet dhe afatet kohore të përmbajtura në marrëveshje, e që kishin të bënin me nevojën për amendamentimin e Kushtetutës dhe legjislacionit të ndërlidhur, në mënyrë që Presidenti të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli.

“Kuvendi mbështet afatin kohor të përmbajtur në Memorandum, sipas të cilit zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë do të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi”, thuhej në Rezolutë. “Kuvendi mbështet themelimin e një komisioni, të udhëhequr nga një deputet i Kuvendit i identifikuar nga koalicioni qeverisës, për këtë qëllim ashtu siç është paraparë në Memorandum. Në pajtueshmëri me Memorandumin, komisioni do të synojë të kryejë punën e vet brenda 6-9 muajsh nga data e themelimit”.

Komisioni kishte hartuar 11 amendamente, të cilat ishin në frymën e marrëveshjes. Një pjesë e këtyre amendamenteve kishte të bënte me mënyrën dhe me kohën e zgjedhjes së presidentit. Amendamenti 10 ia ndërpriste Jahjagës mandatin në gjysmë dhe me të krijohej rrethanë për të shpallur zgjedhjet presidenciale. Por një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i kishte shpallur jokushtetuese mbi 60 për qind të amendamenteve të propozuara. Midis tyre edhe amendamentin 10.

Pati dështuar e gjithë reforma e iniciuar. Amendamentet nuk u vunë për votim në Kuvend, nga shkaku që Jahjaga nuk dha dorëheqje. Kësisoj, sovranit iu mohua mundësia që vetë të vendosë për institucionin që me Kushtetutë definohet si simbol i unitetit të popullit. Dhe, mbeti e paprekur dispozita kushtetuese që parasheh zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi.

SMS-“Presidenti”

Në fund të shkurtit të 2011-s, Kosova qe bërë me institucione të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme që ishin mbajtur shkaku i tërheqjes së LDK-së nga koalicioni që e kishte me PDK-në. Disa kohë pas certifikimit të rezultatit, institucionet ishin zgjedhur nëpërmjet një procesi votimi në Kuvend, që e pati bojkotuar opozita dhe që mezi ishte mbështetur nga të gjithë deputetët e partive në pushtet.

PDK-ja kishte përzgjedhur AKR-në për partner koalicioni.

Behgjet Pacolli mezi ishte “zgjedhur” President shteti. Procesi i votimit mund të dështonte sikur Thaçi të mos i ngujonte deputetët e tij në një sallë të Kuvendit pas raundit të dytë të votimit, ngaqë një numër i tyre s’ia jepnin dot votën kreut të AKR-së, veçmas për arsye që lidheshin me rolin e tij që kishte në kohë lufte, kur në Kosovë kishte ardhur si i dërguar i presidentit të Rusisë për të ndërmjetësuar takime midis lidershipit të Kosovës dhe Slobodan Milosheviqit.

Në raundin e tretë Pacolli ka mundur të marrë 62 vota, 4 më shumë se në të dytin dhe 8 më shumë se në raundin e parë.

Procesi i zgjedhjes së Pacollit president ishte shoqëruar me shumë prapaskena.

“Chrisi është me mua”, shkroi Pacolli në një SMS disa minuta para se Kuvendi ta zgjidhte President të Kosovës. Me “Chris” e mendonte ambasadorin amerikan Christopher Dell. Gjatë seancës së Kuvendit, ku votohej për kreun e shtetit, i nominuari për këtë pozitë kishte qenë më shumë i zënë me leximin e mesazheve në telefonin e tij mobil, të cilat, sipas asaj që pati zënë fotokamera, ishin instruksione për sjelljet dhe pritjet gjatë votimit të tensionuar dhe, në momente, shumë të paparashikueshëm, që – siç tregojnë qartë edhe “SMS-të presidenciale” – është përcjellë me pasiguri nga vetë i nominuari.

Një pjesë e SMS-ve, ato më relevantet në lidhje me procesin e votimit për president, shihej se i ishin dërguar Pacollit nga këshilltari që e kishte atëkohë, Essad Puskar, i cili, gjatë seancës së Parlamentit, ka qenë në mesin e korit diplomatik, afër ambasadorëve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë që ishin prezentë në galerinë e sallës së Kuvendit. Nëpërmjet tij Pacolli komunikonte me Dellin. Madje, disa korrespodenca flisnin për ndërhyrje në vullnetin e një pjese të deputetëve të PDK-së që, ndonëse ishin në koalicion me partinë e Pacollit, nuk e donin atë në majë të pushtetit.

Në një SMS Puskar citon Dellin të thotë gjatë seancës sa ndodhte votimi në tri raunde se “do mblidhemi me Hashimin (Thaçin v.j.) pas këtij raundi nëse del njëjtë (rezultati i votimit v.j.) apo më keq”.

Pas pak minutash prej kur ishte dërguar mesazhi telefonik, Dell ishte parë tek dilte nga galeria e sallës së Kuvendit.

Në një tjetër SMS citohet ambasadori amerikan të thotë se “Fatmiri dhe Jakupi ishin të frikësuar nga kërcënimi në fund”.

E kishte fjalën për deputetët Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, të cilët, pas kryetarit Hashim Thaçi, mbanin pozitat më të larta në PDK. Të dy ishin deklaruar hapur para seancës se nuk do ta votonin Pacollin. Prej këtij momenti ata ndanë rrugën me partinë më të madhe në vend. Themeluan një subjekt të tyre, që prej atëherë është forcë parlamentare.

Pacolli mundi ta shijonte kolltukun presidencial vetëm për rreth një muaj. Gjykata Kushtetuese nxori verdiktin se zgjedhja e tij ishte antikushtetuese, ngaqë në proces kishte vetëm një kandidat, dhe gjatë votimit nuk kishte kuorum, pasi kishte konsideruar se rrethi i parë i votimit që kërkonte 80 vota nuk mund të niste pa qenë të pranishëm në sallën plenarë deputetë së paku në këtë numër. Për pasojë, zgjedhja u shpall nul.

Presidenti kundërkushtetues

Fatmir Sejdiu ishte president para Pacollit. Ai është njeriu që e pasoi Ibrahim Rugovën në post. Lideri historik i LDK-së nuk mbërriti ta çojë deri në fund mandatin e dytë, meqë nga një sëmundje e rëndë vdiq më 21 janar 2006. Diku një muaj më vonë, në pozitë të tij u zgjodh Sejdiu, e koalicioni mbeti i paprekur. Ishte zgjedhur pas tri raundesh të votimit, por në të tretin kishte siguruar atë shumicë që nuk e mbërrinte në dy raundet paraprake – 80 vota.

Në dhjetor të 2006-s u organizuan zgjedhje edhe për pasuesin e Rugovës në parti. Kryetar i LDK-së qe zgjedhur Sejdiu. Kuvendi Zgjedhor ishte shoqëruar me zhvillime dramatike. Kishte degraduar edhe në përplasje fizike. Efektet ishin rrënuese për këtë subjekt politik. U nda në dysh, dhe në zgjedhjet pasuese të përgjithshme humbi primatin e subjektit të parë në Kosovë.

Kësisoj, zgjedhjet e 2007-s i fitoi PDK-ja e Thaçit, që i ofroi marrëveshje koalicioni LDK-së, dhe pjesë të pazarit pati edhe postin e Presidentit. Ia la Sejdiut, ndonëse kundër kësaj kandidature ishte e gjithë opozita. Ishte votim dramatik ky. Në dy raundet e para Sejdiu siguroi mbështetjen e 62, përkatësisht 61 deputetëve. Tek në raundin e tretë ai mori 68 vota, të cilat i mjaftuan të rizgjidhej shef shteti.

Koalicioni nuk e çoi deri në fund mandatin, shkaku i Sejdiut që mbante edhe postin e kreut të shtetit e edhe atë të liderit të partisë, ndonëse Kushtetuta e përcaktonte se të dyja funksionet nuk mund të ushtroheshin njëkohshëm.

Dy deputetë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të tregonte nëse përbënte shkelje ecja e Sejdiut duke i mbajtur njëkohësisht të dyja funksionet. Gjykata tha po – përbën shkelje kushtetuese.

“Çdo qytetar i Republikës gëzon të drejtën që të sigurohet nga paanshmëria, integriteti dhe pavarësia e Presidentit. Kjo për më tepër, kur ai ushtron zgjedhje politike si kur zgjedh kandidatë konkurrentë nga koalicione të mundshme për t'u zgjedhur kryeministër”, është një nga arsyetimet e verdiktit. “Opinioni i Gjykatës është se kjo nuk mund të ndodhë kur Presidenti ende mban post shumë të lartë në një nga partitë politike më të njohura në vend dhe arrin në përfundimin se Presidenti ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës sipas Nenit 88.2 të Kushtetutës, duke vazhduar të lejojë vetveten të figurojë i regjistruar si kryetar i LDK-së”.

Mbështetur në Kushtetutë, mandati i Presidentit përfundon me t’u konstatuar një shkelje e këtillë nga Kushtetuesja. Ndonëse dispozita është strikte, Sejdiu deklaroi dorëheqjen, dhe u ankua në publik se partneri i koalicionit ia kishte “punuar” këtë.

Pas këtij zhvillimi, Sejdiu hoqi ministrat e LDK-së nga Qeveria. Kuvendi votoi mosbesimin e Qeverisë që udhëhiqej vetëm nga njerëzit e PDK-së dhe të partive nga radhët e minoriteteve. Kjo situatë e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, dhe e la pa funksion në parti edhe Sejdiun, të cilin e rrëzoi nga fronti njeriu që atëkohë e kundërshtonte më së shumti koalicionin PDK-LDK, Isa Mustafa. Zgjedhjet e parakohshme ishin mbajtur në dhjetorin e 2010-s.

Gjithmonë President

Ibrahim Rugova është njeriu që thuajse në gjithë karrierën e tij politike ishte shef shteti. Gjatë gjithë viteve ’90, kur ishte organizuar sistemi paralel, kishte shërbyer si President i Republikës së Kosovës, status ky që vendit nuk i ishte njohur ndërkombëtarisht. Edhe pas çlirimit, kur Kosova u vu nën mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe nuk e kishte të definuar statusin, e synonte të njëjtën pozitë, ani se Korniza Kushtetuese i përshkruante më shumë rol ceremonial Presidentit. Kompetencat ekzekutive i ishin përshkruar kryeministrit.

Pas dy palë zgjedhjesh parlamentare të pasluftës, partia të cilën e drejtonte Rugova që nga themelimi i saj, LDK-ja, kishte dalë fituese. Posti i kryetarit ishte pjesë e secilës marrëveshje koalicioni. Duke qenë njeri që nuk merrej me punë qeverisjeje në praktikë, në të dyja rastet Rugova ishte përcaktuar ta merrte për vete dhe të hiqte dorë nga posti i kreut të ekzekutivit, që u ishte lënë partnerëve qeveritarë.

Me insistimin e ndërkombëtarëve, pas zgjedhjeve të 2001-s, kishte bashkëqeverisje të të gjithë spektrit politik. PDK-ja, si parti e dytë, e drejtonte ekzekutivin.

Por Rugova e pati lënë në opozitë partinë e Thaçit pas zgjedhjeve të 2004-s. Posti i kryeministrit i ishte ndarë Ramush Haradinajt, kryetar i partisë që nga zgjedhjet nuk kishte dalë me përqindje dyshifrore, AAK-së.

Përzgjedhja për partner qeverisës një parti të vogël, për pak sa s’i kishte kushtuar me dështim. Rugova mundi të merrte frymë lirshëm vetëm pas tri raundeve të votimeve. Në të parin kishin votuar gjithsej 108 deputetë dhe ai pati marrë 65 vota, e në të dytin i ishte tkurrur edhe më shumë përkrahja. Kishte marrë dy vota më pak. Por arriti të zgjidhej në raundin e tretë, kur kërkohej vetëm shumica dhe jo dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Pas votimit dha betimin për ta ruajtur e mbrojtur integritetin territorial të vendit dhe “unitetin e popullit”.

Rugova nuk mbërriti ta çojë deri në fund mandatin e dytë. Nga një sëmundje e rëndë vdiq më 21 janar 2006. Dhe, ndonëse në dy palë zgjedhje nën drejtimin e tij LDK-ja mbërriti të fitonte 45 për qind të votave, megjithëkëtë kishte edhe mekanizma institucionalë që nuk e njihnin për president. Garda e Trupave Mbrojtëse të Kosovës pati refuzuar që trupit të pajetë të Rugovës t’i bënte rojë nderi gjatë homazheve, ta përcillte deri në varr e edhe të përfshihej në ceremoni. Kjo, ani se kryetari i Kosovës atëkohë ishte edhe komandant i këtyre trupave.